E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i torturuar dhe i vrarë me dy plumba biznesmeni, hetime edhe për trafik

 

Hakmarrje e pastër. Masakrimi para ekzekutimit me armë e më pas djegia e viktimës për policinë ka treguar se plani i autorëve ka qenë tejet mizor. Orët apo minutat e fundit para se të jepte shpirt kanë qenë torturë për biznesmenin e zhdukur prej së premtes, Genci Habazaj. Ende nuk dihet nëse krimi ka ndodhur menjëherë pas rrëmbimit apo pak kohë para se trupi i pajetë i 39-vjeçarit të gjendej mëngjesin e djeshëm, në një fshat mes Vlorës dhe Fierit. Fakti është se autorët kishin zgjedhur një zonë të thellë të fshatit Bishan, pa asnjë banesë përreth, për të kryer të lirshëm ekzekutimin. Qëllimi duket se ka qenë ky që në momentin e rrëmbimit dhe mosdhënies asnjë sinjal për familjarët apo policinë. Asnjë shenjë apo gjurmë për Gencin nuk kishte prej mbrëmjes së të premtes, derisa u gjet kufoma. Krimin ndaj tij, torturat e më pas ekzekutimin me 2 plumba, e kanë zbardhur ekspertët e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Burime nga ky institut thanë dje, se pas ekspertimit që zgjati pothuajse 12 orë, është hartuar raporti paraprak që përcakton shkaqet e vdekjes së biznesmenit 39-vjeçar, hematomat dhe mënyrën e ekzekutimit final. Ekspertët tregojnë se fillimisht Abazaj është rrahur, duke u goditur edhe me mjete të forta. Dëshmitarët e parë që e kanë zbuluar trupin e hedhur mes tokave që shfrytëzoheshin për kullota pohuan se thuajse i gjithë trupi ishte gjymtuar, veçanërisht koka. Më pas është qëlluar me dy plumba, një në kokë dhe një në trup, të cilët i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima është gjetur me dy duart e mbledhura, çka sipas policisë lë të dyshosh se ai ka dashur të mbrohet në momentet kur i është drejtuar arma e zjarrit. Por, për të mos e lënë me aq, autorët e kanë dëmtuar edhe më shumë kufomën e tij, duke i vënë flakën dhe duke i djegur kryesisht pjesët ku ishte qëlluar me armë zjarri, me qëllim që të fshihnin gjurmët. Njollat e gjakut tregojnë se vrasja është kryer pak metra larg djegies së kufomës. Mjekët ligjorë fillimisht e kanë pasur të vështirë që të përcaktonin nëse Genci Abazaj ishte qëlluar me armë apo jo, pasi plagët e shkaktuar nga djegia, kishin humbur disi gjurmët hyrëse të plumbit. Por gjatë ekzaminimit kanë dalë edhe shenjat që tregonin pjesët ku ai ishte goditur dy herë me armë zjarri. Policia e Fierit gjeti fillimisht 2 gëzhoja arme e më pas dhe ekspertët zbuluan në trup predhat e plumbave. Një grup hetimor, i Fierit, Vlorës dhe Tiranës janë përpjekur të mbledhin gjurmët e lëna prej autorëve, duke ndjekur rrugën në fshatin Bishan deri në rrugën nacionale. Megjithatë, gjithçka duket se ka qenë organizuar në mënyrë perfekte, pasi veç gëzhojave asnjë shenjë nuk ishte lënë nga autorët. Sipas policisë, krahas bizhuve të viktimës nuk kishte objekte të tjera që i përkisnin atij apo personave që kryen rrëmbimin dhe ekzekutimin. Predhat që ishin ngulur në kokë dhe në trup do të dërgohen për ekspertim në Laboratorin e Kriminalistikës, në mënyrë që të përcaktohet kalibri i armës me të cilën është qëlluar.     e.d/m.r

Varësja dhe unaza identifikuan viktimën

FIER - Varësja në qafë dhe një unazë treguan për familjarët e Genci Habazajt se personi i masakruar ishte pikërisht njeriu i tyre. Ata u lajmëruan nga policia e Fierit për gjetjen e një kufome, në një zonë të shkretë, por sendet personale të 39-vjeçarit konfirmuan vrasjen e tij pas më shumë se 4 ditë zhdukjeje. Sipas dëshmitarëve dhe policisë, trupi i viktimës ishte masakruar, duke mos lënë mundësi që të identifikohej në pamje të parë. Nisur nga denoncimi për një person të zhdukur, të parët që u lajmëruan ishin të afërm të Habazajt, të cilët udhëtuan me shpejtësi drejt fshatit Bishan të Fierit. Ndonëse të tronditur nga pamja që kishte marrë njeriu i tyre ata dalluan unazën dhe një varëse që ai mbante në qafë. Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore në Tiranë përcaktoi zyrtarisht faktin se kufoma i përkiste Genci Habazajt.

