E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: PS e PR bllokojnë zgjedhjet

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje Partisë Socialiste dhe Partisë Republikane që të mos e bllokojnë më procesin e ngritjes së Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke iu drejtuar përfaqësuesit të PS-së në këtë institucion, Genci Gjonçajt, i kërkoi që të depozitojë sa më shpejt emrat e anëtarëve të KZAZ-ve. “Ne po bëjmë paralajmërimet, por deri tani nuk na kanë ardhur, prandaj zoti Gjonçaj kini parasysh se do të ketë kërkesa të tjera nga KQZ-ja”, deklaroi Ristani. Ndërsa mendohet se nëse ky afat shkelet, KQZ-ja të kërkojë edhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për të zgjidhur këtë situatë ngërçi. Data 27 mars është afati i fundit i ngritjes së KZAZ-ve, por kur kanë mbetur edhe katër ditë, dy nga katër partitë që gëzojnë të drejtën e anëtarëve nuk i kanë paraqitur emrat e tyre. Sipas Ristanit, PS-ja dhe PR-ja kanë shkelur afatet kohore për propozimet e tyre, pasi afati i fundit ishte data 13 mars. Ai shtoi se pa konstituimin e këtyre komisioneve nuk mund të nisë puna për përgatitjen e zgjedhjeve. Ndërsa përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, ka deklaruar se brenda dy-tre ditëve do të depozitohen të gjithë emrat e anëtarëve socialistë në këto komisione. Në të gjithë vendin janë gjithsej 66 KZAZ me nga 7 anëtarë gjithsej, të cilët ngrihen me propozimet e katër partive parlamentare, PS, PR, PD dhe PSD. Demokratët dhe socialdemokratët i kanë depozituar emrat e anëtarëve. KZAZ përbëhen me nga shtatë anëtarë, ku drejtimi i tyre është ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet së majtës dhe së djathtës. Gjysma e KZAZ-ve do të jenë me kryetar të propozuar nga PD-ja, ndërsa në 33 të tjerat do të kenë kryetar të propozuar nga PS-ja. Socialistët në këto komisione përfaqësohen me 2 ose me 3 anëtarë, ndërsa PR-ja me nga 1 anëtar.
Udhëzimi për Policinë
KQZ-ja miratoi me konsensus udhëzimin “Për detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të Ushtrisë në zgjedhjet për Kuvendin 2009”. Për pikën 4 të nenit 3 të këtij udhëzimi, nënkryetarja Dëshira Subashi ka kërkuar që në rast se do të vihen në përdorim forcat komando apo forca të tjera të ushtrisë për arsye madhore, KQZ-ja duhet të njoftohej 10 ditë përpara për këtë urdhër. Nënkryetarja e KQZ-së e lidhi këtë me faktin se duhej të njoftoheshin për një veprim të tillë, edhe pse e hodhi si një propozim alternativ. Në pikën 4 të këtij neni theksohet se, “ndalohet përdorimi i forcave komando dhe forcave të tjera të ushtrisë gjatë periudhës zgjedhore, përveçse me urdhër me shkrim të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, kur këto forca nevojiten për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, ose në zëvendësim të punonjësve të Policisë së Objekteve. Kopje e urdhrit me shkrim i dërgohet menjëherë KQZ-së”. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani propozoi një afat 5-ditor, i cili u miratua me konsensus. Policia speciale dhe forcat komando, SHISH, agjentët antikrim nuk do të përfshihen në zgjedhje. Vetëm punonjësit e policisë së ruajtjes së objekteve pritet të angazhohen në votimet e 28 qershorit. Po dje u miratua edhe udhëzimi për përcaktimin e rregullave që duhet të ndiqen nga kryetarët e njësive vendore për numërimin e zonave të qendrave të votimit në mënyre unike në shkallë vendi. Numërimi i zonës së qendrës së votimit do të bëhet me anë të një numri katërshifror. Në të gjithë Shqipërinë parashikohet që të ngrihen 4724 KQV. Numri i fundit i KQV do të jetë në komunën Xarë.

Institucionet

    Miratohet udhëzimi për detyrat e policisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009

    Në të policia dhe ushtria për çdo veprim të sajin për forcat speciale dhe komando duhet të njoftojë KQZ-në 5 ditë përpara

    Miratohet udhëzimi për sistemin unik të Komisioneve të Qendrave të Votimit

    Numërimi i zonës së qendrës së votimit do të bëhet me anë të një numri katërshifror, që nis nga KQV 0001 të Gruemirës dhe përfundon në komunën Xarë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›