E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Më jepni edhe një mandat të përfundoj rrugët

 

Më jepni edhe një mandat dhe qeveria do të përfundojë të gjitha akset kryesore rrugore të vendit. Premtimi elektoral dhe shpallja e tenderëve dhe rrugëve të reja, është bërë dje nga Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Në një fjalim të gjatë para ministrave, Berisha ka renditur të gjitha akset kryesore të vendit që do të ndërtohen gjatë tre viteve të ardhshme. “Ky mandat dhe së paku dy vitet e para të mandatit tjetër, në rast se shqiptarët do të votojnë këtë maxhorancë, rrugët do të jenë axhenda madhore e kësaj qeverie. Ne kemi përqendruar dhe do të përqendrojmë të gjitha potencialet për përfundimin sa më shpejt të tyre”.
Ndër rrugët që bien më shumë në sy është zgjatimi i autostradës. Kështu është menduar që rruga nga Plepat deri në Rrogozhinë të shtohet edhe me dy korsi të tjera. Bëhet fjalë për rrugën që në shumicën e kohës ka një trafik të ngjeshur. Kjo rrugë do të jetë pjesë e autostradës Durrës-Kukës deri në Vlorë. Kjo është arsyeja që edhe rruga nga Fushë-Kruja deri në Milot, parashikohet të shtohet me dy korsi të tjera.
Fushë Krujë-Milot
Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Rrugëve kanë përfunduar projektin. Lotet nuk do të jenë më të gjata se 4 kilometra, përveç rasteve të veçanta. Kjo, sepse favorizon shumë shkurtimin e kohës së ndërtimit. “Me këtë prokurim dhe angazhimin e të gjitha burimeve financiare për të përfunduar në kohë sa më të shkurtër këtë autostradë e rreziqeve të mëdha, e shndërrojmë në një autostradë normale”.
Kavajë-Rrogozhinë
“Do të tenderohet për 4 korsi by pass-i Plepave-Kavajë-Rrogozhinë, e cila në gjendjen aktuale është e pakonceptueshme. Pavarësisht nga rrugët e tjera që do të ndërtohen, si rruga Fushë Krujë-Rrogozhinë, sërish arteria kryesore e vendit mbetet Morinë-Vlorë, e cila duhet gjithashtu të jetë në 4 korsi”.
Korçë-Qafë Thanë
Sipas Berishës, varianti më i mirë i rrugës është Qafë Plloçë-Guri Kamjes-Propisht-Qukës, duke i rënë buzë Shkumbinit. Kjo rrugë shkurton distancën së paku me 27 kilometra. Rruga do të kalojë nëpër Mokër, do të zbresë në Qukës dhe përveç Gurit të Kamjes që është në lartësinë e Qafë-Thanës, i gjithë sektori tjetër është në lartësi krahasimisht më të ulët sesa trajektorja që do të lidhte Qafë-Plloçën me Qafë-Thanën. “Zbritja e saj buzë Shkumbinit e bën rrugën të një cilësie krejt tjetër. Këtu ndiqet mençuria romake, Egnatia, që i ka gjurmët dhe urat. Edhe në rast se do të ketë nevojë për ndonjë tunel, ne do ta bëjmë atë, për të përzgjedhur trajektoren më të madhe”.
Rruga e Arbrit
Eshtë gati kontraktimi i lotit tjetër Bulqizë-Klos. Sapo të përfundojë projekti tërësor i pjesës më të afërt me Tiranën, do të tenderohet dhe do të fillojë ndërtimi nga shkalla e Tujanit. “Për këtë rrugë ka pasur një vështirësi të madhe, për shkak të një ure gjatë saj, me lartësi 150 metra, çka bëri që në tenderin e parë, projekti për këtë segment të mos merrej përsipër. Ne kemi bërë përpjekje që kompani projektuese të mëdha të marrin përsipër projektimin e kësaj ure, e cila do të jetë ura më e lartë në Shqipëri dhe një nga më të lartat në rajon”.
Boshti i Jugut
“Boshti i Jugut është në studimin e dytë të fizibilitetit dhe uroj që të dalë fizibël, në të kundërt do të ndërmarrim një të tretë. Ky bosht shkurton distancën e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Sarandës dhe Delvinës së paku me 70 kilometra. Edhe rrugët Kuçovë-Belsh-Cërrik janë përafërsisht trajektorja e tij nga Berati”.

