E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtime dhe zhdëmtime

Para disa ditësh shiu më zuri në rrugë, ndaj u detyrova t’i nxjerr dorën një taksie që kalonte atypari. Si zakonisht, biseda me taksistin dhe berberin është një kënaqësi e veçantë. Çfarë sharmi kanë në të folur! Ata dinë gjithçka që ndodh në këtë qytet. Edhe ato që gazetarët më të mirë investigues nuk i dinë tamam. Ishte pak i stresuar nga qarkullimi i dendur, pse jo edhe nga njerëzit që ecnin paksa në mënyrë kaotike, gati në mes të rrugës.
“Dhe pastaj, kur i shtyp ndodh gjëma”, - më foli. - “Le që bie në burg, por të vijnë edhe të afërmit e njeriut të plagosur dhe të kërkojnë dëmshpërblimin për dëmtimin e bërë, le të mos kesh faj”.
“Çfarë? Çfarë?”, - gati sa nuk iu ktheva përballë, duke rrezikuar t’i zë pamjen e xhamit të përparmë të taksisë.
“E mor profesor, nuk i dini gjërat e vërteta ju! Ka një treg informal zhdëmtimesh në Tiranë, ku njeriu vihet përballë njeriut. Masa e dëmshpërblimit varet edhe nga dëmi i shkaktuar, por edhe nga pozita e më të fortit. I lajmë hesapet pa shtet. Ta zëmë 80 mijë euro për dikë të aksidentuar për vdekje, sigurisht pas burgut, po e po. Për një plagosje varet nga madhësia e dëmit, por edhe nga organi trupor i thyer. Ka çmim të jetës dhe për çdo organ më vete. Shoqëri tregu, jo shaka. Kur familjarët janë të butë mund të përfitosh edhe skonto”.
Xhami i përparmë i autoveturës mbushet me rrëkera të shpejta uji me shi. Fshirëset përpiqen ta pastrojnë, por nuk ia arrijnë dot.
“Nuk është se nuk ka sigurim për dëmet që u shkakton të tretëve. Edhe Kodi Civil e parashikon zhdëmtimin e dëmeve shkaktuar të tjerëve. Bile sigurimi pranë një kompanie për dëmet që mund t’iu shkaktosh të tretëve me automjetin tënd është i detyrueshëm. Pra, ka një kuadër ligjor. Këto që ndodhin pastaj vijnë për arsye të tjera. Janë edhe vazhdë mendësish kanunore, të painstitucionalizuara”, - ma shpjegon bukur dukurinë shoqërore i afërmi im që punon në këtë sektor.
Kridhesh në mendime sidoqoftë.
Ka një jetë të vërtetë informale poshtë asaj që rregullohet me norma juridike.
Jeta e vërtetë.
Nuk jam as civilist, as specialist i sektorit të sigurimeve. Por, si qytetar, kam një shqetësim që mbasi më ndizet në kokë, nuk më lejon të fle rehat dhe as të punoj për gjë tjetër. Hap Kodin Civil dhe shoh kapitullin e dëmtimeve që u shkaktohen të tretëve. E krahasoj me ato që ndodhin realisht në shoqëri dhe më duket tejet i vakët, evaziv, i tejkaluar nga koha. E krahasoj me realitetin e përditshëm dhe mënyrat e kodifikimit evropian të zhdëmtimeve të të tretëve dhe boshllëqet e tij më bëhen edhe më të thella.
Përse jetojmë kështu si barbarë në një realitet natyror, pra të parregulluar deri në imtësi me kode, norma, rregulla?
Kjo bën pastaj që drejtësia të vendoset në mënyrë horizontale si sherr, ballafaqim, agresivitet i njeriut me njeriut.
Sa vrasje, plagosje, inate, krijohen pikërisht sepse njeriu i shkretë është i detyruar ta vendosë apo ta pësojë drejtësinë e vetes apo të tjetrit në mënyrë personale?
