E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Miratuam buxhetin me te madh ne historine e tij

Kryeministri Berisha u përqëndrua sot, gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave tek ekonomia në tërësi dhe buxheti, i cili u miratua dje në Parlament. Duke e cilësuar këtë buxhet si më të madhin në historinë e vendit, kryeministri theksoi se ai do të përmbushë në vazhdimësi realizimin e projekteve madhore të zhvillimit të Shqipërisë.

Kryeministri theksoi se qeveria e bazon këtë buxhet në perfomancën e ekonomisë shqiptare dhe funksionimin e modelit të suksesshëm ekonomik që ka garantuar çdo vit rritjen ekonomike, ndër më të lartat ne Evropë dhe në botë edhe në kulmin e krizës së thellë ekonomike, model i cili ka garantuar brenda një harku të shkurtër kohor, rritjen e investimeve të huaja ne vend, trefishimin e eksporteve, mbidyfishimin e rrogave të ulëta, të mesme dhe pensioneve, etj

Kryeministri falenderoi opozitën për diskutimet në parlament lidhur me buxhetin, duke shprehur njëkohësisht keqardhjen për disa propozime, të cilat, u shpreh kryeministri, synonin zëvendësimin e mekanizmit të modelit të tregut të lirë me modelin marksist të ekonomisë. “Ideja e tyre për të zëvendësuar taksën e sheshtë me taksën progresive është ideja e shkatërrimit të mekanizmit të suksesit ekonomik të reformave, një model universalisht i njohur si sukses, që kërkohet të rrënohet me slogane populiste, marksiste, të luftës kundër të pasurve.” u shpreh kryeministri.

Ndër të tjera, kryeministri kërkoi nga Ministria e Financave, procedimin në një kohë sa më të shpejtë, për vendosjen e sistemit, përmes së cilit çdo qytetar shqiptar do të mund të njihet me të gjitha shpenzimet e bëra në administratën e shtetit. “Ne do të bëjmë transparencë të plotë të çdo qindarke që shpenzojmë. Qytetarët duhet ta dinë se ku dhe si shpenzohen taksat e tyre dhe ministria e financave po punon për të vendosur këtë sistem që është sistemi më transparent për të kontrolluar shpenzimet.” tha kryeministri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›