Ndoka: Berisha duhet të ikë, përgjegjës për skandalet
Kryetari i PDK-së siguroi se janë të gatshëm të votojnë një kryeministër të ri nga e djathta
TIRANË - Dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha nuk e kërkon vetëm Partia Socialiste, por edhe një nga partitë e koalicionit qeveritar, demokristianët. Pas një mbledhjeje të gjatë të kryesisë së PDK-së, Kryetari i saj, Nard Ndoka, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Sipas PDK-së, Berisha është përgjegjësi kryesor për gjendjen e krijuar dhe një pengesë serioze për vazhdimin e qeverisjes demokratike dhe, rrjedhimisht, edhe për fitoren në zgjedhjet e ardhshme të koalicionit të djathtë. “Ne nuk e konsiderojmë z.Berisha fajtor, përderisa akuzat që i bëhen atij dhe rrethittë tij familjar të vërtetohen vetëm nga organet e drejtësisë shqiptare, por ne e konsiderojmë atë përgjegjës politik për skandalet politike, për prishjen e imazhit të qeverisjes dhe mosfunksionimin e koalicionit qeverisës, shkeljen e kontratës politike me zgjedhësit dhe për ftohjen në rritje të klimës së besimit midis mazhorancës së djathtë dhe aleatëve tanë strategjikë, SHBA-ja dhe BE-ja. Ne e ftojmë z.Berisha të heqë dorë nga taktikat e mbajtjes peng të jetës parlamentare dhe qeverisjes për interesa të tij, kryesisht, personale. Skandalet e Gërdecit dhe Fazlliçit, nuk janë skandale të mazhorancës, por janë nominale me emra dhe përgjegjës konkretë”, - tha dje Ndoka, pas mbledhjes së kryesisë, nga e cila u miratua edhe një rezolutë prej disa pikash, ku shpjegohen arsyet se pse Berisha duhet të japë dorëheqjen. Ndoka sqaroi se e djathta duhet të vazhdojë reformat dhe se brenda saj ka potenciale të afta për marrjen e përgjegjësive.“Kryesia e PDK-së vendosi të mbështesë çdo kryeministër tjetër të propozuar nga Partia Demokratike, si partia më e madhe e koalicionit të djathtë. PDK-ja vendosi gjithashtu se, pavarësisht nga emri i kryeministrit të ri, ne nuk do të jemi pjesë e kabinetit të tij, por do ta votojmë atë në çdo nismë parlamentare dhe vendimmarrje të rëndësishme politike”, - tha ai.