E kam quajtur “drejtësi horizontale të fragmentizuar”. Sigurisht për ta zbukuruar pak. Një lloj eufemizmi. Jo për oportunitet, por sepse na mbyti mizerabilizmi linguistik.
Duket sikur pjesërisht jetojmë brenda kuadrit të një shteti ligjor dhe gjysma tjetër e jetës sonë të përditshme shtrihet, si këmbë të gjata jashtë një jorgani të shkurtër, përtej jetës institucionale, në një të drejtë kanunore ose në një drejtësi të vendosur rast pas rasti, më keq, si një larje hesapesh midis nesh, rrethesh miqësore, krushqish, fqinjësh.
Nuk është fjala vetëm për dëmet e shkaktuara ndaj të tretëve, kur dikush ndodhet duke drejtuar një automjet. Përtej kësaj, dëme të tretëve mund t’u shkaktojmë edhe duke ecur me biçikletë, duke vrapuar ose edhe duke ecur, duke ndrequr një çati shtëpie, duke hapur një kanal, bile edhe duke i ndihmuar. Është një përgjegjësi civile që ka të bëjë me zhdëmtimin e personave të dëmtuar. Kodi Civil na detyron t’i zhdëmtojmë. Por, nganjëherë dëmi është kaq i madh monetarisht saqë personi dëmtues nuk ka mundësi të zhdëmtojë ose nuk dëshiron ta zhdëmtojë. Grindet mileti se kush e pati fajin dhe bën aty për aty vetëgjyqësi. Vetëgjyqësinë e prodhojmë boshllëqet normative.
Aq më shumë që personi i dëmtuar për t’u dëmshpërblyer duhet t’i drejtohet një gjykate ndërkohë që dihet se çfarë procedurash të vështira ka për ta hapur një çështje gjyqësore dhe aq më shumë për ta çuar atë deri në fund. Kohë e gjatë, shumë kokëçarje. Në rrugë individuale shlyerja e dëmit kërkon një vlerësim. Po kush do të vlerësojë dëmin dhe rrethanat e tij? Palët i hyjnë kështu një konflikti të gjatë që gëlon gjithandej e që e dëgjojmë në mijëra variante të copëtuar anekënd.
Duke parë përvojën e sotme evropiane, kupton se përse thonë që shoqëria e sotme është ajo e normave. Asgjë nuk mbetet e panormativizuar. Nuk mjafton që ligja të parashikojë detyrimin për të zhdëmtuar të tretin, por ka ardhur koha të parashikojë medoemos edhe detyrimin për t’u siguruar për dëme që mund t’iu shkaktosh të tretëve. Përndryshe ligja nuk ka vlerë. Kuotizimi të krijon mundësinë që kur ndodh e keqja, ke dëmtuar të tretë, të jetë kompania e sigurimeve i së cilës je klient, që të shlyejë dëmin. Kompania ku tjetri, i dëmtuari, ka siguruar sendet dhe pronën e tij hyn në kontakt me kompaninë ku dëmtuesi është siguruar pikërisht për këtë ditë halli, pra kur i duhet të shlyejë dëmin që i ka shkaktuar tjetrit.
Ja cila është arsyeja se përse edhe duhet bërë i detyrueshëm sigurimi i pronës personale. Nuk mund të thuhet se meqë është banesa ime, po të dua e siguroj, po të dua jo. Pyes në telefon një sociolog evropian, i specializuar në marrëdhëniet e pronësisë: “Përse është e detyrueshme, jo vullnetare, sigurimi i shtëpisë pronë personale?” “Po, kjo është e qartë vetiu, - më përgjigjet. - Sepse me dëmin që kam pësuar unë, pa e riparuar, mund t’i shkaktoj një dëm edhe tjetrit, pra komshiut tim. Zjarri ka dëmtuar shtëpinë time, por me dëmtimet që kam pësuar, dëmtoj edhe shtëpinë e tjetrit”. Pra, vetëm duke siguruar banesën time, mund të sigurohem pranë një kompanie sigurimesh edhe për dëmet që pa dashje, pa bërë unë vetë asnjë veprim a mosveprim, mund të dëmtoj tjetrin, ta zëmë komshiun tim. Me dëmtimin tim dëmtoj pa dashje edhe tjetrin. Tjetri ka nevojë që të ndihet i sigurt, pra që dëmet e mia do të riparohen. Pastaj mund të dëmtoj interesat e fëmijëve të mi. Ndërsa kur është fjala për dëme masiv, me çfarëdo prejardhjeje që të kenë, mund të krijohen probleme sociale që venë në rrezik edhe shtetin”.
