E Diel, 1 Nëntor 2026

I hanë për karamele, katër fëmijë helmohen me bar miu



ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Helmohen me bar miu 4 fëmijë. Qesja me lëndën e rrezikshme, e hedhur shkujdesshëm nga banorët e fshatit Bradashesh, për pak sa nuk i mori jetën të miturve nga 2 deri në 5 vjeç, kushërinj mes tyre. Ata përfunduan mesditën e djeshme në urgjencën e spitalit kirurgjik të Elbasanit në gjendje kritike. Fëmijët Eriola, 4 vjeçe, Violeta 5 vjeçe, Asiori 5 vjeç dhe Rovelina 2 vjeçe, të gjithë pjesëtarë të fisit Petrela janë pikasur nga të afërmit e tyre sapo dhanë shenjat e para të helmimit. Pa e ditur se çfarë u kishte ngjarë, por vetëm nga dobësimi dhe të vjellat, familjarët i kanë transportuar menjëherë për në urgjencën e spitalit, duke kërkuar ndihmën e shpejtë të mjekëve. Në momentin e mbërritjes në spital fëmijët kanë qenë në gjendje të rëndë, por falë ndërhyrjes së mjekëve ata kanë mundur të dalin nga gjendja e rrezikut për jetën. Sipas mjekut reanimator Besnik Shabanaj, fëmijët rezultojnë te jenë intoksikuar me bar miu dhe gjendja e tyre paraqitej e rëndë. Shabanaj ka ndjekur hap pas hapi ecurinë e fëmijëve, por për të pasur kontroll dhe ndërhyrje më të specializuar në këtë rast është vendosur dërgimi i tyre në spitalin e Tiranës. Fillimisht, drejt kryeqytetit janë nisur dy prej të miturve, por më pas dhe dy të tjerët. Gjendja e tyre është përmirësuar vetëm në orët e pasdites. I gjithë stafi i mjekëve, në momentin e mbërritjes së katër fëmijëve të helmuar me bar miu ka qenë i përgatitur duke përballuar me sukses të katërt urgjencat. Drejtori i qendrës spitalore në Elbasan, Pjerin Xhuvani ka vendosur me shpejtësi në dispozicion të tyre dy autoambulanca që t’i dërgonin drejt QSUT-së. Ndërkohë, policia e Elbasanit ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë. Familjarët e fëmijëve, të marrë në pyetje nga grupi hetimor, kanë deklaruar se të vegjëlit po luanin në afërsi të shtëpive të tyre. Aty kishin gjetur një letër të bardhë të mbështjellë, brenda së cilës kanë qenë disa kokrra të bardha. Fëmijët i kanë ngrënë, duke shfaqur pak pas minutash shenjat e helmimit. Vetëm pas mbërritjes në spital është saktësuar se fëmijët janë helmuar me bar miu, pasi familjarët nuk kanë ditur t’u shpjegojnë ekspertëve se çfarë kishin konsumuar fëmijët, por një gjë të tillë ata e kanë mësuar vetëm pasi janë kryer analizat paraprake. Ata kanë deklaruar për policinë se nuk i kishin hedhur ata kokrrat e fostoksinë. Pak ditë më parë, dy fëmijë të tjerë në qarkun e Elbasanit përfunduan në gjendje të rëndë në spital, pasi kishin gjetur në një dyqan të fshatit disa kokrra që i ngatërruan për karamele.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›