E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, statusi i ri i ushtarakëve shqiptarë



Përpara hyrjes në NATO, Kuvendi do të ratifikojë disa marrëveshje, të cilat përcaktojnë detyrimet e reja të Shqipërisë në këtë organizëm. Janë 5 marrëveshje, të cilat përcaktojnë privilegjet dhe detyrimet që ka vendi pas hyrjes në NATO. Një nga marrëveshjet përcakton edhe privilegjet që përfitojnë ushtarakët e një vendi anëtar. Me hyrjen e Shqipërisë në NATO pritet të rritet numri i ushtarakëve shqiptarë, të cilët do të punojnë në vendet e tjera anëtare. Numri i tyre do të vijë në rritje dhe krahas pagesës në kushte të barabarta me ushtarakët e tjerë të vendeve anëtare, ata do të gëzojnë një status të veçantë. Punonjësit e NATO-s, të përcaktuar si përfaqësues të shtetit shqiptar në shtete të tjera, ata dhe familjarët e tyre gëzojnë të njëjta privilegje me ato të trupit diplomatik. Për sa u përket pagave të ushtarakëve me mision jashtë vendit, do ta kenë të njësuar me shtete e tjera të NATO-s, ndërkohë që vetë strategjia e qeverisë shqiptare përcakton se vetëm në pak vite, ushtria do të jetë profesioniste dhe me pagesë. Njëkohësisht për punonjësit shqiptarë që do të punojnë për NATO-n, pagat dhe shpërblimet e tyre përjashtohen nga taksat. Pas një viti nuk do të ketë më shërbim ushtarak të detyruar, ndërsa rekrutimet do të bëhen në bazë aftësish dhe dëshire, e shoqëruar me një pagë mesatare për ushtarët e thjeshtë. Për sa u përket oficerëve, trajtimi financiar ka filluar të rritet, në vazhdimësi do të integrohet me pagat e homologëve të vendeve të tjera të zhvilluara. Një tjetër marrëveshje është ajo e NATO-SOFA, e cila përcakton sjelljen e ushtarakëve shqiptarë gjatë shërbimit në vende të tjera. Punonjësit shqiptarë, ushtarakë apo civilë, do të duhet të zbatojnë ligjet e shtetit në të cilin ata do të shërbejnë. Ata do të pajisem me karta të posaçme identiteti, të cilat do të vërtetojnë se ata u përkasin Forcave të Armatosura të NATO-s. Karta do të lëshohen nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Një tjetër detaj i kësaj marrëveshjeje është se ushtarakët shqiptarë që do të punojnë jashtë vendit, do të duhet të dinë gjuhën angleze ose atë frënge. Mosditja e njërës prej këtyre gjuhëve bën praktikisht të pamundur që një ushtarak shqiptar të mundet të emërohet me një mision në botë. Një detaj tjetër në këtë marrëveshje është se gjatë udhëtimeve, ushtarakët do të mund të transportojnë një numër të caktuar pajisjesh pa doganë, si veshje apo ushqime që për njerëzit e zakonshëm është e pamundur t’i kalojnë pa paguar taksa. Lejohet të transportoje mallra deri në atë masë sa vërteton se i ka për përdorim vetjak. Për të gjitha shpenzimet, do të ketë një buxhet të përcaktuar si “Buxheti ndërkombëtar”, i cili shpenzohet me anë të kërkesave që do të bëjë vetë Shtabi i Përgjithshëm. Një tjetër marrëveshje që do të ratifikohet është edhe Marrëveshja e Otavës, e cila përcakton se NATO ka imunitet financiar. Kjo marrëveshje përcakton se Aleanca ka liri veprimi, duke bërë të mundur që vendi ynë të përfitojë investime nga NATO, për qëllime ushtarake dhe në infrastrukturën militare. Vetë organizata ka pronat dhe asetet e saj, të cilat i përdor për qëllimet e veta. Marrëveshja e fundit ka të bëjë me dëshirën e Shqipërisë në rast se do të hyjë në NATO ose jo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›