Rrugët që do përfundojnë

Autostrada Fushë Krujë-Milot
Pjesë e korridorit Durrës-Kukës. Do të jetë një devijim i autostradës Tiranë-Durrës dhe do të bashkohet me autostradën e Kukësit në Milot. Pjesa që po ndërtohet aktualisht dhe tuneli kanë 4 korsi.

Autostrada e Plepave-Kavajë-Rrogozhinë
Vazhdim i rrugës Kukës-Vlorë. Aktualisht segmenti Durrës-Rrogozhinë është me dy korsi dhe pritet të shtohen edhe dy korsi. Pjesa tjetër, Rrogozhinë-Vlorë, po ndërtohet me katër korsi.

Autostrada Korçë-Qafë Thanë
Vazhdim i rrugës Rrogozhinë-Qafë Thanë. Segmenti tjetër Qafë Plloçë-Korçë po ndërtohet. Eshtë menduar shmangja e rrugës buzë liqenit dhe ngjitja në Qafë-Thanë. Mendohet që segmenti të kalojë nga Qafë Plloça-Guri i Kamjes-Propisht-Qukës buzë Shkumbinit. Parashikohet ndërtimi edhe i një tuneli.

Rruga e Arbrit
Për këtë rrugë do të kontraktohet loti tjetër Bulqizë-Klos. Sapo të përfundojë projekti tërësor i pjesës më të afërt me Tiranën, do të tenderohet dhe do të fillojë ndërtimi nga shkalla e Tujanit. Problem ngelet një urë 150 metra e lartë, për të cilën do kontraktohet një kompani e huaj.

Rruga e Bregut dhe Delvinës
Ka përfunduar projekti për rrugën Delvinë-Kardhiq dhe do të fillojnë punimet. Sikundër duhet të projektohet by pass-i i Shën Vasilit. Janë hapur tenderat për të gjitha segmentet e rrugës së Bregut. Përfundojnë në maj 2009.

Rrugët e tjera
Ndërtim i rrugës Kuçovë-Belsh-Cërrik
Ndërtim i rrugës Pajovë-Shezë-Pekisht-Belsh
Ndërtim i rrugës Himarë-Potam
Ndërtim i rrugës Përroi i Zaranikës në Elbasan, rruga e Gjinarit- Stërblev-Peshkopi
Është hapur tenderi për rrugën e Voskopojës
Sistemim dhe asfaltim i rrugës Vau i Dejës-Koman
Sistemim dhe asfaltim i rrugës Fushë Arrëz-Iballë
Sistemim dhe asfaltim i rrugës Fushë Krujë-Krujë
Sistemim dhe asfaltim i rrugës Klos-Bulqizë
Sistemim dhe asfaltim i rrugës Bujan-Ura e Fierzës dhe Fierzë-zona e tragetit
Projekti i rrugës Kuç-Borsh dhe Fterë-Borsh
Projekti i rrugës që bashkon Valbonën me Thethin
Rrugët hyrëse të qyteteve të tjera si Beratit, Kavajës, Sarandës, Fierit dhe Ura e Mbrostarit
Rruga Fierzë-Lekbibaj

Më në fund, hidrocentrali i Ashtës

Vepra energjetike e Ashtës, ose e Bushatit, ka më shumë se 18 vite që nuk ndërtohet. Dje qeveria vendosi të miratojë kontratën e hidrocentralit me “Osterreichische Elektrizitatswirtschafts – Aktiengesellschaft”. Ky hidrocentral, sipas Berishës, për arsye ekologjike nuk do të quhet më i Bushatit. “Me synim mbrojtjen e ekosistemit të Bunës, të Drinit dhe të gjithë zonës, është vendosur që ky hidrocentral, ndër më efecientët që mund të ndërtohet për shkak të kaskadës që ka, të ndërtohet mbi bazën e teknologjisë që jep mundësi të merret një sasi prej rreth 50 megavat energji, por duke respektuar plotësisht mjedisin dhe duke mos kërcënuar as fryrjet e tepërta të liqenit, apo mbi lagështi të Bushatit dhe zonave përreth”. Në mbledhje u miratuan vendimet përkatëse për kontratat e koncesionit dhe për një seri hidrocentralesh, të cilat kjo shoqëri, ndër më të mirat në Evropë, do të ndërtojë me shoqëritë shqiptare, si hidrocentrali “Bishnica 1”, “Bishnica 2”, “Holta Kabash” dhe “Holta Poroçan”. Kryeministri vlerësoi se këto projekte janë një shembull i qartë se kompani të mëdha ndërkombëtare po punojnë në Shqipëri dhe po bashkëpunojnë me shoqëri shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›