E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna në të zezë, Berisha: Ndëshkim penal

 

Kryeministri Sali Berisha i ka vënë afat një javë ministrit të Drejtësisë dhe atij të Financave për të hartuar draftin që konsideron vepër penale punën në të zezë. Duke folur në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha tha se një numër i madh punëdhënësish nuk i sigurojnë të gjithë punëtorët e tyre. “Ka raste të shumta të punëdhënësve, të cilët punësojnë një numër të madh punëtorësh dhe paguajnë sigurimet vetëm për disa prej tyre. Këta punëdhënës përfitojnë nga njerëz hallexhinj, djem dhe vajza, të cilët i trajtojnë si skllevër. Unë kërkoj nga ju zoti ministër i Drejtësisë dhe ministri i Financave, që kjo të mos trajtohet si një problem civil, por si një problem penal dhe i rëndë. Ne duhet t’i mbrojmë këta njerëz të punësuar. Asnjë prej tyre nuk do të punojë në të zezë”, u shpreh Berisha. Duke marrë një shembull për punësimin sezonal, kreu i qeverisë u shpreh se sektori turistik në vend mund të punësojë për tre muajt e verës 100 deri në 160 mijë punonjës, duke shtuar se edhe ata, pavarësisht se janë sezonalë mund të sigurohen për ato muaj që janë në punë. Sipas Berishës, qeveria i ka ardhur në ndihmë biznesit, duke ulur nga 32 për qind në 15 për qind pjesën e sigurimeve shoqërore që paguhen nga punëdhënësi. “Në 1 janar të vitit 2009 sigurimet shoqërore që paguan punëdhënësi zbresin nga 32% që kanë qenë përpara, në 15%. Pra, në rast se në vitin 2005 për një punëtor paguaje 30, duke nisur nga 1 janari i 2009-ës për dy punëtorë do të paguhen gjithsej 30. Parësore nuk është çështja e të ardhurave në këtë rast, sepse nëse do të ishte e tillë nuk do t’i përgjysmonim, por parësore është problemi i madh i trajtimit të këtyre qytetarëve si skllevër”, deklaroi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›