E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ministria e Shëndetësisë po shqyrton sistemin e specialiteteve në mjekësi

TIRANE- Kyeministri Sali Berisha deklaroi të mërkurën se ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Rektoratn e Universtitetit të Mjekësisë, po shqyrtojnë sistemin e specialiteteve në mjeksi për të gjetur zgjidhjen më të mirë.
Gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi me banorë të Urës Vajgurore, Kryeministri informoi se specializimet e mjekëve janë një çështje që duhet parë mbi bazën e interesit të rajoneve të vendit.

"Qeveria është e detyruar të caktojë kuotat mbi bazën e një rajonizimi, në mënyrë që t'u garantojë qytetarëve një listë shërbimesh të specializuara, sipas popullatës apo territorit. Ky rregull i rajonizimi të sistemit shëndetësor është i rëndësishëm", tha ai.
Kreu i qeverisë u shpreh se sistemi i tanishëm kërkon që për qarqe të caktuara të programohen specialitete të caktuara në shërbim të qytetarit. Këta mjekë që specializohen, tha ai, do t'i paguajmë dhe kjo është normale. Por, theksoi Kryeministri, ndodh që numri i kërkesave nga mjekët për një specializim të caktuar është disa herë më i madh se sa kuota e përcaktuar. Qeveria, informoi Berisha, nuk mund t'i paguajë ata më me lekët e taksapaguesve.

"Qeveria me taksat tuaja do të paguajë për specializimin e një kuote të caktuar dhe mbi bazën e kontratave këta mjekë duhet të vijnë të punojnë në qarkun e caktuar dhe sipas kontratës t'i shërbejnë qytetarit", deklaroi Kryeministri. Ne, tha ai, po e studiojmë edhe një herë sistemin e specialiteteve.

Një tjetër çështje që u ngrit gjatë bashkëbisedimit ishin edhe investimet në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve si dhe sistemit të vaditjes. Kryeministri, duke i konsideruar këto si çështje jetike për qytetarin, informoi se në shtator do të nisë një investim prej 60 milionë eurosh për sistemin e vaditjes në vend. Po ashtu, tha ai, janë në proces edhe një sërë projektesh me vlerë 2 miliard lekë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›