E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari i takimit të Trebickës me Shkëlzen Berishën

Nga Tema

Zbardhet më në fund misteri i dëshmitarit që ka qenë në takimin mes Kosta Trebickës dhe Shkëlzen Berishës. Allmuça, ortak i Selmanllarit në një kompani ndërtimi, që synojnë kryesisht tokat e familjes Vlora në bregdetin jugor, dëshmon se si ka takuar djalin e kryeministrit me Kosta Trebickën. Allmuça, duke përdorur emrin e Shkëlzen Berishës, ka arritur të përfitojë kontrata të majme me tokat në bregdetin e Vlorës përmes ndihmës për t’iu kthyer pronarëve ish-pronat e tyre.

Disa nga ortakët në këto pronësi nuk kanë pranuar pazaret e ofruara për përqindje dhe kjo rrezikon që çështjet e kthimit të këtyre pronave të përfundojnë në procese gjyqësore, ku mund të dalin sërish lidhje interesante mes Allmuçës, Selmanllarit dhe Shkëlzen Berishës.

Më poshtë vijon dëshmia e Allmuçës. Ai tregon se takimin e kanë bërë në makinën e tij. Allmuça deklaron se, për shkak se e njihte Shkëlzen Berishën, por edhe Trebickën, kishte premtuar të realizonte një takim mes tyre. Allmuça thotë se nuk mban mend shumë detaje nga biseda, por thotë se ata të dy duket se nuk njiheshin. Allmuça deklaron se është pronar i së njëjtës firmë, ku ortak është Rrahman Selmanllari.

Disa kohë para se të vdiste, Kosta Trebicka deklaroi se Efraim Diveroli, tashmë me zëvendësin e tij ishin kërcënuar në një nga banesat e Tiranës nga Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe një person i tretë që deklaronte se ishte djalë i kryeministrit Berisha.

Për deklarime nga persona që tregojnë rrethanat e hetimit

Në Tiranë, sot, më datë 12 maj 2008, ora 10:00, unë, Ardian Çipa, me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore, në prezencë të prokurorëve Sokol Stojani dhe Alfred Progonati, të gjithë në përbërje të grupit të hetimit të ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme për hetimin e procedimit penal nr. 918, të vitit 2008, të regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe në mbështetje të nenit 312, të K. Pr. Penale, mbaj këtë procesverbal për pasqyrimin e të dhënave të deklaruara nga shtetasi Albert Allmuça, pasi është personi që ka dijeni për rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit të procedimit penal nr. 918/2008.

Pasi iu shpjeguan nenet 155 deri 160 të K. Pr. Penale, të cilat kanë të bëjnë me rregullat e dëshmisë, shtetasit Albert Allmuça iu kërkua të tregojë gjithçka di për rrethanat e ngjarjes, personin të cilit i atribuohet vepra penale dhe fakte të tjera në interes të hetimit.

Personi u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka, nëse bën deklarim të rremë para prokurorit dhe oficerit të Policisë Gjyqësore, duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht apo pjesërisht të rreme, apo fsheh fakte ose prova, në bazë të neneve 305/a dhe 305/b të K. Penal.

Me vullnetin e tij të lirë, shtetasi Albert Allmuça deklaron se:

Kam gjeneralitetet dhe adresën e mësipërme dhe merrem me aktivitet privat, e konkretisht jam bashkëpronar në një firmë ndërtimi të quajtur “Xheker SH. P. K”

A mund të shpjegoheni, nëse keni njohje me shtetasin Kosta Trebicka dhe nëse po, në ç’rrethana njiheni me të?

Unë njihem me shtetasin Kosta Trebicka. Jam takuar në shumë raste me të nëpërmjet një mikut tonë të përbashkët, emri i të cilit është Roland Çelmeta. Gjithashtu, para pak kohësh, Kosta Trebicka ka blerë një dyqan në një godinë të ndërtuar nga firma ime, në vendin e quajtur rruga e Elbasanit, pranë Fakultetit Ekonomik.

