Berisha-Meta të bëjnë detyrat e shtëpisë
Partia Socialiste tha dje se Shqipëria nuk është përfshirë në programin e liberalizimit të vizave për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë "Berisha" dhe jo për faj të kontributit të munguar të opozitës. "Shqipëria ka mbetur në klasë për përmbushjen e standardeve të nevojshme për mundësimin e lëvizje së lirë të shqiptarëve në BE. Qeveria Berisha ka dështuar në pajisjen e qytetarëve me dokumentet e identitetit me siguri të lartë, që do të thotë se procesi nuk ka qenë transparent", tha deputetja Olta Xhaçka. Ajo shtoi se qeveria "Berisha" ka dështuar në përmbushjen e standardeve për emigrimin dhe trafikun e paligjshëm, në ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve. Siç ka dështuar për sa u takon standardeve për rendin, sigurinë publike, për trafiqet, krimin e organizuar dhe korrupsionin. "I bëjmë thirrje Ilir Metës, t‘i lërë karagjozllëqet, të mos dezinformojë publikun, të mos bëhet megafon i politikës boshe të Sali Berishës, por të ulë kokën dhe të bëjë detyrat e shtëpisë", tha Xhaçka.