Policia ndjek gjurmët e autorëve
Policia e Fierit është angazhuar për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Fakti se viktima ishte ekzekutuar në territorin që i përket qarkut Fier bëri që forca të shumta policie të vendosen në postblloqe në të gjitha akset, kryesisht, plazhet dhe rrugët lidhëse më Vlorën. Paralelisht me policinë, edhe prokuroria ka nisur hetimin mbi autorët. Vrasja e ndodhur në një zonë të largët nga rruga nacionale tregon për policinë se autorët e kanë njohur më parë atë, duke përgatitur dhe krimin në fshatin Bishan. Ekspertët kanë bërë këqyrje të zonës për të pikasur gjurmët e autorëve, të këmbëve dhe të automjetit me të cilin mund të kenë hyrë në brendësi të fshatit.

Bariu zbuloi kufomën në Bishan: Era e djegies më çoi te viktima

FIER – Një bari që kulloste bagëtitë në thellësi të fshatit Bishan të Fierit zbuloi dhe kufomën e biznesmenit vlonjat, Genci Habazaj. Pak orë pasi kishte kaluar mesnata e së hënës, në një rrugë dytësore mes Fierit e Vlorës, pikërisht 5 km larg rrugës nacionale, bariu i fshatit Darëzezë, Dervish Maho zbardhi dhe misterin e zhdukjes së 39-vjeçarit. Ai fillimisht ka ndier një erë djegieje, kur ka qenë duke kullotur delet, ndërsa është afruar sapo ka parë diçka të dyshimtë në anë të rrugës, pranë një vendi të mbuluar nga kallama. Kur ka pikasur se bëhej fjalë për një kufomë njeriu, bariu ka lajmëruar disa fqinj të tij me të cilët ka komunikuar në telefon. “Unë nuk dija si të veproja. E pashë që ishte një person i djegur, por nuk dija se kujt t’i kërkoja ndihmë. Sapo e mblodha pak veten, njoftova disa njerëz që banojnë pranë meje dhe ata u gjendën aty shumë shpejt. Kur u bindën edhe ata që bëhej fjalë për një ekzekutim, atëherë lajmëruam policinë”, tregoi bariu. Ndërkohë, orët e para të mëngjesit kanë nxjerrë në pah edhe shenja të gjakut, vetëm pak metra larg vendit ku ndodhej kufoma e djegur. Fatmir Lena, një tjetër banor i kësaj zone tregon se pasi njoftuan policinë, qëndruan aty pa lëvizur me qëllim që të mos fshiheshin gjurmët. “Sapo e njoftuam policinë, nuk lëvizëm nga vendi, me qëllim që të mos e vështirësonim punën e policisë. Vetëm sot në mëngjes ne pamë që fare pranë këtij vendi, ndodhej një hapësirë e mbuluar me gjak. Aty mund ta kenë vrarë dhe pastaj e kanë tërhequr pak me tej trupin për ta djegur, se përgjatë 2 metrash kishte shenja të tërheqjes. Nuk e dimë, por duke qenë se e dëgjuam në televizor për zhdukjen e atij djalit nga Vlora, menduam që ishte ai. Ndryshe nuk dukej fare. Ishte i djegur i gjithi dhe nuk dallohej asgjë. Ishte i shtrirë dhe me duart mbledhur përpara. Në qafë kishte një zinxhir, edhe ky i djegur. Jemi llahtarisur”, ka rrëfyer Fatmiri. Ndërkaq, nga ana e vetë policia ka thënë se sapo kanë marrë njoftimin, janë nisur drejt vendit të ngjarjes. Kanë inspektuar vendin dhe më vonë e kanë transportuar kufomën për në Institutin e Mjekësisë Ligjore Kriminalistik në Tiranë, me qëllim ekzaminimin e tij. Në fillim mendohej për një person të ekzekutuar që mund të ishte nga Fieri, por paralel më këtë, janë lajmëruar edhe familjarët e biznesmenit, duke qenë se ky rezultonte i humbur.   m.r