Nuk ka banesa të pasiguruara në Evropë. Specialistët le të shohin statistikat.
Nuk flas për rastin tonë, kur mijëra e mijëra qytetarë kanë blerë banesa, apartamente, kanë ndërtuar, paguajnë taksën e pasurisë, por nuk kanë të drejtë ta sigurojnë si duhet të mirën e tyre për shkak se nuk kanë akte pronësie. Nuk kanë asnjë tapi. Detyrimet i paguajnë, të drejtat nuk i kanë.
Shoh Kodin Civil dhe bie në mendime. Edhe unë vetë mund t’i shkaktoj një dëm vetes sime. Aksidentalisht. Përse nuk merret parasysh ky rast në formulim? Çdonjëri që punon, jo vetëm në një profesion prodhues a shërbimesh, por edhe në një administratë mund të pësojë dëme jo për shkak të tij në vendin që punon. Një prizë elektriku e vendosur jo mirë, korridori i rrëshqitshëm, një dritare e thyer nga fryn era e hyn ngrica gjithandej, lokale të pangrohura... A detyrohen të sigurohen këto institucione për dëmet që mund të pësojnë atje punonjësit e tyre? Po të bëhej kjo, do të shihej se nuk do të mbetej shkollë qyteti a fshati e pafurnizuar me dru zjarri për ngrohje. Përndryshe, për çdo gjendje gripale do të paguante zhdëmtime sa qimet e kokës.
A nuk duhet të bëhet e detyrueshme që prindërit të sigurojnë fëmijët e tyre minorenë për dëmet që mund t’u sjellin këta të fundit të tretëve në shkollë a kopshte, a në rrugë? Patjetër. Përse këtë zhdëmtim ta mbajë mësuesi në çdo rast?
Nuk shihet kurrkund detyrimi për të zhdëmtuar i fuqisë publike, qoftë ky shteti apo pushteti lokal. Edhe fuqia publike për shkak të një sërë rrethanash mund t’u shkaktojë dhe u shkakton dëme qytetarëve të tij. Kjo ndodh në çdo vend të botës. Nuk është e mundur shoqëria e përkryer, pa dëmtime, problemi është se sa detyrohet me ligj që shteti apo pushteti lokal të sigurojnë të mirat publike që kanë nën administrim. Kjo duhet të bëhet e detyrueshme. Sa autovetura dëmtohen nga rrugët qytetase që janë jashtë standardeve? Puseta të hapura, kanale të pasinjalizuara me shenjat përkatëse, ndriçim i dobët. Ku do të zhdëmtohet individi për dëmet që i janë shkaktuar? Rruga gjyqësore është pothuajse e pamundur. Kjo do të sillte një tejngopje të gjykatave, kurse nëpërmjet sigurimit të të mirave publike, edhe për dëmet ndaj të tretëve, nga ana e administratave të fuqisë publike çështjet zgjidhen më shpejt dhe në mënyrë më të drejtë.
