E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replikat në Komisionin e Ligjeve për hetimin e zgjedhjeve, PD e PS ngecin te hapja e kutive



BLEDAR HOTI

Maxhoranca konteston kërkesën e Partisë Socialiste për të hapur kutitë e votimit nëpërmjet komisionit hetimor parlamentar. Në mbledhjen e djeshme të komisionit parlamentar të Ligjeve anëtarët e maxhorancës dhe të opozitës debatuan për mëse dy orë mbi faktin nëse ia lejon Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës supreme për të hapur kutitë e votimit. Relatori i PD-së, deputeti Viktor Gumi në qëndrimin e tij për nismën e PS-së theksoi se komisionit parlamentar nuk i jepet hetim i pakufizuar. “Kur Gjykata Kushtetuese ka interpretuar nenin 77 të Kushtetutës, ajo ka theksuar se hetimi parlamentar nuk mund të jetë absolutisht i pakufizuar, pra ai është i kufizuar nga disa parime dhe detyrime kushtetuese. Pra, ky kufizim imponon që objekti i hetimit duhet të respektojë parimet kushtetuese, që hetimi parlamentar të ketë të bëjë me veprimtarinë ligjvënëse dhe që kompetenca hetimore të mos shpërdorohet”, tha Gumi. Për nenin 4 të draftit të PS-së, ku kërkohet hapja dhe rinumërimi i fletëve të votimit, deputeti Gumi propozoi që ajo të rishikohet, pasi është antikushtetuese. “Mbi bazën e praktikës kushtetuese shqiptare dhe asaj ndërkombëtare të cituar më lart kjo pikë ka nevojë të riformulohet sepse është në kundërshtim me Kushtetutën. Aktivitetet e komisioneve nuk duhet të zëvendësojnë dhe as të marrin kompetencat e organeve të cilat për shkak të ligjit (Kushtetutës) janë të detyruar të realizojnë kompetenca të këtilla. Komisionet - duke qenë organizma të brendshëm të Kuvendit – nuk duhet të vendosen në pozicionin e një “super organi”, superior mbi të organet e tjera të autoritet publik”, tha Gumi. Ndërsa ka propozuar se neni 3 i draftit të hiqet, ku përcaktohet që opozita ka shumicën numerike përpos kryetarit.
Qëndrimi i PS
Relatori i PS-së, Sajmir Tahiri u shpreh se “Legjitimiteti i rezultatit zgjedhor është njohur nga PS për sa kohë kemi pranuar rezultatin zgjedhor dhe kjo është një bindje dhe produkt i vetëdijes së PS-së për të njohur vendimin e KQZ-së dhe vendimin e kolegjit zgjedhor, paçka opinionit tonë politik mbi bazueshmërinë dhe influencën e këtyre, por gjithsesi nuk e pengon në asnjë mënyrë Kuvendin dhe komisionin hetimor që të hetojë mbi bazueshmërinë korrekte të legjislacionin zgjedhor”.
“Këqyrja e fletëve të votimit do të ndihmonte vetëm në procesin hetimor për të njohur deri në fund fenomenin në fjalë. Edhe rinumërimi si procedurë është në fakt pjesa e përputhjes së vullnetit të qytetarëve të shprehur në fletën e votimit në rezultatin e shpallur në procesverbal, por jo rinumërim për efekt të shpërndarjes së mandateve, apo tabulimit të rezultatit përfundimtar gjë që biem dakord që është veprimtari ekskluzive e KQZ-së e ankimueshme në Kolegjin Zgjedhor”, tha Tahiri. Sipas tij, “mjetet dhe instrumentet hetimorë nuk i nënshtrohen as diskutimit parlamentar dhe as kontrollit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese. Nëse mazhoranca ka vullnet të kufizojë komisioni hetimor pra funksionin kontrollues të parlamentit, të kufizojë mjetet dhe instrumentet hetimore në dispozicion të komisionit dhe parlamentit atëherë komisionet nuk janë më të tilla por janë grupe pune”. Mbledhja e djeshme e komisionit ka qenë e tensionuar. Rusmali i kërkoi Tahirit që të flasë konkretisht mbi pyetjet e bërë dhe të mos ngrejë zërin. “Nga mënyra se si po flisni a doni një megafon se po më kujtoni diçka tjetër dhe mos bëni këtu sallata propagandistike”, tha Rusmali, duke nënkuptuar diskutimet e Edi Ramës në komisionin hetimor. Ndërsa Xhafaj ka ndërhyrë duke theksuar se “nëse juve ju pëlqen sallata apo mishi i pjekur, kjo është çështje juaj, nuk kemi ardhur këtu për pulenari.. Ju kërkoj në mënyrë miqësore që ju nuk duhet ti fyeni kolegët e opozitës”. Të enjten, pas dëgjimit të relatorëve, mbledhja e komisionit do të vazhdojë për shpalljen e qëndrimit të palëve. Po në këtë ditë është edhe afati i fundit i paraqitjes së amendamenteve për nismën e PS-së.

