E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Kufizim imunitetit në hetimin për korrupsion

 

ADI SHKEMBI

Këshilli i Evropës interesohet për kryerjen e Reformës Zgjedhore dhe Reformës në Drejtësi në vendin tonë, ndërkohë që vlerëson se heqja e imunitetit është një faktor i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Dy raportues të Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës zhvilluan dje takime me Presidentin Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryeministrin Sali Berisha. Gjatë takimit në Kryeministri, kreu i qeverisë theksoi se reformat e gjithanshme të qeverisë shqiptare janë fokusuar në konsolidimin e demokracisë funksionale në vend, në konsolidimin e shtetit ligjor dhe thellimin e lirisë së tregut. “Raportuesit z.Da-vid Wilshire dhe z.Jaakko Laakso, pasi vlerësuan progresin e Shqipërisë dhe reformat e qeverisë shqiptare, u interesuan në mënyrë të veçantë për reformën në drejtësi, reformën elektorale. Raportuesit e KE-së ndanë të njëjtën pikëpamje me Kryeministrin Berisha sa i përket rëndësisë që ka kufizimi i imunitetit të personave që e gëzojnë atë, në rastet e hetimit për korrupsion. Kufizimi i imunitetit, theksuan përfaqësuesit e KE-së, në raste të tilla është një faktor i rëndësishëm për luftën ndaj korrupsionit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha duke folur për angazhimin e qeverisë për të siguruar infrastrukturën më moderne e të sigurt për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, kërkoi nga raportuesit që të inkurajojnë Këshillin e Evropës të dërgojë në Shqipëri një delegacion sa më të zgjeruar vëzhguesish për të ndjekur nga afër zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare vitin e ardhshëm. Presidenti Topi vlerësoi në takimin me raportuesit e KE-së, se ndihmesën e vazhdueshme dhe të rëndësishme që Këshilli i Evropës e veçanërisht Komisioni i Venecias, i ka dhënë vendit tonë për thellimin e proceseve reformuese demokratike dhe forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e standardeve integruese. Gjatë takimit në Kryesinë e Kuvendit me dy raportuesit e Këshillit të Evropës, Topalli theksoi miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat sipas saj u arritën me konsensusin më të gjerë në këto 18 vite. “Marrja e ftesës për anëtarësim  në NATO ishte një mbështetje e dhënë për gjithçka që Shqipëria ka realizuar. Kjo ftesë është një motivim më shumë në thellimin e reformave dhe kemi besim se vitin e ardhshëm do të anëtarësohemi me të drejta të plota në Aleancën e Veriut”, theksoi Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›