E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-McIlwham: Suksese në rrugën drejt BE

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadoren e Britanisë së Madhe,Fiona McIlwham, me rastin e përfundimit të mandatit të saj në Tiranë.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi Ambasadoren britanike për të gjitha përpjekjet që ajo ka bërë gjatë kësaj periudhe, për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, të cilat kanë njohur një intensitet rritjeje të lartë gjatë kësaj periudhe.
 

Nga ana e saj, ambasadorja Fjona McIlwham, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha, edhe në emër të qeverisë së Britanisë së Madhe, për bashkëpunimin shumë të ngushtë dhe shumë të mirë që qeveria shqiptare i ka ofruar Ambasadës britanike gjatë gjithë kësaj periudhe, shfrytëzoi rastin për t`i uruar Kryeministrit Berisha suksese të mëtejshme, në veçanti, për sa i përket projektit madhor kombëtar të integrimit në Bashkimin Evropian.
 

Në takim u vlerësuan gjithashtu arritjet e rëndësishme në një sërë fushash bashkëpunimi të frytshëm midis të dy vendeve, si ato që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, luftën kundër krimit etj., si dhe u shpreh optimizmi dhe angazhimi i plotë i të dy vendeve për të thelluar edhe më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, në fusha me interes të ndërsjellë si ajo e investimeve, turizmit, etj.
“I uroj Shqipërisë suksese të reja në rrugën e integrimit evropian dhe marrjen sa më shpejtë të statusit të kandidatit, si akti kurorëzues i përpjekjeve që janë bërë gjatë gjithë kësaj periudhe”, përfundoi Ambasadorja Fjona McIlwham.
 

Pas takimit, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të Ambasadores Fjona McIlwham, ku merrnin pjesë edhe shumë ambasadorë dhe anëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›