Përplasjet PS-LSI, pas Tiranës paralajmërohet bllokimi i projektbuxhetit në bashkinë e Korçës
Tre javë më parë më shumicë votash është rrëzuar projektbuxheti i bashkisë së Tiranës për vitin 2009. këshilltarët e PD dhe LSI-së votuan kundër projektit që e cilësuan si tërësisht jo transparent dhe jo në funksion të kryeqytetasve ndërkohë që vetë kryebashkiaku Edi Rama nuk denjoi që të ishte i pranishëm në atë mbledhje
TIRANE - Mosmarrëveshjet e thella mes lidershipit të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim duket se do të mbajnë të bllokuar përveç bashkisë së Tiranës edhe miratimin e buxhetit të bashkisë së Korçës për vitin 2009, drejtuar nga kryebashkiaku socialist Niko Peleshi që prej zgjedhjeve të fundit për pushtetin vendor të 18 shkurtit 2007. Këshilltarët e LSI-së në Korçë kanë deklaruar dje se nuk do të miratojnë buxhetin e hartuar nga kryebashkiaku socialist Niko Peleshi nëse ky buxhet nuk do të jetë në interes të qytetarëve. Sipas përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, arsyet e votës kundër, nuk janë politike por kanë të bëjnë me mungesën e transparencës në zërat e buxhetit.
Në Këshillin Bashkiak të Korçës socialistët kanë 18 anëtarë, LSI-ja e Ilir Metës 3 përfaqësues, ndërsa e djathta 17 vota. Një matematikë thjeshtë përfshi edhe votat e partive të tjera të vogla bën të mendosh që ky buxhet që tani është i bllokuar.
Tre javë më parë më shumicë votash është rrëzuar projektbuxheti i bashkisë së Tiranës për vitin 2009. këshilltarët e PD dhe LSI-së votuan kundër projektit që e cilësuan si tërësisht jo transparent dhe jo në funksion të kryeqytetasve ndërkohë që vetë kryebashkiaku Edi Rama nuk denjoi që të ishte i pranishëm në atë mbledhje. Përmasat që po merr përplasja në nivel lokal mes dy forcave kryesore të opozitës, duket se do të reduktojë në maksimum shanset për një bashkëpunim të mundshëm mes tyre në zgjedhjet e qershorit.