"Poli i Lirisë" nënshkruan pakt me ish të përndjekurit
Ish të përndjekurit shfaqin shenjat e largimit nga aleanca me Partinë Demokratike, duke u bashkuar me "Polin e Lirisë". Pas ish-pronarëve, që u bashkuan me Partinë Ligj dhe Drejtësi të Spartak Ngjelës, një tjetër shoqatë, ajo e ish të përndjekurve politikë, braktis Partinë Demokratike për t‘u bashkuar me partinë e Nard Ndokës. Përfaqësuesit e koalicionit politik parazgjedhor "Poli i Lirisë", shpallën bashkëpunimin me përfaqësuesit e shoqatave të ish të dënuarve politikë dhe partinë politike të krijuar prej tyre, "Rruga e Lirisë". Katër shoqata politike kanë shpallur bashkëpunimin me "Polin e Lirisë", ku ndër to veçohet Shoqata e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, me kryetar Kurt Kolën, Shoqata e Dëbim-Internimeve të Shqipërisë, me kryetar Abdurrahman Çekiçi, Shoqata e Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë të Shqipërisë, me kryetar Gjoç Gjoçi dhe Shoqata Familja dhe Media, kryetare Kozeta Zavalani. "18 vjet pas lëvizjes së guximshme të studentëve të Universitetit të Tiranës, Shqipërisë i duhet një lëvizje tjetër e fuqishme dhe e guximshme për t‘u shkëputur nga kjo kastë politike e dështuar, që u trashëgua nga regjimi i kaluar", thuhet në njoftimin për shtyp të PDK-së.