Debatet në mbledhje

Ilir Rusmali, PD: Zoti Tahiri nga mënyra se si po flisni a doni një megafon, se po më kujtoni diçka tjetër.. Unë kam për detyrë t’ju thërras te rendi i ditës, nëse ju refuzoni të drejtën e pyetjeve
Sajmir Tahiri, PS: A mund të më lini të mbaroj...
Ilir Rusmali, PD Jo unë kam për detyrë t’ju thërras te rendi i ditës. Ju mund të refuzoni përgjigjen e pyetjeve. Zoti Tahiri nuk mund të talleni me komisionin. Pyetja ishte shumë e thjeshtë nuk ka nevojë të citoni raportin e ODIHR-it. Na thoni do bëjë komisioni një kontroll banese apo jo?
Fatmir Xhafaj, PS: Për procedurë, nëse dëshirojmë të bëjmë një mbledhje normale besoj se është në interes të të gjitha palëve dhe në interes të publik dhe të bëjmë një debat normal. Për sa i përket se a e mbani në procesverbal apo jo atë që thuhet këtu, unë besoj se do ta mbani dhe nuk besoj kurrë që ju e falsifikoni kurrë atë...
Ilir Rusmali, PD: është e detyra ime, nëse doni mund të ngrini edhe komision hetimor për një çështje të tillë.
Fatmir Xhafaj, PS: Po t’i marrim hidh e prit, po ju them se ju keni praktika dhe për ato nuk ngrihen. Nuk ka asnjë arsye që ta ktheni debatin në personal. Ju lutem lini përfaqësuesit e PS-së të flasin dhe të thonë pikëpamjet e tyre. Atë që them ju nuk keni të drejtën ta vini në diskutim.
Edi Paloka, PD: ça bëhet kështu, u kthye si leksion juridiku këtu...
Vasila Hysi, PS: çfarë të bëjmë ne që nuk jeni tërë juristë
Ilir Rusmali, PD: Fjalën e ka zoti Naço
Nasip Naço, LSI: A ka pasur PS-ja komisionerë në zgjedhjet e 28 qershorit. Dhe nëse po këta komisionerë janë shantazhuar apo janë blerë. A ka dispozita në Kodin Penal që parashikon këto që ju pretendoni dhe a i jeni drejtuar Prokurorisë apo dhe këtë e bojkotoni?
Sajmir Tahiri, PS: Kjo pyetje nuk e meriton një përgjigje, për sa kohë nuk ka lidhje fare me projektligjin e PS-së
Fatos Hoxha, PD: Të fala Sandrit
Të qeshura në sallë.
Arben Isaraj, PS: Zoti Gumi! A jeni në dijeni se në vitin 2005 ka ekzistuar një komision hetimor për hetimin e zgjedhjeve parlamentare. Dhe ky komision me kërkesën e partisë së zotit Naço ka hapur kutitë e votimit dhe ka kontrolluar materialet brenda kutive të votimit. Dhe pse vendimet e Gjykatave nuk ka ndonjë masë ose detyrim shtrëngues në lidhje me këtë veprim që ka marrë komisioni hetimor në 2005?
Viktor Gumi, PD: Nuk kam dijeni në detaje. Unë besoj se raporti që është paraqitur në këtë projektligj daton dhe reflekton dhe vendimet e gjykatës kushtetuese në vitin 2006 dhe për pasojë ne duhet të mbajmë parasysh dhe këtë vendim.
Pandeli Majko, PS: Nuk mund të bëjmë pyetje retorike se nëse kemi pasur anëtarë komisioni a na janë vjedhur zgjedhjet? A ia vlen që PS-ja të kërkojë hetimin e zgjedhjeve apo jo? është njësoj si tani që PD-ja nuk ka marrë pjesë në referendumin e Kushtetutës. Ai që është kryeministri juaj, kryetari i partisë ka deklaruar se nuk e njeh këtë Kushtetutë? Ju në bazë të kësaj i respektoni principet kushtetuese. Sot jemi këtu për një kompromis dhe nuk është vendi për pyetje retorike.
Ilir Rusmali, PD: Faleminderit zoti Majko. Tani ne duhet ta pranojmë që kryeministrat i përkasin një niveli tjetër, zoti Fino, zoti Majko, zoti Berisha komunikojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.
Bashkim Fino, PS: Edhe zoti Meta dhe zoti Nano herë pas here.
Ilir Rusmali, PD: Faleminderit zoti Tahiri, por nuk na ndihmuar me atë që ishte thelbësore dhe jo thelbësore për PS-në për këtë nismë.
Sajmir Tahiri, PS: A doni t’ju përsëris atë që thashë..
Ilir Rusmali, PD: Po do ishte kënaqësi, mund ta përsërisni.. Pyetja që unë bërë kishte interes shumë konstruktiv se çfarë në logjikën e relatorit diçka që mund t’i nënshtrohet debatit në komision. Ju keni sjellë një projektligj që ndryshon në zemër ligjin ekzistues, atë ligj që PS-ja e ka miratuar me shumicën e saj. Ju duhet të na ndani ne çfarë thelbësore e jo thelbësore? Pyetjes nuk mund t’i i jepet sallatë propagandistike, sepse nuk ndihmohet komunikimi në komision. Ju thashë modeli i komunikimit me megafon. Zonja Hysi ka të drejtën e pyetjes 1 milionë USD.
Fatmir Xhafaj, PS: Për procedurë. Zoti kryetar unë mendoj se ju duhet të respektoni dinjitetin dhe integrimin tuaj si kryetar. Nëse dëshironi të riktheni në replika personale mendoj se mund t’i japim pamje tjetër kësaj mbledhje. Nëse ju jeni i dëshpëruar nga ajo që është shkruar, apo nga ajo që është dëgjuar kjo është çështja juaj ne nuk kemi ardhur këtu t’ju bëjmë juve optimist. Kemi ardhur këtu për të dhënë zgjidhje. Nëse juve ju pëlqen sallata apo mishi i pjekur, kjo është çështje juaj, nuk kemi ardhur këtu për pulenari.. Ju kërkoj në mënyrë miqësore që ju nuk duhet t’i fyeni kolegët e opozitës. Nëse keni vullnet diskutojmë nëse ky tension përkthehet në cinizëm dhe ironi do të detyrohemi të largohemi nga mbledhja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›