Edhe fuqia publike mund t’u shkaktojë dëme personave individualë të tretë. Kjo duhet zhbiriluar dhe detajuar si duhet sipas standardeve evropiane dhe jo të anashkalohet. Të gjitha këtej do të kishin të mira. Edhe fuqia publike, qendrore apo pushteti lokal, nëpunësi i tyre do të ishte më i përgjegjshëm për administrimin e të mirave që ka në ngarkim, por edhe qytetari do të ndihej shumë më i mbrojtur. Pa pasur nevojë të shkojë në dyert e gjyqeve në çdo rast. I drejtohet kompanisë së tij të sigurimeve dhe janë ekspertët e saj, jo medoemos në rrugë gjyqësore, që në negocim me ekspertët e kompanisë ku është siguruar fuqia publike, caktojnë shkallën dhe rrethanat e dëmit dhe përcaktojnë shkallën e zhdëmtimit.
Ka norma për këto, nuk duket të jetë shumë e vështirë.
Sepse ligja parashikon edhe rastet kur tjetri na dëmton shëndetin nëpërmjet prishjes së cilësisë së ajrit apo për rrethana të tjera.
Ndodhi përmbytja në zonën e Shkodrës. Është për t’u përshëndetur zotimi i fuqisë publike për të zhdëmtuar banorët e dëmtuar nga një veprim i imponuar nga rrethana të jashtëzakonshme. Edhe opozita deklaron se do ta ndjekë këtë proces zhdëmtimi derisa ai të realizohet. Shumë mirë. Ata njerëz kanë nevojë për përkrahjen pa kufij e pa kushte të shtetit.
Por, si do të behët ky zhdëmtim për raste të tjera? Përse ndërmarrjet e mëdha publike të mos zhdëmtojnë sipas një mekanizmi bashkëkohor që kalon nëpërmjet agjencive të sigurimit për dëmet e shkaktuara të tretëve?
Do të mendoja që opozita këtë duhej të kërkonte të zbatohet në të ardhmen dhe nuk ka përse bëhet thjesht vetëm survejuese e realizimit të premtimeve të qeverisë.
Është ndërmarrja që e shkakton dëmin, po ajo që duhet të zhdëmtojë nëpërmjet mekanizmit të sigurimeve.
Përse jo nga buxheti i shtetit në të ardhmen?
Sepse ndërmarrjet në fjalë nuk do të administroheshin si duhet duke marrë parasysh edhe përmasën e riskut. Një ekonomi që nuk merr në konsideratë edhe përmasën e riskut, nuk administrohet si duhet edhe kur është fjala për administrim publik.
E dyta, sepse kur merr një vendim për të vepruar me pasoja, duhet të bëjë mirë llogaritjet mes së mirës dhe riskut që krijon dëme për të tretët.
E treta, sepse nëpërmjet buxhetit të shtetit, zhdëmtimi bëhet një çështje e politizuar. Nuk ka nevojë të mblidhet Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme, që na kujton kohëra të shkuara, kur është fjala për zhdëmtime. Janë çështje kompanish sigurimesh që e zgjidhin çështjen mes ekspertëve të tyre ose në rrugë gjyqësore.
Është një çështje civile dhe nuk është një çështje politike.
Tjetër se çfarë duhet të bëjë fuqia publike në kushte emergjence.
E pastaj është më e drejtë. Përse, ta zëmë, një banor i Korçës duhet të preket, meqë buxheti i shtetit duhet të zhdëmtojë dëme që i ka sjellë qoftë edhe pa dashje jo i gjithë kombi, jo i gjithë shteti, jo e gjithë masa e qytetarëve, por vetëm një ndërmarrje publike e veçantë?
Kështu, çdo drejtues do ta dijë mirë se për dëmet që shkakton me ose pa dashje, është ai dhe ndërmarrja e tij që do të përgjigjet dhe jo shteti me thesaret e tij buxhetore. Rendimentin dhe racionalitetin e drejtimit të tij nuk do ta fshehë pas shpenzimeve që do të bëjë buxheti i shtetit, por nga fitimet e nxjerra dhe nga humbjet e pësuara si rezultat i përballimit të zhdëmtimeve shkaktuar të tretëve.
