Berisha kundër ndërkombëtarëve: Nuk kemi ndërhyrë tek drejtësia
Kryeministri replikon me qëndrimin e fundit të ndërkombëtarëve. “E kam merak pavarësinë”
TIRANË - Për kryeministrin Sali Berisha, duket se nuk ka kthim pas. Edhe pse ndërkombëtarët e kanë denoncuar ashpër ndërhyrjen e qeverisë në punët e gjyqësorit, kryeministri Sali Berisha, në prani të Ambasadorit amerikan, Xhon Uidhers, ka deklaruar dje (gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së dytë Prag të Koorporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së) se qeveria është e përkushtuar në pavarësinë e institucioneve. Kreu i ekzekutivit ka shpërfillur deri më sot reagimet që vijnë nga të gjitha anët, për të deklaruar për të disatën herë se, qeveria e tij po punon në mënyrë të palëkundur për të siguruar pavarësinë e institucioneve, edhe pse në fakt, me lëvizjet e fundit nga ana e qeverisë, po vërtetohet krejt e kundërta.“Dua të garantoj se qeveria ka një përkushtim të plotë dhe absolut për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera në tërësi. Është pikëpamje e palëkundur e imja dhe e qeverisë time se, rrënues kryesor i pavarësisë së tyre, është korrupsioni dhe se lufta kundër korrupsionit në këto institucione, është kusht vendimtar që ata të gëzojnë pavarësinë kushtetuese ligjore që meritojnë dhe të përmbushin me dinjitet një mision të pazëvendësueshëm, shtyllë kryesore në një sistem demokratik”, - tha dje Berisha. Ai shtoi se; “askush nuk mund të pretendojë se ka bërë detyrën, duke mos parë në kopshtin e tij”. Kryeministri shtoi se, drejtësia shqiptare ka hapur një kapitull të ri, duke kaluar nga mosdënimi në dënim. “Natyrisht, të gjithë ata gjykatës apo prokurorë, në 10 apo 12 vite nuk janë përballur me ligjin, pavarësisht veprës që kanë kryer. Kjo çështje mbetet për t’u zgjidhur dhe do të zgjidhet nëpërmjet reformave”, - tha ai. Ndërkohë, dje u firmos marrëveshja e dytë e Prag Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, me një vlerë prej 15.7 milionë dollarësh.