Berisha: Mbështetje për misionarët e dijes
Ka zgjedhur të mirëpresë në kryeministri një grup arsimtarësh për t'u dhënë urimet e festës së 7 Marsit, por edhe për t'u bërë disa premtime. Kreu i qeverisë Sali Berisha, theksoi dje gjatë ceremonisë së organizuar enkas për ditën e mësuesve se arsimi do të mbetet njq nga prioritetet e qeverisë së tij. "Qeveria do bëjë çdo gjë në mënyrë që ju misionarë të dijes të mund ta zhvilloni me përgjegjësinë më të madhe garën e dijes, garën promotor të vërtetë të zhvillimit të një shoqërie, të një kombi, të një vendi. Prandaj uroj të gjithë mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre, gëzuar ditën e mësuesit", u shpreh Berisha. Duke cilësuar këtë festë, si një ditë jo vetëm të mësuesve, por të të gjithë shoqërisë shqiptare, ai garantoi se procesi i ndërmarrë katër vite më parë, për një arsim modern në Shqipëri, për një arsim i cili të përmbushë të gjitha detyrimet e formimit demokratik të edukimit të nxënësve, nuk do të ketë të ndalur.