Tatimet gjobisin 150 subjekte
BERAT - Drejtoria e Tatim-Taksave në Berat gjobit 150 subjekte që veprojnë në rang qarku. Burime nga kjo drejtori bëjnë të ditur se nga kontrolli i ushtruar prej inspektorëve të Policisë Tatimore janë ndëshkuar të gjithë ato biznese që nuk kanë zbatuar ligjin. “Gjatë dy muajve të fundit janë kryer 500 kontrolle dhe janë vendosur 150 gjoba, të cilat variojnë nga 50-100 mijë lekë”, u shprehën burimet zyrtare. Në shënjestër të kontrolleve janë bërë dokumentacionet e subjekteve të ndryshme. Një pjesë e tyre nuk kanë shlyer sigurimet shoqërore për punëtorët, probleme në dokumentacione, etj. Nga kontrollet e shumta nga Policia Tatimore është bërë bllokimi i dy automjeteve më mallra kontrabandë, një me ushqime dhe një kamion me pllaka dekorative që ishte ngarkuar në malin e Tomorit, me destinacion Durrësin. Kreu i Drejtorisë Rajonale së Tatim-Taksave, Myslym Haxhija tha për gazetën se “me zbatimin me korrektësi të ligjit nga ana e Policisë Tatimore kemi arritur të ndërgjegjësojmë në masën 80 për qind të drejtuesve të bizneseve, të vegjël dhe të mëdhenj. Po vazhdojmë punën për t’i detyruar që të respektojnë ligjin”. Sipas Haxhiajt, ndonëse prej kohësh këta pronarë janë munduar që t’i shmangen ligjit, verifikimet e fundit kanë nxjerrë dhe shkeljet. Në qarkun e Beratit kryejnë aktivitet të rregullt 4500 biznese të vegjël e të mëdhenj, të cilët janë vënë në sistemin monitorues. Në dy muajt e fundit kontrollet kanë përfunduar me masa konkrete, duke u vendosur gjoba për çdo parregullsi. d.xh