E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta e vizave, PS bojkot komisioneve



Aristir Lumezi

Socialistët vendosin sot rreth bojkotit të tyre të komisioneve dhe seancës parlamentare. Në orën 13:00 deputetët socialistë janë lajmëruar për të marrë pjesë në mbledhjen e radhës, e cila zhvillohet pas pjesëmarrjes së tyre në seancën e javës së kaluar por dhe në dy mbledhje të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Mbledhja e sotme do të vendosë nëse ata do të nisin aktivitetin e tyre normal parlamentar apo do ta kushtëzojnë qëndrimin e tyre me ecurinë e propozimeve të tyre për hetimin e zgjedhjeve të cilat po diskutohen në komisionin e Ligjeve. Socialistët i qëndrojnë pozicionit të tyre se e vetmja çështje që i lidh ata me Kuvendin aktualisht është hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit sipas neneve të projektligjit që ata kanë depozituar në komisionin e Ligjeve. Në këtë mënyrë ata pritet të bojkotojnë çdo aktivitet tjetër të parlamentit, përveç komisionit të Ligjeve, vetëm kur diskutohet për këtë projektligj. Ata nuk kanë marrë pjesë dhe në komisionin e Integrimit ku maxhoranca ka paraqitur një rezolutë përmes së cilës i kërkon Bashkimit Evropian liberalizim sa më të shpejtë të vizave me Shqipërinë duke konfirmuar në këtë mënyrë dhe vullnetin e mbështetjen e të gjitha forcave politike në vend. Kjo rezolutë kërkon dhe votat e opozitës, ndërsa pritet që ajo të paraqitet në Kuvend seancën e së enjtes. Drejtues të PS në deklaratat e tyre të përsëritura janë shprehur se nuk do të bëhen pengesë e proceseve integruese të vendit, ku liberalizimi i vizave është premtuar nga BE të kryhet brenda këtij viti. Burime pranë selisë rozë pohuan dje për “Panorama” se deputetët e saj nuk do të miratojnë një rezolutë që sipas tyre favorizon maxhorancën dhe Qeverinë, ndërsa Parlamenti nuk ka zgjidhur ende çështjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Por ky do të jetë një vendim që duhet ta marrë grupit parlamentar socialist në mbledhjen e sotme. Gjatë muajve të bojkotit, deputetët e mendimit ndryshe janë shprehur se nuk do të digjnin mandatin e tyre nëse në Kuvend do të paraqitej një rezolutë apo projektligj që do të kishte lidhje me liberalizimin e vizave apo proceset integruese të vendit. Deputetët socialistë, anëtarë të komisionit të ligjeve nuk do të marrin pjesë sot në mbledhjen e këtij komisioni që do të diskutojë projektligjin e ri për SHISH. Ata kanë akuzuar maxhorancën dhe kryeministrin Berisha se kërkon të ketë nën kontroll Shërbimin Informativ Shtetëror me ndryshimet që po i bën ligjit, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në asnjë nga mbledhjet që komisioni ka zhvilluar për këtë projektligj. Në mbledhjen e sotme nuk dihet ende nëse do të diskutohet për drejtuesit e grupit parlamentar dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit. Edhe pse janë zhvilluar dy mbledhje të grupit socialist, kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk ka propozuar ende kryesinë e grupit. Në sferën mediatike shumë janë emrat që artikulohen për postet e nënkryetarëve dhe sekretarit të grupit. Por ende asgjë zyrtare nuk ka nga grupi parlamentar, të cilët ende presin nga zyra e kryetarit t’u komunikojë emrat që do të përbëjnë dhe kryesinë e grupit. Gjithashtu pa asnjë kandidaturë zyrtare mbetet dhe posti i nënkryetarit socialist të Kuvendit. Në mbledhjen e fundit të zhvilluar pak ditë më parë, socialistët miratuan ndarjen e deputetëve në komisionet parlamentare dhe në delegacionet e ndërkombëtare të Parlamentit Shqiptar. Edhe pse jo pa debate, për përbërjen e këtyre delegacioneve, socialistët miratuan ndarjen që kreu socialist dhe kryetari i grupit parlamentar u kishin bërë deputetëve në komisionet parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›