Hetimi, nga probleme personale tek trafiku i prostitucionit
VLORE - U dyshua për pengmarrje me qëllim grabitjeje, por autorët asnjëherë nuk kërkuan nga familjarët e Genci Habazajt një shumë kundrejt lirimit të tij. Pas gjetjes së trupit të pajetë prej ekzekutimit, një grup hetimor, i përbërë nga prokurorë të Vlorës dhe të Krimeve të Rënda të Tiranës, kanë ngritur disa pista, ndonëse për asnjërën prej tyre nuk ka prova të forta që të shtyjnë tek emrat e ekzekutorëve. Sipas burimeve nga ky grup bëhet e ditur se po hetohen jo vetëm marrëdhëniet me persona të caktuar në Shqipëri, por dhe në Itali, ku ai punonte. Një konflikt për shkak të biznesit; marrëdhëniet me ish-bashkëshorten, çështjet personale e deri tek përfshirja e tij në trafik të qenieve njerëzore. Të gjitha këto pista janë ngritur nga hetuesit, në pritje që të gjejnë prova për atë që solli dhe rrëmbimin e më pas vrasjen pas torturave të 39-vjeçarit, emigrant prej vitesh në Itali. Sipas grupit hetimor për momentin nuk është asnjë variant i përjashtuar. Sektori i kriminalistikës ka sekuestruar telefonat e Habazajt, duke shpresuar të gjendet lidhja e tij me personat që kanë kontaktuar në çastet e fundit. Gjithashtu është sekuestruar dhe makina e tij, tip “Nissan”, e cila ditën e zhdukjes ishte marrë nga një shok. Grupi hetimor ka këmbëngulur dhe në pistën e trafikut të femrave për qëllime prostitucioni. Burime nga grupi hetimor, i cili drejtohet nga oficerë të Drejtorisë së Krimeve të Rënda, thanë se hetimet janë përqendruar në këtë drejtim, nisur nga mënyra se si është ekzekutuar Genci Habazaj. Dhjetëra persona, që janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, kanë dhënë dëshmitë e tyre, duke ngritur dyshimet për përfshirjen e viktimës në trafiqe të paligjshme. Oficerët e policisë tregojnë se edhe mënyra se si është rrëmbyer, keqtrajtuar dhe më pas ekzekutuar duke iu vënë edhe flaka, është vrasje tipike e kryer për hakmarrje. Gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar 6 të njohur të Habazajt, mes tyre dhe personi që i mori makinën për të udhëtuar në një fshat të Vlorës, të cilët janë lënë më pas të lirë. Hetimet pritet të shtrihen dhe në Akuila të Italisë, ku ushtronte aktivitetin e tij 39-vjeçari, duke iu kërkuar palës italiane verifikim të së dhënave për të.          q.b/e.d

Jeta në emigracion e Genci Habazajt
Që prej një viti, emigranti, i cili vepronte me një aktivitet privat në Itali, kishte blerë një pallat në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Sipas familjarëve, veç apartamentit të ri, ai kishte blerë një dyqan dhe një garazh së fundi. Prej rreth 3 javësh ndodhej në Vlorë për pushime, pasi kishte ardhur nga Italia bashkë me vajzën 9-vjeçare, Irisin. Në Itali jetonte dhe ish-gruaja dhe djali 14-vjeçar Klajdi. Çifti ishte divorcuar 1 vit më parë, por sipas vëllezërve të Genci Habazajt nuk kishin probleme të mëvonshme. Në shtetin fqinj, Abazaj kishte një formë ndërtimi, kryesisht për rikonstruksione. Ai kishte mbaruar në Shqipëri shkollën e policisë si dhe për pikturë. Madje, para viteve ’90 kishte punuar dhe në radhët e policisë së Vlorës, deri sa pas hapjes së kufirit emigroi në Itali. Ditën e ekzekutimit ai kishte caktuar të nisej drejt Italisë, pasi do të festonte ditëlindjen e së bijës.

