Berisha :Mjekët në punë me kontrata të përkohshme
Reforma e re në shëndetësi, që ndër të tjera parashikon edhe testimin në periudhë pesëvjeçare të mjekëve, do të sjellë një tjetër ndryshim në mënyrën se si bluzat e bardha rekrutohen në shtet. Kryeministri Berisha bëri dje të ditur se mjekët do të punojnë me kontrata të përcaktuara qartë, që do të rinovohen në bazë të kritereve të paravendosura.
Mjekët nuk do të zënë vendin e punës njëherë e mirë, por do të testohen me provime dixhitale, ku më pas do të vendoset për ripërtëritje kontrate ose ndërprerjen me pushimin nga puna. Kjo ka qenë kërkesa e Kryeministrit Sali Berisha dje gjatë mbledhjes me Task-Forcën. Kreu i qeverisë ka vlerësuar se realizimi i reformës në shëndetësi vjen me zbatimin e sistemit të kontratave.
Kontratat
“Nuk ke pse të zësh vendin e punës njëherë e mirë, në rast se nuk i del zot punës tënd, - sipas Kryeministrit. - Suksesi i kësaj reforme është kontratë dhe dalja zot kontratës me gjithë përkushtimin e duhur. Nuk ke pse të zësh vendin e punës njëherë e mirë, në rast se nuk i del zot punës tënde. Duhet të jesh me kontratë të caktuar dhe për këtë duhet të përcaktoni kriteret më të mira. Raitingu është i domosdoshëm, provimi dixhital dhe i padepërtueshëm nga korrupsioni është i domosdoshëm”.
Për këtë kreu i qeverisë i kërkoi Task-Forcës të bëjë çdo gjë, derisa reforma në sistemin e shëndetësisë të konsolidohet. Berisha vlerësoi se reforma në këtë sektor është një përparësi absolute e kësaj qeverie. Një drejtim kryesor në reformën në sektorin e shëndetësisë, Kryeministri përmendi inkurajimin dhe zhvillimin e sektorit privat, por kjo në asnjë mënyrë, duke hequr dorë nga sistemi publik, përkundrazi. “Shteti dhe qeveria duhet të kenë përqendrim total në përmirësimin më të madh të sektorit publik, duke përdorur të gjitha rrugët e partneritetit me sektorin privat, fuqinë menaxhuese të këtij sektori. Ne duhet të mbajmë shkencën, të mbajmë cilësinë, të mbajmë klinikën, të mbajmë disiplinën, të mbajmë përgjegjësinë, të mbajmë raitingun”, - u shpreh Kryeministri.
Reforma
Duke iu referuar nevojës së madhe për ecjen para të reformës në shëndetësi, Kryeministri theksoi se duhet të përcaktohet jo vetëm i gjithë projekti i kësaj reforme, por edhe plani i veprimit për zbatimin e saj, në mënyrën më të vendosur. “Është e domosdoshme të përzgjedhim se cilit model duhet t’i përmbahemi. Parimet mbi të cilat ndërtohet kjo reformë, janë të vërteta për Shqipërinë, për Francën, Gjermaninë e çdo vend dhe nuk ka dy standarde në këto parime”, - vijoi Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi hapat e deritanishëm në këtë drejtim, por theksoi se tashmë duhet të finalizohen këta hapa. “Ne e nisëm këtë reformë dhe janë hedhur disa hapa, të cilat tani, në raportin e blerësit dhe shitësit të produktit, duhet të finalizohen. Nuk mund të ecim para pa ditur se sa kushtojnë dhe se cili është shpenzimi që duhet të bëjmë. Ky është kushti i parë. Duhet të përfundojmë reformën sa më parë në këtë drejtim, por nuk mund të bëjmë reformën pa dixhitalizimin e plotë, total e përfundimtar të sistemit tonë shëndetësor”, - tha Kryeministri.
Berisha tha se që kjo reformë të finalizohet, duhet së pari të fillojë në Tiranë, në Qendrën “Nënë Tereza” dhe në institucionet e tjera spitalore universitare, pasi fuqia rrezatuese e tyre në periferi është shumë e madhe.