Bankat shqiptare jo në rrezik
Eduard Zaloshnja
Bankat kudo në botë mund të falimentojnë për dy arsye kryesore. E para arsye është se ato mund të kenë në portofolin e tyre shumë kredi të këqija. Pra, kredi që ose nuk kanë fare shanse të kthehen, ose që vlera e kolateralit të hipotekuar si peng për to ka rënë poshtë vlerës së principalit të dhënë borxh (p.sh. vlera e një shtëpie në treg mund të ketë rënë aq shumë sa nuk mbulon dot as sasinë e marrë kredi nga banka për ta blerë atë). Kjo arsye e parë mund të quhet një arsye objektive e falimentimit të bankave. Ndërsa arsyeja e dytë është subjektive - ajo ekziston vetëm në mendjet e njerëzve që depozitojnë para në banka. Në mënyrë koncize ajo mund të përmblidhet me fjalën panik.
Një bankë mund të ketë bërë një menaxhim shumë të mirë të depozitave të publikut, pra, ajo mund të ketë një portofol pa kredi të këqija, e megjithatë mund të falimentojë në qoftë se një mase të madhe të depozitarëve të saj i hyn paniku. Mjafton që të përhapen zëra se banka mund të ketë probleme, dhe paniku fillon përhapet si zjarri në pyll në një ditë zhegu. Gjëja që ndodh si rrjedhim është turrja në masë e depozitarëve para sporteleve të bankës, e cila zakonisht ka në rezervë vetëm një fraksion të depozitave. Kjo, sepse banka merr depozita nga publiku për t’i vënë ato në punë, e jo për t’i mbajtur të vdekura në kasafortat e veta. Dhe kur banka fillon të ketë vështirësi për t’i dhënë paratë depozitarëve që paraqiten në sportelet e saj për të tërhequr depozitat e tyre, paniku vetëm shtohet tek depozitarët e tjerë, që përndryshe nuk do kishin ndërmend t’i tërhiqnin paratë nga banka.
Në Shqipëri, aktualisht nuk janë parë simptomat e një paniku ndër depozitarët. Por me shpërthimin e krizës së sistemit bankar në Amerikë dhe Evropë, zëra janë përhapur se kriza mund të vijë edhe në Shqipëri. Kuptohet që këto zëra nuk janë fare të bazuara, sepse bankat tona nuk kanë investuar fare në tregun imobiliar amerikan apo të ndonjë vendi tjetër. Por në rastin e histerisë kolektive, nuk ka shumë rëndësi sesi është e vërteta - rëndësi ka ç’thotë komshiu, miku, apo kushëriri.
Fenomeni i histerisë kolektive është studiuar në fillim të viteve ’50 nga profesori i psikologjisë sociale Solomon Asch, i cili zhvilloi një eksperiment të thjeshtë në Universitetin Princeton për të demonstruar se sa ndikon opinioni i njerëzve të tjerë tek individi. Eksperimenti konsistonte në futjen e tridhjetë individëve në një dhomë ku iu tregoheshin çifte vijash vertikale, të cilat ishin dukshëm të ndryshme në gjatësi nga njëra-tjetra, me përjashtim të njërit çift, që kishte vija me gjatësi identike. Secilit pjesëmarrës i kërkohej të jepte opinionin e tij se cili ishte çifti i vijave me gjatësi të barabartë, ndërkohë që të gjithë përveç personit të fundit (i cili ishte në fakt subjekti real i eksperimentit) ishin instruktuar fshehtazi paraprakisht që të zgjidhnin të njëjtin çift të gabuar.
Dhe pas përsëritjes së këtij eksperimenti me shumë grupe të ndryshme njerëzish, Asch zbuloi se në 33% të rasteve, individët i besuan më tepër opinionit qartësisht të gabuar të njerëzve përreth se sa syve të tyre. Ky rezultat spektakolar përdoret shpesh në psikologjinë sociale për të shpjeguar fenomene të tipit ortek në fushën e investimeve, në politikë, në modën e veshjeve, etj., të cilat nuk i kanë munguar as historisë botërore dhe as asaj shqiptare. Disa shembuj: histeria spekulative e blerjes së fidanëve të zambakëve në Holandën e shekullit XVIII; blerja masive e aksioneve në bursën amerikane në vitin 1929; përhapja si vetëtimë e modës së pantallonave me fund të gjerë në fillim të viteve ’70; ethet e investimit në skemat piramidale shqiptare në vitet 1996-‘97; dhe suksesi i jashtëzakonshëm i kandidatit demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama, pas fitores së papritur në Iowa në fillim të këtij viti.
Pikërisht për t’i bërë parapritë një paniku kolektiv të depozitarëve shqiptarë, Banka e Shqipërisë ka bërë një punë të mirë për t’i shpjeguar publikut gjendjen aktuale të bankave që operojnë në Shqipëri. Kohët e fundit zyrtarë të lartë të saj, duke filluar nga Guvernatori Fullani, kanë shpjeguar se aktualisht nuk evidentohet ndonjë rrezik, i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Sipas zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe likuid, duke respektuar kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës. Kështu, në fund të qershorit 2008, portofoli i kredive të sektorit bankar arriti në 43% të totalit të depozitave të aktiveve, ndërsa investimet në letra me vlerë arritën në rreth 19% të totalit të aktiveve. Pra, me fjalë të tjera, vetëm 62% e totalit të parave të bankave ka dalë jashtë sistemit të tyre. Kjo tregon se bankat tona kanë një jastëk 38 përqindësh ku mund ta mbështesin të qeta kokën e tyre.