E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Koalicioni i Ramës, i korruptuar



Opozita proteston e ndarë më datën 15 mars, ndërkohë që PS-LSI bëjnë luftë protagonizmash me ditën e tragjedisë së Gërdecit. Sipas LSI-së, bashkimi i PS-së është koalicioni i korruptuar i bashkisë dhe i lejeve të ndërtimit. Lëvizja Socialiste për Integrim iu përgjigj dje PS-së me të njëjtën gjuhë pas deklaratës së zëdhënëses së Kryesisë, Mimi Kodheli, se kjo parti nuk është më opozitë. Nuk mund të ndodhte ndryshe, edhe një herë tentativa për të protestuar u kthye në një shkëmbim replikash të ashpra ku palët u impenjuan t’i tregonin “forcën” njëra-tjetrës. Madje situata pritet të jetë mjaft e nxehtë, pasi burimet nga të dyja partitë konfirmuan se protesta do të jetë në të njëjtën orë. PS-ja ishte ajo që provokoi e para kur deklaroi se LSI-ja nuk është më pjesë e koalicionit të madh që ka krijuar. Pas disa orësh, pala tjetër, përmes nënkryetares së saj, Erisa Xhixho, deklaroi se “LSI-së që përfaqëson opozitën e vërtetë të drejtuar nga Ilir Meta, nuk ia cakton dot vendin koalicioni i korruptuar i bashkisë dhe i lejeve të ndërtimit, që drejton Edi Rama”.

Replikat

Mund të konsiderohet e dështuar çdo mundësi proteste e opozitës për 15 marsin. Mosmarrëveshjet mes PS-së e LSI-së pritet të shkaktojnë të njëjtën situatë si në protestën e muajit shtator të vitit të shkuar pas vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka, protestë që mori tjetër karakter, kur mbështetësit e të dyja palëve dolën në shesh. LSI-ja theu rregullat e protestës së thirrur nga PS-ja, duke shpalosur disa banderola të mëdha kundër qeverisë, çka pala tjetër e konsideroi provokim. Që nga sheshi “Skënderbej” e deri tek Kryeministria, protesta degjeneroi në një sherr mes mbështetësve të dy partive se kush prej tyre do të merrte kryesimin e turmës. Përplasje mes tyre pritet të shkaktohen edhem 15 mars, pasi të dyja palët kanë paralajmëruar protesta. Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Kodheli, lajmëroi organizimin e një proteste ne Tiranë dhe Gërdec me rastin e njëvjetorit të tragjedisë, duke vënë theksin se nuk preferojnë që pjesë e kësaj proteste të jetë LSI-ja. “Nuk kemi pse e ftojmë LSI-në, pasi nuk është pjesë e opozitës ndaj Berishës, po paterica e tij”, - tha Kodheli. Pak më vonë, LSI-ja lajmëroi protesta më të gjera se ato të PS-së, duke i bashkuar edhe një përgjigje për koalicionin. “LSI-ja së bashku me koalicionin e saj të madh dhe real opozitar do të organizojë në datën 15 mars në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë protesta masive kundër qeverisë “Berisha”. LSI-ja dënon publikisht deklaratat e bëra sot nga tellallja e Edi Ramës. LSI-ja i konsideron ato një provokim të ulët të Edi Ramës ndaj LSI-së”, - nënvizoi Erisa Xhixho. Karakteri i protestave pritet të jetë i ndryshëm. PS-ja bëri të ditur se bëhet fjalë për një miting përtej së majtës e së djathtës, pa flamur partish, por me flamurin kombëtar e flamurin evropian. Sa për LSI-në, duket se do t’i qëndrojë besnike parullave të mëdha kundër qeverisë, duke thumbuar në të njëjtën kohë edhe Partinë Socialiste.

Meta: Qeveria të vlerësojë situatën ekonomike

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kërkoi dje që Kryeministri dhe ministri i Financave të mbajnë një qëndrim dhe një vlerësim të tyre për situatën ekonomike në këtë vend. “Ndërkohë, ju e dini se edhe dje unë kam kërkuar një seancë të menjëhershme të Parlamentit, vetëm për të diskutuar lidhur me zhvillimet më të fundit, dhe, ajo çfarë është më e rëndësishmja, me zhvillimet e pritshme, përkeqësuese të krizës ekonomike dhe sociale në vend”, - tha Meta. Sipas tij, pavarësisht nga përpjekjet e ministrit të Financave për të paraqitur edhe një herë tjetër Shqipërinë si vendin më të suksesshëm në botë lidhur me rritjen ekonomike, nuk ka demagogji, nuk ka statistika dhe nuk ka mashtrime që të fshehin krizën e rëndë ku përfshihet edhe Shqipëria, jo vetëm për arsye të efekteve të krizës globale, por edhe për arsye thellësisht shqiptare, ku një nga shkaqet kryesore është pikërisht mungesa e përgjegjshmërisë të kësaj qeverie për të njohur krizën dhe për të bërë një transparencë lidhur me angazhimin dhe programin e mundshëm anti-krizë. “Kjo krizë po përfshin një numër gjithnjë e më të madh biznesesh, e në këtë mënyrë shtresa të tëra të shoqërisë kërcënohen me një varfërim të mëtejshëm dhe me një papunësi akoma më të madhe”, - tha Meta.

Rama: Ndryshimi do të vijë në 28 qershor

Turi i takimeve me vullnetarët e PS-së i kryetarit të kësaj partie, Edi Rama, është ndalur dje në qytetin e Pogradecit. Gjatë fjalës së tij në takim, Rama tha se askush 18 vjet më parë nuk do ta mendonte dot se pas 18 vjetësh Pogradeci do të ishte i papunë, i varfër dhe në dëshpërim social. “Duke u bërë vullnetarë të ndryshimit që Pogradecit i duhet dhe e pret prej 18 vitesh, - iu drejtua Rama vullnetarëve, - ju, së bashku me të gjithë shqiptarët që e duan ndryshimin, do ta bëni të mundur atë në 28 qershor. Ka 18 vjet që politika flet pa pushim dhe pa pushim bën të kundërtën e asaj që thotë. Ka 18 vjet që politikanët e tregojnë varfërinë si shënjestër të luftës së tyre dhe prej 18 vjetësh shtohen shqiptarët e vënë në shënjestër nga varfëria. Miku im, puna nuk është thjesht të rroj unë dhe të rrosh ti, puna është si do të rroj unë dhe ti e të gjithë bashkë në këtë vend”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›