Hyrja në NATO, premisë për anëtarësim të shpejtë në BE
Kryeministri Sali Berisha priti dje kryenegociatorin e Kroacisë për anëtarësimin në BE, Vladimir Drobnjak, me të cilin u diskutua në lidhje me axhendën e përbashkët të të dyja vendeve në NATO. “Qenia me të drejta të plota në NATO, por edhe një vend që ka ligjërisht në fuqi MSA-në me Bashkimin Evropian, është pa dyshim një premisë shumë herë më e favorshme për çdo vend dhe në këtë rast, për Shqipërinë, për të bërë progres të shpejtë në hapat e mëtejshëm drejt integrimit të plotë në BE”, - u shpreh kryenegociatori i Kroacisë. Kryeministri Berisha i shprehu diplomatit kroat angazhimin e qeverisë shqiptare për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe bashkëpunimin e ngushtë në shumë fusha, veçanërisht për të vazhduar traditën e mirë për shkëmbimin e përvojës reciproke për sa i përket objektivit tjetër madhor, integrimit në BE, tashmë që procesi i anëtarësimit në NATO po mbyllet me sukses.
Uidhers: Të rinjtë, e ardhmja e vendit
Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Xhon Uidhers, vizitoi dje qytetin e Gjirokastrës, nga ku deklaroi se të rinjtë janë e ardhmja e Shqipërisë. Uidhers vizitoi dje mjediset e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” në qytetin jugor të Gjirokastrës, një institucion me infrastrukturë moderne në procesin e mësimdhënies. “Ju jeni e ardhmja që do ta çoni këtë vend drejt zhvillimit bashkëkohor, aq të domosdoshëm për këtë vend”, - deklaroi Uidhersi. Ambasadori shkëmbeu edhe disa dhurata simbolike me drejtuesit e shkollës. Ndërkohë, nxënësit i kanë dhuruar ambasadorit një fotografi me pamje nga shkolla e tyre. Gjatë ditës së djeshme, ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri ka marrë pjesë edhe në përurimin e Zyrës së Informacionit, pranë Gjykatës së Apelit në Gjirokastër, si dhe ka ndjekur në mbrëmje një shfaqje të organizuar nga fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” të këtij qyteti.