E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Miku: Shqipëria, e sigurt drejt BE-së



Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje mbështetjen që Rumania i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në proceset e saj integruese, si dhe në fusha të ndryshme të zhvillimit: ekonomi, kulturë, arsim etj. Z. Berisha takoi ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri, z. George Miku, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Shqipëri. Diplomati George Miku shprehu vlerësimin për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe si dhe kënaqësinë e tij për arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, të cilat do të kurorëzohen me anëtarësimin e vendit në NATO. Ambasadori i shprehu Kryeministrit falënderimet për mbështetjen dhe përkrahjen që qeveria shqiptare i ka dhënë gjatë misionit të tij si ambasador dhe shprehu besimin se kjo përkrahje do t’i ofrohet dhe pasardhësit të tij. Kryeministri Berisha theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë tradita të rrënjosura thellë në histori dhe se ato kanë ende shumë hapësira të reja për t’u çuar në nivele edhe më të larta.

PBK, Roshi: Ish-sigurimsat s’mund t’i shmangen drejtësisë

Ballistët e Artur Roshit apelojnë se ish-sigurimsat e shtetit, të cilët viktimizuan mijëra shqiptarë, nuk mund t’i shmangen më drejtësisë.

Sipas tij, ndarja juridikisht nga e kaluara është thelbësore për një shoqëri me parime. “Shoqëria jonë duhet të edukohet me kulturën se ai që bën krime, do të dënohet një ditë, pavarësisht se për një kohë do t’i shmanget drejtësisë”, - theksoi z. Artur Roshi. Duke folur para bazës së Vlorës, Roshi akuzoi se Partia Socialiste, me një politikë të re të së vjetrës mbron hapur të gjithë ata që kanë dënuar e pushkatuar në emër të sistemit të diktaturës. Duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit, kreu i PBKD-së vuri në dukje se kërkohet forcimi i pozitave të kësaj partie brenda të djathtës, që sipas tij: “Do të thotë të rrisim numrin e votave, aksionet tona elektorale, përfaqësimin tonë politik”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›