E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Më 15 Dhjetor, shqiptarët të lirë të udhëtojnë në BE, protestat e bllokmenëve s’penguan dot vizat

13-12-2010 / Gazeta 55

UPDATE- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se data 15 dhjetor kur hyn në fuqi edhe vendimi për të lëvizur lirshëm në vendet e zonës “Schengen” do të jetë dita e dinjitetit intelektual të shqiptarëve. Duke folur në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike kreu i qeverisë Berisha theksoi se liberalizimi i vizave u bë e mundur si pasojë e përpjekjeve serioze dhe reformat më të suksesshme që sipas tij shembën çdo lloj paragjykimi, duke i hapur rrugë kështu procesit të heqjes së regjimit të vizave. “Kjo datë e shënuar u bë e mundur me përpjekjet dhe reformat më të suksesshme që shembën çdo lloj paragjykimi diku të drejtë.. e diku të padrejtë. Simbolika e datës 15 hyn në historinë dhe jetën e gjithë secilit si një nga datat më të shënuara krahas datave më të shënuara që ka njeriu”- theksoi Berisha. Ai gjithashtu akuzoi kreun e Partisë Socialiste Edi Rama se ka bërë çdo përpjekje për të penguar liberalizimin e vizave për të shqiptarët dhe për t’i mbyllur vizat në kuti. Duke i konsideruar si “grusht bllokmenësh të ri” kryeministri akuzoi opozitën dhe kryetarin e PS se është përpjekur në qarqet ndërkombëtare për të ndaluar liberalizimin e vizave si dhe për të mashtruar qytetarët. Për kreun e mazhorancës “greva e urisë” fushatën e ndërmarrë “hap kutitë të lirosh vizat” dhe protesta e nesërme janë përpjekje të dështuara të opozitës për të ndaluar liberalizimin e vizave. “Pasnesër shqiptarët nisin të lirë në mbarë europën, bllokmenët e ri nesër protestojnë. Le të protestojnë sa të duan shqiptarët do të lëvizin të lirë në mbarë Europën se kjo është vepra e reformave tona të thella e të gjithanshme”- vuri në dukje kryeministri. Berisha shtoi se qeveria garanton vendet “Schengen” se do të bëjë çdo përpjekje për të penguar abuzimin me vizat. Ai gjithashtu u shpreh optimist se shqiptarët me dinjitetin më të madh do të qëndrojnë përpara këtij vendimi dhe në mënyrën më të qytetëruar do të sillen ndaj tij pa i lejuar vetes as edhe abuzimin më të vogël. “Këto vende hapin dyert për ne. Na takon neve të qëndrojmë në lartësinë e moralit dhe përgjegjësisë tonë të shmangim cdo lloj abuzimi”- tha më tej kryeministri Sali Berisha.


Fakti/Shqiptarët do udhëtojnë pa viza në BE – Të enjten hyn në fuqi vendimi për lëvizjen e lirë

Liberalizimi i vizave për Shqipërinë me vendet e Bashkimit Evropian, në formën ligjore të saj nis në datën 15 dhjetor të 2010-ës. Duke filluar nga e dita e Mërkurë e kësaj jave, të gjithë qytetarët shqiptarë do kenë mundësi të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Na ndajnë vetëm tre ditë kur do vihet në zbatim ky vendim që nga momenti historik, dita e rifitimit të dinjitetit evropian të shqiptarëve dhe dita që çmontoi njëherë e përgjithmonë zinxhirët e të kaluarës izoluese, anembanë vendit. Qytetarët duken të ekzaltuar për këtë. Në mënyrë të veçantë ky rezultat impresionues për Shqipërinë dhe shqiptarët erdhi falë punës dhe përkushtimit reformator të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha dhe mazhorancës në tërësi. Sigurisht që liberalizimi i vizave është një arritje domethënëse, por ajo që rrezikoi disa herë procesin ishte sjellja e pahijshme e opozitës së Edi Ramës, duke bojkotuar punimet e Kuvendit të Shqipërisë në vend që të votoheshin ligjet dhe aktet nënligjore, të cilat lidheshin direkt me proceset integruese, siç është liberalizimi i vizave. Por edhe lëvizja e lirë ka rregullat e saj, të cilat në mënyrë kategorike s’duhet të shkelen. Bashkimi Evropian parashikon masa drastike ndaj shkelësve deri në një masë pezulluese 5- vjeçare në të gjitha vendet e BE-së.

Festat e fundvitit, destinacionet kryesore të shqiptarëve, Greqia dhe Italia/Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Sadik Malaj, në një prononcim për “55”-ën deklaroi se falë vendimit për udhëtimin pa viza në BE, qytetarët shqiptarë pritet të krijojnë tendenca të reja të daljeve turistike. Sipas tij, gjeografia e lëvizjeve turistike të shqiptarëve nuk do jetë e njëjta me atë të një viti më parë. “Parashikimet tona për të ardhmen, pas liberalizimit të vizave për shqiptarët bëjnë të mundur që turizmi “outgoing” apo që daljet turistike të shqiptarëve të rriten rreth 43% më shumë se daljet turistike, përqindje e cila do të jetë më e madhe në vendet e Bashkimit Europian (vendet ‘Shengen’), nga rreth 15% që ka qenë për vitin 2010”- tha ai. Destinacionet më të kërkuara nga qytetarët shqiptarë, për të udhëtuar për festat e fundvitit, janë Greqia dhe Italia, fqinjët tanë që kanë dhe numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë. Operatorët  e agjencive turistike  kanë riparë ofertat turistike të fundvitit, pasi kërkesat kanë njohur rritje të ndjeshme të kërkesave të qytetarëve për të udhëtuar nëpër zonat “shengen”. Këta Operatorë premtojnë ulje me rreth 20% të çmimeve si për biletat, ashtu edhe për paketat turistike. Shitjet më të mëdha kanë qenë veçanërisht  për biletat e autobusëve. Sipas agjencive, duke qenë se pjesa më e madhe e njerëzve do të udhëtojnë në grup, kryesisht pjesëtar të të njëjtës familje, udhëtimi me autobus është më i leverdisshëm. Një biletë vajtje-ardhje për një person për në shtetin helen kushton rreth 50 euro, nëse do të zgjidhej të udhëtohej me avion çmimi i një bilete vajtje-ardhje shkon rreth 200 euro. Agjencitë thonë se po vihet re dhe një tjetër fenomen, atë që kreun e listës së udhëtarëve për festat e fundvitit, po e kryesojnë personat me një moshë mesatare 50 vjeç apo edhe më të moshuar. Përsa i përket transportit ajror sipas kompanive të shitjes së biletave, prenotimet janë për data më të vona. Kryesisht prenotimet fillojnë nga data 25 dhjetor. Kompanitë e udhëtimit ishin të përgatitura për këtë shtim të numrit të udhëtarëve. Sinjalet e para u dhanë që një ditë pas marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, kur kompanitë morën edhe një paralajmërim nga qeveria se do të penalizohen nëse do të ndikojnë në organizimin e udhëtimeve që bien ndesh me ligjet, për të shmangur kështu shkeljen e rregullave të “Schengen”-it.


E.T

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›