Berisha: Më 1 maj rriten pagat e arsimtarëve
Kryeministri Sali Berisha premtoi nga Korça se do të rrisë rrogat e arsimtarëve më 1 maj. "Opozita më kërkon të mos i rris pagat, opozita protestoi se pagat po rriten me taksat e qytetarëve. Kjo është e vërtetë. Qytetarët e këtij vendi nuk mund t‘i investojnë askund më mirë taksat e tyre, se për fëmijët dhe mësuesit e fëmijëve të tyre", tha Berisha. Ndaj, shtoi ai, ne do t‘i dyfishojmë pagat për të gjithë arsimtarët në 1 maj. Sipas Kryeministrit, në 4 vjet janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 1012 shkolla në mbarë vendin. Gjatë vizitës në Korçë, Berisha tha se krijimi i shkollave të reja do ta ulë numrin e lartë të nxënësve në klasa. Ai premtoi dyfishimin e pagave për arsimtarët, duke filluar që nga muaji maj, duke shtuar se kur bëhet fjalë për arsimin, askush nuk mund të pretendojë dhe as opozita se paratë e taksave po përdoren për të ardhmen e fëmijëve. Duke folur për investimet në arsim, kreu i qeverisë tha se gjatë këtyre 4 viteve janë ndërtuar dhe rikonstruktuar të paktën 1012 shkolla në mbarë vendin, ndërkohë që shumë të tjera do të realizohen gjatë mandatit të dytë 4-vjeçar. Për Tiranën, sipas kreut të qeverisë, kanë qenë në dispozicion 24 milionë dollarë investime nga Këshilli i Evropës. Por, sqaroi ai, ndërsa kudo po kryhet investimi në shkolla, kjo nuk po ndodh në Tiranë, pasi trojet e shkollave nuk kanë përqindje. "Qeveria do të bëjë që arsimimi e shkollimi të përshtaten plotësisht me kërkesat tregut. Në këtë kontekst, ne do të bëjmë çdo përpjekje për zhvillimin e arsimit profesional, për ta inkurajuar atë, sikundër u bëjmë thirrje autoriteteve vendore që ta shndërrojnë atë në një përparësi madhore, në mënyrë që të shkolluarit të kenë hapësira të mëdha punësimi në tregun e vendit", theksoi Berisha. Ai garantoi se të gjitha shkollat në vend do të kenë kushte dinjitoze për arsimimin e fëmijëve me internet, laboratorë modernë dhe terrene sportive. "Në këto 4 vite, ne kemi dyfishuar buxhetin dhe kemi investuar në sistemin arsimor 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këto 4 vite, duke filluar nga data 1 maj, të gjithë mësuesit e Shqipërisë do të marrin një pagë dy herë më të madhe sesa në vitin 2005", u shpreh Kryeministri.