NATO, “Adriatik 3” kthehet në “Adriatik 5”
Vendet ballkanike angazhohen për bashkëpunim mes tyre me synimin e qartë, atë të integrimit atlantik. Nënshkrimi i deklaratave të përbashkëta mes 5 vendeve ballkanike mbylli dje në Tiranë konferencën dyditore "Integrimi euroatlantik dhe sfidat e sigurisë për vendet e Ballkanit Perëndimor”. Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, por edhe Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina vendosën krijimin e një angazhimi të ri bashkëpunimi, me qëllim përshpejtimin e integrimit për të gjitha vendet. Me anë të kësaj marrëveshjeje, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina do të përfitojnë një mbështetje nga ana e Shqipërisë, në një moment kur vendi ynë tashmë është një anëtar i NATO-s. Një kërkesë të tillë këto vende kanë edhe për Kroacinë, por edhe për Maqedoninë e cila pret zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë. Karta “Adriatik 3” u bë “Adriatik 5”, ku qëllimi është i njëjtë, hyrja në NATO. Bashkëpunimi mes vendeve kërkon të krijojë edhe një realitet të ri për sigurinë në rajon. Në realitetin e ri, kur Shqipëria dhe Kroacia do të hyjnë në NATO dhe tri vendet e tjera janë afër saj, pritet që bashkëpunimi të rrisë sigurinë në rajon. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi, duke bërë konkluzionet e këtij takimi, deklaroi që Kartës së Adriatikut i janë shtuar dhe dy vende, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, të cilat aspirojnë të anëtarësohen në NATO. “Si parlamentarë ne angazhohemi që të mbështesim fort politikën euroatlantike të vendeve tona dhe të ndikojmë në parlamentet dhe qeveritë respektive që të realizojmë sa më shpejt reformat e nevojshme për integrim në NATO”, - tha Demi. Pas konferencës dyditore në Tiranë mbi sfidat e reja të sigurisë, Demi u shpreh i bindur se Shqipëria do të hyjë në NATO. “Pas mbylljes së procesit të ratifikimit të Protokollit të NATO-s nga vendet anëtare të kësaj organizate Shqipëria është e gatshme për t'u bërë anëtare e Aleancës në Samitin e prillit”, - tha Demi. E organizuar nga Kuvendi shqiptar, kjo konferencë kishte si qëllim shprehjen e vendosmërisë së vendeve të Kartës së Adriatikut, për thellimin e bashkëpunimit në zbatimin e reformave në fushat politike, të mbrojtjes, të të drejtave të njeriut, sigurisë, ekonomisë, për integrimin në NATO. Dy ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Dejvid Hobs, tha se Shqipëria do të hyjë në NATO. Ai vlerësoi arritjet në reforma që ka bërë vendi ynë.
Berisha, Smith: Britania mbështet Shqipërinë në BE
Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë partner i Shqipërisë në procesin e saj për integrim, si dhe do të ketë mbështetjen e saj politike dhe financiare, por kjo tashmë nëpërmjet programeve të asistencës së Bashkimit Evropian. Kjo iu bë dje e ditur Kryeministrit Sali Berisha gjatë takimit që zhvilloi me z. Antoni Smith, Drejtor për Evropën dhe Marrëdhëniet me Donatorët në Departamentin Britanik për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID), i cili shoqërohej në këtë takim dhe nga ambasadori Britanisë në Tiranë z. Frezër Uillson. Smith theksoi progresin e dukshëm dhe hapat e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria, si dhe reformat dhe ecurinë e procesit të integrimit evropian. Në këtë takim u diskutua rreth mbylljes së misionit të DFID-it në Shqipëri, duke parë zhvillimin dhe progresin e arritur në vendin tonë, si dhe në vende të tjera të Ballkanit. Kryeministri Berisha i shprehu z. Antoni Smith falënderime për ndihmën e madhe që Departamenti Britanik për Zhvillim Ndërkombëtar ka dhënë në Shqipëri gjatë gjithë këtyre viteve, ndihmë kjo që arrin në rreth 20 milionë euro. Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen që me anë të këtij programi bilateral është dhënë në sektorë të rëndësishëm si hartimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, mbështetja për përmirësimin e programeve dhe politikave buxhetore në Ministrinë e Financave, mbështetje për zhvillimin e zonave malore, statistikat etj.