Berisha: Mësimet e kësaj krize duhet të transformojnë shoqërinë, individin dhe rregullat në mënyrë që bota të përgatitet për ekonominë dhe financat e shekullit të 21
Kryeministri Berisha, në një prononcim për Televizionin Publik Shqiptar, vlerësoi se Forumi Ekonomik Botëror që po zhvillon punimet në Davos, është duke dëshmuar një vendosmëri të pashoqe për gjetjen e rrugëve për të dalë nga kriza financiare që përjetojnë aktualisht tregjet botërore.
Kryeministri tha se po zhvillohen diskutime për të gjitha aspektet e krizës ndërsa vlerësoi se ka një qëndrim të përbashkët se kjo krizë kërkon një përballje të hapur.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Siç shihet, ka një interes të jashtëzakonshëm për forumin. Ajo që spikati dje dhe sot është një vendosmëri e pashoqe për të gjetur rrugët për të dalë nga kjo krizë. Po zhvillohet një diskutim i shumëanshëm i të gjitha aspekteve të saj dhe ajo që mund të them deri tani është se, në tërësi, ka një sintoni në qëndrimin se kjo krizë kërkon një përqasje të hapur. Unë sapo dola nga sesioni ku ishte Presidenti Klinton, ku ai parashtroi se nga kriza dilet duke ndihmuar njëri-tjetrin. Është e domosdoshme që programi i Presidentit Obama të mbështetet nga vendet e tjera, duke blerë bonot e thesarit në interesin e tyre më të mirë, që Amerika të rrisë kapacitetet e saj importuese. Pra, po studiohen të gjitha aspektet e krizës. Seanca e Presidentit Klinton ishte një seancë shumë e rëndësishme, pasi ai garantoi audiencën dhe botën se Presidenti Obama do të çojë përpara procesin e zgjidhjes së krizës financiare në Shtetet e Bashkuara dhe u shpreh me nota të qarta optimiste. Sigurisht, në këtë diskutim, si në çdo diskutim tjetër, së pari kërkohen rrugët më të mira për të dalë nga kriza, së dyti masat që duhen marrë që kriza të parandalohet. Një diskutim të shkëlqyer pati në seancën e ish-Kryeministrit Tony Bler, Presidentit të Izraelit Shimon Perez, ku u diskutua gjerësisht për vlerat e tregut, ku në tërësi u shpreh dëshira dhe shpresa për të dalë nga kjo krizë, e cila ka ulur prodhimin botëror në nivelin e 60 viteve më parë dhe ka bërë të zhduket rreth 50 % e pasurive aktuale, për shkak të fuqisë që kanë patur tregu i kapitaleve dhe kreditë financiare në botë. Mësimet e kësaj krize duhet të transformojnë shoqërinë, individin dhe rregullat, në mënyrë që bota të përgatitet vërtetë për ekonominë dhe financat e shekullit të 21.
E kam filluar ditën sot me një seri takimesh. Tani sapo u ndava me Presidentin Klinton dhe pata kënaqësinë e madhe, pasi në takimin e parë më kishte premtuar se do të zhvillonte një vizitë në Shqipëri dhe më riafirmoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e tij për të vizituar Shqipërinë në kohën sa më të shpejtë të mundshme për të. E sigurova se pritet si një hero kombëtar nga të gjithë shqiptarët, për atë që ai ka bërë për lirinë e tyre.
Në mëngjes herët fillova ditën me një takim shumë të frytshëm me Kryeministrin Erdogan. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera. Marrëdhëniet ekonomike po ecin me shpejtësi, por një problem është shumë i rëndësishëm; problemi i gazit. Kryeministri Erdogan më premtoi qartësisht se ai dhe qeveria e tij do të përdorin të gjithë mundësitë që kanë që gazsjellësi të kalojë nëpër Shqipëri. Në këtë aspekt, qeveria turke është e gatshme t`u krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme atyre projekteve që kalojnë nga Shqipëria për në Itali, sepse kuptohet që Shqipëria nuk mund të jetë destinacioni final i tregut të gazit. Gjithashtu, diskutuam edhe për marrëdhëniet bilaterale dhe për mbështetjen që Turqia i jep anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Më pas u takova me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, një mik i vjetër i imi dhe një mik i Shqipërisë, Jacques Diouf, me të cilin diskutuam gjerësisht për ndihmën që kjo organizatë kryesore e bujqësisë dhe ushqimit në botë do t`i japë Shqipërisë në disa fusha kryesore. U përqëndruam tek projekti i ullirit, të cilin Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s e cilësoi si shumë të goditur dhe më premtoi një seri ndihmash për realizimin e këtij projekti. Gjithashtu, ai më premtoi mobilizimin e fondeve dhe për mbështetjen e këtyre projekteve shumë të rëndësishme për Shqipërinë.
Pyetje: Si do ta cilësonit takimin me znj. Penny Pritzker, takim që merr një rëndësi të veçantë pasi është një nga njerëzit më të afërt të Presidentit Obama?
Kryeministri Berisha: Dje kam patur një takim shumë të rëndësishëm me zonjën Penni, e cila ka qenë shefe e financave të fushatës së Presidentit Obama dhe është shefe ekzekutive e një kompanie shumë të madhe në fushën e hoteleve dhe turizmit. Diskutuam gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri, mbi dëshirën e flaktë të qeverisë shqiptare për të çuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera që ka me Shtetet e Bashkuara. E njoha me reformat e mëdha që kemi ndërmarrë, me kontributin e projekteve të Millenium Challenge Account Coorporation dhe USAID-it në luftën kundër korrupsionit dhe në modernizimin e sistemit tonë të prokurimeve, sistemit të regjistrimit të bizneseve, sistemit të vjeljes së taksave dhe projekteve të ardhshme sikurse e njoha me të gjitha përpjekjet e qeverisë time për të krijuar një klimë sa më të favorshme për biznesin dhe e ftova që kompania e saj të vijë në Shqipëri për të investuar në turizëm apo në çdo fushë që do të ketë interes.
...