Presidenca suedeze e BE-së: Nuk ka viza pa plotësuar kushtet
Një zyrtar i lartë i presidencës suedeze të Bashkimit Europian tha për "BBC"-në se nuk do të ketë liberalizim të vizave me BE-në pa u plotësuar më parë kushtet e nevojshme. Ministri suedez i Migrimit dhe Politikave të Azilit të Suedisë, Tobias Billstrom, tha se presidenca suedeze e inkurajon Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën që të përshpejtojnë reformat e domosdoshme, me qëllim që kërkesat për vizat të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për qytetarët e tyre. "Nga presidenca suedeze ne e mirëpresim propozimin e Komisionit Europian për të hapur rrugën për regjim pa viza për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë. Kjo është një çështje që ka një përparësi të lartë për presidencën suedeze", tha Billstrom. Ne, tha ai, do të bëjmë çdo gjë që kjo të zbatohet, por komisioni dhe shtetet anëtare gjatë vjeshtës do të kenë mundësi që të marrin vendimin për liberalizimin e vizave për vendet e posaçme. "Ne besojmë se është një dimension i rëndësishëm rajonal i liberalizimit të vizave dhe unë do të doja që nënvizoja në emër të presidencës suedeze, rëndësinë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me kohë do të mund të përfshihen në këtë regjim të lehtësimit të vizave. Do të donim, gjithashtu, që të inkurajojmë Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën që të përshpejtojnë reformat që janë të domosdoshme, me qëllim që kërkesat për vizat të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për qytetarët e tyre", u shpreh ai. Sa i përket Kosovës, vijoi ai, vendimi për lehtësimin e vizave për qytetarët e këtyre vendeve që unë i përmenda, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia, që Komisioni do ta bëjë gjatë vjeshtës, nuk do të përfshijë qytetarët që jetojnë në Kosovë. Duke ju referuar Shqipërisë dhe Bosnjës, Billstrom vlerësoi se "ne si presidencë suedeze besojmë shumë në udhërrëfyesit, që janë shumë të qartë për të përcaktuar rrugën drejt liberalizimit të vizave. Të gjitha vendet që duan të kenë liberalizim të vizave me BE-në, duhet të përmbushin kërkesat e këtyre udhërrëfyesve". Nëse e bëjnë këtë, tha ai, ata do të lejohen të hyjnë brenda në këtë regjim; nëse nuk e bëjnë, atëherë duhet të presin deri sa t‘i përmbushin kërkesat. "Kjo është një politikë shumë e thjeshtë. Sa i përket udhërrëfyesit, nuk po hyj në hollësi, por ato natyrisht kanë kërkesa të posaçme kur bëhet fjalë për sigurinë, për burokracinë dhe kur bëhet fjalë për politikat e migrimit të BE-së", theksoi Billstrom. Nëse duam që vendet, të cilat i kemi në fqinjësi, të futen në këtë regjim të lehtësimit të vizave, tha ai, duhet të bëjmë të njëjtat marrëveshje për të gjithë, duhet t‘i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë, ndryshe do të përgjigjemi pse i lejojmë disa njerëz të lëvizin në një rrugë të shpejtë, ndërsa të tjerët duhet të presin deri sa t‘i përmbushin kërkesat. "Kjo, besoj unë, do të shihej nga vendet në fjalë si jo e drejtë dhe jo solidare", tha Billstrom. I pyetur nëse ishin zgjedhjet në Shqipëri një nga pikat e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, ai tha se "nuk preferoj të hyj në hollësi, por më e rëndësishmja është që të gjitha vendet që duan të marrin lehtësimin e vizave, duhet të përmbushin kushtet e përcaktuara në udhërrëfyes. Dhe kjo vlen për të gjithë".