“Gencin e kanë futur në kurth shokët e tij”

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Për 4 ditë familjarët e Genci Habazajt kanë pritur një lajm të mirë. Me shpresë se ai ishte gjallë dhe asgjë nuk i kishte ndodhur. Por, ajo që mësuan mëngjesin e djeshëm ishte çfarë nuk e mendonin kurrë.
“Ishte e tmerrshme. Na u duk sikur na ra qelli në kokë. Ishte e pabesueshme, nuk po dinim se çfarë po ndodhte. Të gjithë njerëzit vunë kujën. U tronditëm nga ky lajm se prisnim prej 4 ditësh një haber të mirë. Katër ditë pa vënë gjumë në sy, por nuk e mendonim kurrë se vëllai ynë do të ishte vrarë”. Albert Habazaj, njëri prej 4 vëllezërve thotë se nuk dinin që Genci të kishte mosmarrëveshje apo sherr me ndokënd. “Asnjë nga ne s’ka pasur gjëra të tilla dhe s’i kemi rënë në qafë askujt”, u shpreh dje ai. Bashkë me familjarë të tjerë e miq, Alberti po udhëtonte drejt fshatit Tërbaç të Vlorës, origjina e tyre, ku pritet që paraditen e sotme babai i dy fëmijëve të përcillet për në banesën e fundit.
Gjatë 5 ditëve të zhdukjes së Gencit keni pasur ndonjë sinjal apo telefonata të dyshimta?
Jo asnjë telefonatë të dyshimtë, si dhe asnjë sinjal tjetër nga askush.
Si mendoni, cili ka qenë shkaku i vrasjes së vëllait tuaj nga persona të tjerë dhe më pas djegien e trupit të tij?
Për momentin nuk dimë asgjë, dimë që vëllai ynë ka qenë njeri i rregullt, si me njerëzit e tij ashtu dhe me shoqërinë. Ai kishte rreth 20 ditë në Shqipëri dhe nuk na kishte thënë asnjë gjë nëse kishte diçka që nuk shkonte me persona të tjerë. Genci ka qenë djalë i zgjuar dhe punëtor dhe me sa dimë ka qenë i rregullt me punëtorët e shtetin italian, përsa i përket aktivitetit të tij privat në firmën e ndërtimit që prej 9 vitesh. Trupin e tij pasi e kanë vrarë e kanë djegur për të humbur gjurmët e identifikimit të personave vrasës.
Kush mund të jenë autorët e vrasjes së vëllait tuaj?
Është shpejt të mendohet për këtë gjë, por duke pasur parasysh se Genci ka qenë djalë i zgjuar dhe i shkathët, si dhe shumë i rregullt dhe nuk futej dot shpejt në kurth mendoj se kurthin ia kanë bërë njerëzit që i ka njohur mirë, ata që i ka konsideruar miq apo shokë të tij. Ata mund t’i kenë bërë kurth për shkaqe që ende nuk dihen, prandaj mbas kryerjes së vrasjes e kanë djegur trupin për të humbur gjurmët.
Jeni në dijeni të ndonjë konflikti me ish-bashkëshorten apo njerëzit e saj?
Unë e përjashtoj këtë. Edhe pse ishin të ndarë për shkaqe që ata i dinë, marrëdhëniet mes Gencit dhe ish-gruas së tij kanë qenë normale. Para disa muajsh na vdiq babai. Ajo erdhi sapo e mori vesh. Me njerëzit e saj nuk kemi pasur asnjë mosmarrëveshje. Familja e saj rrjedh nga një fis me tradita dhe kulturë dhe mendojmë se nuk kanë gisht në këtë histori.
Pas denoncimit të kryer në polici, mendoni se policia është vënë në veprim menjëherë dhe bëri atë që duhej për gjetjen e vëllait tuaj?
Unë mendoj se policia u vu në veprim menjëherë, por ndoshta duhet të kishte kryer veprime më të shpejta dhe operative e mund të kishte shpëtuar jetën e vëllait. Gjithsesi, ne i kërkojmë policisë dhe prokurorisë zbardhjen e krimit sa më shpejt, shkaqet e vrasjes së vëllait tonë, si dhe identifikimin dhe vënien para ligjit të autorëve të këtij krimi makabër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›