Zgjedhjet në PD, Mustafaj: Berisha po shkel statutin
Nisin përplasjet e para për zgjedhjet në Partinë Demokratike të Tiranës. Një prej kandidatëve, Besnik Mustafaj, i bindur t‘i shkojë deri në fund garës, ka shpërthyer me kritika për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas Mustafajt, kryetari i partisë ka shkelur statutin, duke u pozicionuar përkrah Aldo Bumçit për kreun e degës më të madhe të kësaj force politike. Qëndrimi i ish-ministrit të Jashtëm erdhi një ditë pasi Kryeministri Berisha deklaroi për mediat se një prej kandidaturave që ai vlerëson në këtë garë është Aldo Bumçi. Nuk vonoi përgjigjja e atij që është cilësuar si një nga kandidatët më potencialë. "Kryetari i Partisë Demokratike nuk duhet të mbështesë asnjë kandidat publikisht, pasi në këtë mënyrë shkel statutin", nënvizoi Mustafaj. Në cilësinë e një prej figurave më të njohura brenda kampit demokrat dhe i vetëshpallur për kandidat, Mustafaj siguroi opinionin publik dhe median se nuk do të tërhiqet nga gara dhe do t‘i shkojë asaj deri në fund. Në rast se Kryeministri Berisha do të kërkojë të shmangë debatet brenda partisë së tij, do t‘i bëjë zgjedhjet paralelisht me hartimin e listave për deputetë, ose do t‘i shtyjë ato pas procesit të 28 qershorit. Në gjykimin e deputetit Mustafaj, Kryeministri Berisha, me deklaratën e një dite më parë, theu një rregull në Partinë Demokratike, që është neutraliteti në garë. Ai nuk hezitoi të theksojë se ka hyrë në këtë garë për qëllime parimore dhe jo klanore. Deputeti Mustafaj shtoi se "Berisha shkeli parimin e paanësisë, që duhet të ruajë deri në fund përballë të gjithë kandidatëve. Ai është kryetar i partisë dhe e ka për detyrë të mbajë një qëndrim të paanshëm. Unë i kam bërë disa herë thirrje gjatë kësaj periudhe për një qëndrim të tillë". Kjo sjellje, shtoi Mustafaj, do të ishte edhe në të mirë të rritjes së autoritetit të tij para gjithë shoqërisë shqiptare e posaçërisht para demokratëve. "Emocionin e tij personal ndaj njërit apo tjetrit kandidat, Berisha kishte mundësi ta realizonte përmes votës së tij ditën e konferencës", u shpreh Mustafaj. Në deklaratën e tij, ish-ministri i Jashtëm theksoi se "jam në Partinë Demokratike qysh në sekondën e parë të ekzistencës së saj, njëherësh me Sali Berishën dhe nuk kam ardhur aty as në vitin ‘96 e as në vitin 2006. Pra, i njoh mirë të drejtat e mia dhe përpiqem të mos i tejkaloj ato". Mustafaj theksoi sakaq, se ka hyrë në këtë garë me bindjen se i shërben Partisë Demokratike duke ngjallur brenda saj debatin dhe konkurrencën e ndershme, si parametra që e ndihmojnë partinë të gjallërohet e të demokratizohet për të marrë më mirë përsipër përgjegjësinë e jashtëzakonshme të fushatës për zgjedhjet parlamentare. "Unë vazhdoj të jem në garë dhe do t‘i ndjek me vëmendje zhvillimet deri në fund, duke bërë të gjitha përpjekjet që më takojnë, me qëllim që procesi të ruajë sadopak standardet e garës. Në qoftë se do të krijoj bindjen se këto standarde nuk kapin minimumin e nevojshëm, do të marr vendimin e përshtatshëm. Kam hyrë në këtë garë për arsye parimore dhe jo klanore", përfundoi Mustafaj.