Bosh: Ndihmë Shqipërisë për çështjen e pronësisë
Institucionet ndërkombëtare janë të gatshme të ndihmojnë qeverinë shqiptare për zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes së pronësisë në Shqipëri. Këtë pohoi dje kreu i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i cili mori pjesë në dhënien e certifikatave punonjësve të ALUIZNI-t të cilët u trajnuan për parandalimin e konfliktit të interesit në administratë. Në lidhje me këtë temë, Bosh theksoi se duhen politika për parandalimin e korrupsionit në administratë. Kreu i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i pyetur nga mediat në lidhje me ligjin e legalizimeve, pohoi se ligji është në Gjykatën Kushtetuese, duke mos dashur të komentojë këtë ligj deri në një vendim final nga ana e kësaj gjykate.
OSBE, më 15 mars mbërrijnë vëzhguesit e parë
Procesi zgjedhor i qershorit do të monitorohet nga ekspertët e ODIHR-it të cilët do të nisin punën në mesin e muajit mars. Kreu i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, tha dje se ekspertët e parë të ODIHR-it, të cilët do të monitorojnë procesin parapërgatitor, do të vijnë në Shqipëri më 15 mars. Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, tha njëkohësisht se qeveria shqiptare është gati për zgjedhjet, edhe pse ajo ka kërkuar që të ketë sa më shumë vëzhgues. Vëzhguesit do të monitorojnë listat elektronike, Kodin e ri Zgjedhor, letërnjoftimet e reja si dhe gjithë infrastrukturën zgjedhore. “Qeveria është gati për zgjedhje dhe ka përsëritur shumë herë se do të ketë sa më shumë vëzhgues. ODIHR-i merret me monitorimin e zgjedhjeve dhe do të fillojë me një vlerësim të nevojave, ndërsa vëzhguesit e parë vijnë më 15-16 mars”, - tha Bosh. Ai shtoi se qeveria është gati për këtë proces zgjedhor dhe ekspertët do të monitorojnë këtë proces pune. Në deklaratën e tij për mediat kreu i misionit të OSBE-së në Shqipëri vlerësoi gatishmërinë e qeverisë për të pritur monitoruesit ndërkombëtarë. Ambasadori Bosh e vlerësoi pozitiv faktin që qeveria shqiptare ka përsëritur vazhdimisht se duhet të ketë sa më shumë vëzhgues që të jetë e mundur në zgjedhjet parlamentare. Vetë Kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar institucioneve ndërkombëtare që të monitorojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. Ai ka bërë të ditur se qeveria shqiptarë është e gatshme të pranojë një numër sa më të madh të mundshëm vëzhguesish për këtë proces zgjedhor. Kreu i qeverisë ka dhënë garanci se nga ana e ekzekutivit do të bëhet çdo gjë e mundur për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.