Berisha: Më 1 maj, rritja më e madhe e pagave dhe pensioneve
Kryeministri Berisha vijoi dje turin “Shqipëria po ndryshon” në qytetin e Kavajës, ku përuroi rrugën hyrëse të qytetit. Gjatë fjalës së tij qytetarëve vendas, kreu i qeverisë kërkoi votat për një mandat të dytë për koalicionin e djathtë, duke theksuar se vota për opozitën e kthen vendin mbrapa në kohë. “Unë kam bindjen se mençuria e shqiptarëve është e tillë, që midis ndryshimit bosh dhe ndryshimit me vepra, ndryshimit me fjalë dhe ndryshimit me rrugë, ndryshimit me mashtrime dhe ndryshimit me ura, shkolla, kopshte, ndryshimit me trillime dhe ndryshimit me rroga dhe pensione të larta, ndryshimit me fantazira dhe të anëtarësimit në NATO dhe kandidimit për në Bashkimin Evropian, shqiptarët atij ndryshimi do t’i thonë ndryshkim. Atij ndryshimi do t’i thonë kthim mbrapa. Majtas do të thotë kthim pas. Ora e shqiptarëve është orë e djathtë”, u shpreh kryeministri. Duke bërë një ekspoze të këtyre tre viteve qeverisje të maxhorancës së djathtë, kreu i qeverisë përmendi furnizimin me 24 orë energji elektrike, duke shtuar se kjo ka ardhur pasi është blerë energjia e nevojshme, pavarësisht çmimit të tij. Berisha tha se pjesë e ndryshimit që ai premtoi është edhe rritjen e rrogave dhe pensioneve nga 1 maji i këtij viti. “Unë ju informoj ju se në mënyrë absolute nuk ka qeveri tjetër që bën një rritje të tillë pensionesh. E kundërta po ndodh. Për shkak të klimës financiare dhe ekonomike, vende të tjera po ngrinë pagat dhe pensionet, ndërsa ne jo vetëm që nuk do t’i ngrimë, por në datën 1 maj do të bëjmë rritjen më të madhe në krahasim me katër vitet që shkuan. E prekin ndryshimin të gjithë pensionistët e fshatit, që më datë 1 maj i shohin të dyfishuara pensionet e tyre”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Gjatë fjalës së tij Berisha konfirmoi aplikimin së shpejti për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, si dhe u bëri sërish thirrje qytetarëve që të aplikojnë për marrjen e kartave të identitetit.