Se ja, ta zëmë, sa është rentabiliteti i një ndërmarrjeje hidroenergjitike kur balancojmë fitimet e saj me dëmet që buxheti i shtetit duhet të paguajë për pasojat e shkaktuara ndaj të tretëve? Duhet t’i dimë. Nuk duket se është më një ndërmarrje rentabël së paku për atë vit? Sigurisht që çështja vihet në dyshim.
Në këtë rast edhe ndërmarrjet administrohen më mirë meqë do të mendojmë më shumë edhe për evitimin e risqeve, çka kërkon investime afatgjata, projekte studimorë afatgjatë. Ky është zhvillim i qëndrueshëm. Përndryshe, kurrë nuk do të mendohet për këto gjëra nga ana e menaxherëve. Nuk është shteti si mekanizëm abstrakt që drejton. Nuk ka arsye që buxheti i shtetit të bëhet mbulesa e problemeve që krijohen nga menaxhimet sektoriale, sepse, përndryshe, çështja nuk përfundon kurrë. Nuk zgjidhet me solidaritet mbarëkombëtar. Lekët për këto zhdëmtime dalin nga xhepat e qytetarëve dhe nuk janë dhurata që bëhen. Fjala solidaritet është një fjalë politike, morale, kurse problemi është shumë tekniko-juridik.
Plotësimi i këtyre aspekteve juridike është një detyrim për një reformë të vonuar dhe shumë të ngadaltë në drejtësi. Reforma në drejtësi ende nuk po shihet si një veprimtari që në radhë të parë ka si objektiv prodhimin e një kuadri normativ të plotë. Duhet të jetë një reformë e mbështetur në koncepte të reja ligjore dhe nuk është thjesht një çështje raportesh pushteti brenda gjyqësorit apo midis tij dhe pushteteve të tjerë. Kam përshtypjen se kjo e dyta po na harxhon shumë kohë.
Futja e konceptit të sigurimit të zhdëmtimit të të tretëve në një përmasë shumë më të fuqishme dhe teknike sesa deri tani, ende në stade foshnjore, do të na ballafaqojë më standarde evropiane. Nuk mund të merret dot gjykata me to. Nuk është punë e saj, mbi të gjitha sepse fillimisht duhet të ketë palë. E në kësi rastesh nuk ka përse të jenë palë individët me njëri-tjetrin. Kjo gjë prodhon sherre pa fund, duke na bërë të jetojmë përgjysmë. Gjysmë në një gjendje institucionale, gjysmë në një gjendje natyrore, në një ballafaqim fizik, psikologjik, dhune me të tjerët. Aq më shumë që në dëmet e shkaktuara ndaj të tretëve, edhe fuqia publike, qendrore apo lokale, duhet të vendoset në të njëjtin status sikurse edhe individi që shkakton dëm për të tjerët. Të sigurojë të gjitha të mirat që administron, dëmet e shkaktuara të tretëve, para një qytetari të siguruar me detyrim. Në këtë mënyrë ballafaqimi mes palëve nuk do të ishte më i pabarabartë sikurse është tani: pushtet publik - qytetar; bashki - qytetar, ku qytetari gjithmonë është i pambrojtur për dëmet që pëson, por si një ballafaqim i drejtë, civil, mes qytetarit të përfaqësuar nga kompania e tij e sigurimeve dhe shtetit a bashkisë a ndërmarrjeve publike të përfaqësuara nga kompanitë e tyre të sigurimeve.
Pushteti dhe individi do të ballafaqohen me mjete të barabarta institucionale: kompanitë e tyre të sigurimeve.
Ka ardhur koha që niveli ynë i demokracisë të tejkalojë fazën e një koncepti të ngushtë politik të demokracisë, duke u shndërruar në një demokraci të mbështetur në një bazë normative që rregullon jetën tonë të përditshme mbi baza të drejta dhe të barabarta e mbi të gjitha, efikase

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›