E Shtunë, 31 Tetor 2026

Widhers-Berishës: Ndërhyrjet e qeverisë, reale

 

Ambasadori amerikan i jep leksione demokracie kryeministrit Berisha: “Demokracia nuk është parullë”

TIRANË - Dita e djeshme rezervoi përballjen e Kryeministrit Sali Berisha me Ambasadorin e Amerikës, Xhon Withers ku, ky i fundit, sërish nuk kurseu kritikat dhe shqetësimin për cënimin e pavarësisë së Prokurorisë nga përpjekjet dominuese të ekzekutivit. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së dytë të Prag Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, ambasadori amerikan Withers, për të dytën ditë radhazi, ka folur hapur pa “dorashka”, duke ia përplasur në “fytyrë” kryeministrit Berisha shqetësimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për praktikat që po ndjek qeveria shqiptare, sidomos në raport me institucionin e Prokurorisë. Duke marrë shkas pikërisht nga reagimet aspak pozitive që përfaqësuesit e lartë të mazhorancës bënë pas deklaratës së tij të një dite më parë në ambientet e prokurorisë, Withers është shprehur se, shqetësimi i tij ka qenë i bazuar në realitet. “Kam shprehur shqetësime në lidhje me zhvillimet e fundit këtu në Shqipëri. Disa herë më kanë thënë, deri edhe dje në mbrëmje, se shqetësimet e mia bazohen mbi keqkuptime të asaj çka ndodh këtu. Do të doja t’ua bëj të qartë atyre personave që, ne, amerikanët, e dimë se si funksionon një sistem demokratik. Shqetësimet e mia, dhe shqetësimet e qeverisë sime, nuk bazohen mbi keqkuptime. Ato bazohen mbi realitete”, - tha Withers. Ndërkohë ai nuk ka nguruar të sjellë dhe momentet dhe veprimet, ku ky shqetësim është bazuar, duke veçuar në këtë rast sulmet që Ministri i Drejtësisë dhe ai i Brendshëm, bënë gati një javë më parë ndaj institucionit të Prokurorisë për hapat procedurialë hetimorë, që kjo e fundit kishte ndërmarrë ndaj sekserit serbo-boshnjak Damir Fazlliç. “Veprimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme fundjavën e kaluar, janë shqetësuese, sepse janë reale”, - tha Withers. Gjithashtu, ai ka vlerësuar si jolegjitime dhe të paarsyetuar lëvizjen e kryeministrit Berisha, për të ndërmarrë një hetim parlamentar ndaj procedurave hetimore që ka ndjekur prokuroria ndaj kësaj çështjeje, apo edhe ndërmarrjen e një hetimi ndërkombëtar mbi aktivitetin që Fazlliçi ka kryer në Shqipëri. “Lëvizjet në Parlament, edhe sot, për një hetim mbi funksionimin e Prokurores së Përgjithshme për kurrfarë arsyeje legjitime, janë shqetësuese sepse janë reale. Këto janë ngjarje që qeveria ime dhe unë do t’i ndjekim nga afër dhe do të jemi seriozë në lidhje me to”, - theksoi Withers. Në këtë linjë, ai ka kritikuar edhe nismën e qeverisë për projektligjin për administratën gjyqësore, duke vlerësuar se ai sanksionon ndërhyrjen e ekzekutivit në të drejtat e gjykatave. “Ligji për administratën gjyqësore që ndërhyn në autoritetet dhe të drejtat e gjykatës, dhe që aktualisht ndodhet para Parlamentit, është shqetësues sepse është real”, - tha Withers. Në fjalën e mbajtur për këtë rast, Ambasadori Amerikan, duke marrë shkas pikërisht nga konflikti mes institucioneve, ka përfituar nga prania e drejtuesve kryesorë të partive dhe institucioneve në vend, për t’i dhënë leksione demokracie klasës politike shqiptare dhe për të dhënë mesazhin e qartë se, pavarësia e pushteteve, mbetet parimi themelor i vendeve demokratike. “Demokracia, jo me fjalë, por me vepra, është themeli thelbësor i asaj që duam të arrijmë këtu. Për amerikanët, demokracia është diçka shumë serioze. Nuk është një parullë, nuk është një klishe, nuk është as një moto. Nuk është diçka sipas ngesë. Nuk është me kohë të pjesshme. Nuk është diçka që mund të lëvdohet sipas tekave të zyrtarëve, kur është e volitshme për ta që ta bëjnë këtë”, - shtoi Withers, duke evidentuar faktin se SHBA-të presin standarde më të larta nga Shqipëria. Ai u ka kujtuar politikanëve tanë se, kur qeveria amerikane e ftoi Shqipërinë të bëhej anëtare e NATO-s në prill, pritshmëria e saj ishte që Shqipëria do të përmbushte standardet më të larta të demokracisë. “Kur muajin e kaluar, Senati i SHBA-së ratifikoi protokollet e NATO-s për Shqipërinë, pritshmëria e tij ishte që Shqipëria do të kishte një përkushtim të pandryshueshëm dhe të pakthyeshëm ndaj demokracisë”, - theksoi Withers.

F.Braushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›