ILDKP: Hetim pagimit të taksave të zyrtarëve
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në bashkëpunim me Tatimet, po verifikon pagimin e taksave të zyrtarëve të lartë të shtetit. Kryeinspektori Adriatik Llalla bëri dje të ditur se verifikimi po u bëhet zyrtarëve që përfitojnë nga ambiente të lëshuara me qera. Sipas tij, janë evidentuar zyrtarë të cilët sigurojnë të ardhura nga pasuri të lëshuara me qera. “ILDKP-ja ka konstatuar se disa prej subjekteve deklarojnë se sigurojnë të ardhura nga dhënia me qera e objekteve të ndryshme. Këto raste janë në proces verifikimi nga ana e Inspektoratit të Lartë, me qëllim verifikimin e shlyerjes së detyrimeve fiskale për të ardhurat që subjektet deklarojnë se realizojnë nga dhënia me qera e objekteve, verifikim i cili realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”, - tha Llalla. Deklarata e kreut të ILDKP-së u bë dje gjatë shpërndarjes së 200 certifikatave trajtimi për punonjësit e administratës publike. Projekti u bë i mundur në sajë të ndihmës së OSBE-së, kreu i së cilës bëri të ditur se duhen politika për parandalimin e korrupsionit. “Të gjithë nëpunësit duhet të plotësojnë formularët e deklarimit të pasurive në mënyrë që ta verifikojmë atë. Ky është vetëm një hap i parë, por duhet të merren dhe shumë të tjerë. Qeveria duhet t’i ndihmojë njerëzit t’i plotësojnë deklaratat e pasurisë”, - u shpreh Bosh. Në fokus të trajnimeve ishin punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, si dy prej institucioneve qendrore, ALUIZNI-t, Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë Qendrore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Kreu i ILDKP-së u shpreh më tej se do të rritet kontrolli mbi deklarimet e pasurive të zyrtarëve. “Inspektorati i Lartë do të ndjekë në vazhdimësi strategjinë, e cila tashmë ka filluar të konkretizohet, nëpërmjet së cilës ILDKP është i angazhuar të forcojë rolin kontrollues për sa i përket zbatimit të ligjit mbi konfliktin e interesave në institucionet publike, duke aplikuar në këtë mënyrë sanksionet dhe masat shtrënguese të parashikuara në ligj”, - tha Llalla.