Në deklarimin e tij, shtetasi Kosta Trebicka deklaron se në një takim që ky shtetas ka zhvilluar me shtetasin Shkëlzen Berisha, ndërmjetës i këtij takimi keni qenë ju dhe keni asistuar në momentin e takimit. Mund të na jepni detaje lidhur me këtë takim të zhvilluar dhe çfarë dini ju mbi motivet e këtij takimi?

Unë, siç përmenda, Kosta Trebickën e njoh nga Roland Çelmeta dhe kam pasur edhe kontakte në momentin që ai bleu dyqanin. Kam pasur dijeni se ky shtetas merrej dhe merret me aktivitet privat, e konkretisht ka një fabrikë ambalazhimi. Gjithashtu, di që ka dhe një qendër estetike të quajtur “Xhoi” në Tiranë. Pikërisht, në një prej kontakteve që unë kam pasur me të, ai më ka deklaruar se kishte dëgjuar se kisha njohje me shtetasin Shkëlzen Berisha, djalin e kryeministrit dhe dëshironte që t’i krijoja mundësinë për një takim me të. Ai më tha se arsyeja përse donte ta takonte ishte se një person i identifikuar si djali i kryeministrit kishte qenë pjesëmarrës në një takim për një tender të ambalazhimit të fishekëve. Kjo ishte, sipas tij, arsyeja, duke mos më dhënë detaje për problemin e vet. Ai e justifikoi gjithashtu kërkesën e vet për të takuar shtetasin Shkëlzen Berisha, se ishte i bindur se në atë takim nuk kishte qenë djali i kryeministrit, por, sipas tij, ai donte t’i mbushte mendjen edhe palës amerikane, e cila ishte kontraktore në këtë biznes, se në atë takim dikush tjetër ishte identifikuar si djali i kryeministrit. Unë i kam thënë se, nëse nuk do të kishte problem ose bisedë tjetër për të bërë me shtetasin Shkëlzen Berisha, do të bisedoja me të dhe mund të krijoja mundësinë për një takim midis tyre. Kohën e saktë se kur unë kam zhvilluar këtë bisedë me Kosta Trebickën nuk e mbaj mend, por duhet të jetë një periudhë kohore rreth 7 ose 8 muaj më parë. Pas kësaj bisede me Kosta Trebickën, kam biseduar me Shkëlzen Berishën, duke i parashtruar kërkesën e Trebickës dhe arsyen pse ai donte ta kontaktonte. Ai menjëherë ka pranuar të sqarojë rrethanat dhe se nuk kishte asnjë problem të takohej me të. Rreth 3 ose 4 orë pas bisedës me Kosta Trebickën, unë e kam marrë në telefon atë (Kosta Trebickën) dhe i kam thënë se mund të takoheshim me të, pasi isha me Shkëlzenin. Gjithashtu i thashë se ndodheshin përballë Korpusit të Universitetit në sheshin “Nënë Tereza”. Unë ndodhesha së bashku me Shkëlzenin në automjetin tim, tip “Jeep Grand Cherokee”, me targa TR 6441, inicialin nuk e mbaj mend për momentin. Në krahun e drejtuesit të mjetit isha unë, në krahun e pasagjerit para ishte Shkëlzeni dhe Kosta, i cili erdhi me automjetin e vet, të cilin unë nuk e pashë, hyri në sediljen e pasme. Pasi u përshëndetëm, u prezantuam dhe nga prezantimi dukej qartë se ata nuk njiheshin me njëri-tjetrin dhe nuk ishin parë ndonjëherë. Kosta i ka thënë se e kishte kërkuar këtë takim për arsye se në një tender të zhvilluar për ambalazhimin e fishekëve, pala e interesuar për fitimin e këtij tenderi kishte paraqitur midis të tjerëve një person, i cili ishte identifikuar si djali i kryeministrit. Pikërisht kjo ishte dhe arsyeja që, sipas Kostës, kishte insistuar për të kontaktuar me Shkëlzenin. Shkëlzeni i është përgjigjur se kjo ishte një akuzë shumë e rëndë për të dhe ai ishte i gatshëm të përballej me këdo për të sqaruar situatën dhe rrethanat. Shkëlzeni është shprehur gjithashtu se ai mund të ballafaqohej me këdo si shqiptar, amerikan apo kushdo të ishte personi për të sqaruar atë problem. Kosta i është përgjigjur se ishte i bindur se personi, i cili gjatë zhvillimit të tenderit ishte prezantuar ose identifikuar si djali i kryeministrit, nuk kishte qenë vërtet ai, por e kishte kërkuar atë takim që t’i mbushte mendjen edhe amerikanëve që kishte qenë një bllof, dhe dikush tjetër ishte prezantuar si djali i kryeministrit. Ai ndërkohë ka telefonuar dhe në gjuhën angleze ka komunikuar me një person duke i thënë se ishte duke biseduar me djalin e kryeministrit. Ka informuar gjithashtu personin, me të cilin po komunikonte në telefon, se djali i kryeministrit kishte rrëzuar çdo lloj aludimi se mund të kishte qenë pjesë e ndonjë veprimi për fitimin e ndonjë tenderi dhe se ishte i gatshëm në çdo moment të ballafaqohej me këdo. Personi me të cilin Kosta po komunikonte në telefon, i cili mendoj se mund të ketë qenë kontraktori amerikan, i ka thënë se nuk mund të asistonte në këtë takim të tij me djalin e kryeministrit, pasi ishte nisur për t’u larguar nga Shqipëria. Dua të shtoj se edhe biseda mes tyre ishte pak me tone të ashpra dhe mendoj se personi me të cilin komunikoi Kosta Trebicka iu shmang ballafaqimit.

