Kryeministri Berisha takon Kryeministrin e Turqisë, z.Recep Tayyip Erdogan
Kryeministri Erdogan premtoi se ai dhe qeveria e tij do të përdorin të gjitha mundësitë që kanë që gazsjellësi të kalojë nëpër Shqipëri. Në këtë aspekt, qeveria turke është e gatshme të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për projektet që kalojnë nga Shqipëria për në Itali
Kryeministri Berisha, gjatë punimeve të Forumit të Davosit, pati një takim dhe me Kryeministrin e Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan.
Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe rikonfirmuan gadishmërinë dhe angazhimin e tyre, për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat, duke iu përgjigjur nivelit të lartë të miqësisë tradicionale mes dy popujve.
Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin Erdogan me ecurinë e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke u ndalur në veçanti në krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe mbështetjen e tij përmes lehtësimit të procedurave, politikës së taksave të ulëta, projekteve të rëndësishme infrastrukturore, që ndihmojnë zhvillimin e sipërmarrjeve në Shqipëri, etj..
Kryeministri Berisha falënderoi z.Erdogan për inkurajimin që ai dhe qeveria e tij u kanë bërë investitorëve turq për të ardhur në Shqipëri, duke evidentuar faktin se investitorët turq janë të njohur tashmë për suksesin e tyre në tregun shqiptar.
Dy Kryeministrat ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve po ecin me shpejtësi. Në këtë kontekst, ata u ndalën edhe në çështjen e gazsjellësit. Kryeministri Erdogan premtoi se ai dhe qeveria e tij do të përdorin të gjitha mundësitë që gazsjellësi të kalojë nëpër Shqipëri.
Gjithashtu, të dy personalitetet diskutuan edhe për çështje që kanë të bëjnë me proceset integruese të Shqipërisë, ku Kryeministri Erdogan ritheksoi edhe një herë mbështetjen e plotë të Turqisë për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO.
...