Qeveria, negociata brenda PD
ADI SHKEMBI
Përcaktimi i posteve që do të marrin aleatët ka shtyrë caktimin e vendeve që do të zënë stafi i ngushtë i Kryeministrit Berisha në kabinetin e ri qeveritar. Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga dërgimi i emrave të Qeverisë në parlament për t’u votuar, ajo që mund të thuhet me siguri është fakti që Lëvizja Socialiste për Integrim do të marrë katër poste (tre ministra dhe zv/kryeministrin) nga 16 poste që ka gjithsej Këshilli i Ministrave. Por burime pranë Partisë Demokratike bëjnë të ditur se në kabinetin e ri mund të rikthehet edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes një vit e gjysmë më parë pas shpërthimit tragjik në Gërdec. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu, se deri tani pjesë e Qeverisë nuk pritet të jetë e përfshirë, të paktën fillimisht, Partia për Drejtësi dhe Integrim e komunitetit çam, e cila do të jetë e përfaqësuar në parlament me një deputet.
Ministrat e PD
Por ndërkohë që është duke u përvijuar përfaqësimi i aleatëve në qeveri, kjo nuk mund të thuhet me siguri për disa prej ministrave aktualë, të cilët janë edhe stafit më të ngushtë të Kryeministrit Berisha. Burimet bëjnë të ditur se nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli mund të drejtojë edhe për katër vitet e ardhshme Kuvendin. Kjo konfirmohet edhe nga axhenda e ngjeshur që ka pasur gjatë kësaj vere kryeparlamentarja. Ndërkohë kreu i qeverisë ka përcaktuar edhe stafin e tij të ngushtë, me të cilët do të ndajë postet kryesore. Kriter për këtë përzgjedhje ka qenë rezultati i arritur në qarqet zgjedhore në 28 qershor. Kështu ministri i Jashtëm Lulzim Basha, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, ministri i Financave, Ridvan Bode dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu konsiderohen si ministra, të cilët do të drejtojnë ministri të rëndësishme në kabinetin e ri qeveritar. Por burimet afër Kryeministrit shtojnë se askush prej tyre nuk e di të sigurt dikasterin që do të drejtojë.
Aleatët pa deputetë
Pas përcaktimit të posteve ministrore Kryeministri Berisha do të përqendrohet në përfaqësimin e aleatëve, që nuk kanë fituar mandate parlamentare në zgjedhjet e 28 qershorit. Megjithëse nuk do të kenë poste të rëndësishme, ndarja e tyre me partitë e koalicionit nuk mund të konsiderohet e lehtë po të kihet parasysh fakti, që në zgjedhjet e 28 qershorit PD iu drejtua elektoratit me 16 partive përkrah. Burimet bëjnë të ditur se Kryeministri Berisha është shprehur i gatshëm t’u japë atyre poste zv/ministrash apo drejtorësh, por jo të gjitha partitë që kanë pasur deputetë në legjislaturën që përfundoi, janë dakord me një përfaqësim të tillë. Disa prej partive veç zv/ministrave kanë kërkuar edhe përfaqësim në nivele drejtorësh të përgjithshëm nëpër rrethe si një mundësi e mirë për të punësuar elektoratin e tyre. Nga ana e tij kreu i qeverisë ka theksuar se do të negociojë me të gjitha forcat politike, duke u shprehur se në zgjedhjet lokale do t’i ketë ata sërish në koalicionin e tij. “Tani ka një koalicion. Ka një situatë krejt tjetër, sepse në këto zgjedhje ne shkojmë së bashku me LSI-në dhe 17 forca të tjera politike. Unë jam njeri i koalicioneve. Do të përdor koalicionin, do ta zgjeroj atë”, u shpreh kreu i Qeverisë.