Rama apel për zgjedhjet: Procesi, i kompromentuar
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilësoi Kryeministrin Berisha si liderin e koalicionit të Gërdecit. Rama i është përgjigjur dje të gjitha akuzave që Kryeministri Berisha bëri dy ditë më parë gjatë një fjalimi për 18-vjetorin e fitores së PD-së në zgjedhjet e para pluraliste. “Dje, udhëheqësi i koalicionit të Gërdecit, që për hir të interesave duke folur për 22 marsin, ditën e shprehjes së fuqishme të vullnetit të shqiptarëve për t’u ndarë nga e kaluara, Berisha tregoi që është komunisti i fundit që ka ngelur në pushtet. Berisha tregoi edhe njëherë se në këto prag zgjedhjesh e çoi qeverinë e Gërdecit në greminë, ndërsa po i lë mandatuesit më të varfër se kurrë. Ditën kur populli i dha të drejtën Berishës të na udhëheqë në dritën e së ardhmes, ai del gënjen e tallet dhe thotë atë që nuk bën dhe bën atë që nuk thotë”, tha Rama. Kreu socialist Rama theksoi dje se, “njeriu që u zgjodh për të garantuar sot të ardhmen evropiane të shqiptarëve është bashkëfajtor për shumë të këqija, mes të cilave janë ato ku ai vrau, plagosi e varfëroi qytetarët e tij”. Kreu socialist iu rikthye sërish dje gjatë deklaratës së tij për shtyp çështjes së kartave të identitetit, duke i kërkuar kryeministrit të ushtrojë të drejtën kushtetuese për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore dhe pajisjen falas me karta të shtetasve pa pasaporta. “Ftesa ime për Kryeministrin e Shqipërisë, është që propozimin tonë ta shohë me sytë e njeriut që ka detyrën kushtetuese ta garantojë krejt infrastrukturën dhe standardet zgjedhore dhe ta kuptojë si mundësinë e vetme për shpëtimin e një procesi që sot është seriozisht i kompromentuar, për shkak të atij e të vetë atyre që e rrethojnë”, tha Rama. Sipas kryetarit të socialistëve, çmimi i kripur i kartave të identitetit është tentativa për të manipuluar zgjedhjet. “Sot i them Berishës se e drejta për t’u pajisur është e të gjithëve dhe shteti të garantojë me çdo kusht të drejtat e liritë njerëzore të çdonjërit”, tha Rama.