Kosta i ka kërkuar ndjesë Shkëlzenit dhe duke falënderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin është larguar. Unë më pas kam pasur kontakte me Kostën, por, në asnjë rast nuk më ka përmendur diçka lidhur me takimin me Shkëlzenin apo për problemin e tij, por më ka falënderuar për mundësinë që iu krijua për këtë takim.

Gjatë bisedës së zhvilluar në automjetin tuaj midis Kosta Trebickës dhe Shkëlzenit, a i është përmendur Shkëlzenit se Kosta kishte një kasetë lidhur me takimin që ishte zhvilluar midis tij dhe personave të tjerë, ku një person ishte identifikuar si djali i kryeministrit dhe a i ka përmendur gjithashtu se lidhur me këtë problem nga Amerika do të vinte një grup personash për të hetuar?

Siç përmenda edhe më sipër, kur Kosta i ka thënë Shkëlzenit se një person ishte identifikuar si djali i kryeministrit në atë takim, unë kam dëgjuar se ai i ka thënë se lidhur me këtë problem ekzistonte një kasetë, por, nuk mbaj mend që Kosta t’i ketë thënë se ai vetë dispononte një kasetë të tillë. Mbaj mend gjithashtu se Kosta është shprehur se amerikanët ishin të shqetësuar lidhur me këtë problem, por nuk ka përmendur për grup hetimor, sikurse nuk ka qenë i qartë se ishin të shqetësuar persona, të cilët ishin kontraktues apo nga institucionet amerikane të shtetit.

Në deklarimin e tij Trebicka përmend se në kontaktin që ka pasur me Shkëlzenin i ka thënë: “Në një ambient civil jashtë Ministrisë së Mbrojtjes, ku prezent ka qenë Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, 2 amerikanë dhe një person i moshës rreth 27- 30 vjeç, i identifikuar si djali i kryeministrit, është përmendur edhe emri i kryeministrit në kontratë”. A mund të na thoni diçka lidhur me bisedën që ka bërë Kosta lidhur me emrat e përmendur dhe çfarë pozicioni kanë ata në raport me rrethanat e problemit të Kostës?

Me sa mbaj mend unë, Kosta e ka përmendur emrin e Ylli Pinarit, por nuk kam qenë shumë i përqendruar dhe nuk mbaj mend bisedat e tjera të bëra nga ai.

Gjithçka deklarova më sipër është e vërtetë dhe jam në dijeni se në rastin e dhënies së një deklarate të rreme, do të mbaj përgjegjësi ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›