Liberalizimi i vizave:Basha merr vlerësime për punën e kryer nga Austria
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka marrë vlerësime nga Austria për punën e kryer nga qeveria shqiptare për realizimin e heqjes së vizave me vendet e BE-së. Ai ka zhvilluar një takim me ministren e Brendshme të këtij vendi, Maria Fekter, ditën e djeshme në Vjenë, ndërkohë që është nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi. “Shqipëria ka bërë shumë përparime në plotësimin e kushteve për heqjen e vizave. Ekipet e ekspertëve janë të bindur dhe kanë vlerësuar suksesin e vendit tuaj lidhur me sigurinë e dokumenteve, e konkretisht me procesin e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike. Unë jam e bindur se ky sukses i arritur do të vlerësohet dhe shqiptarët do të lëvizin shumë shpejt pa viza”, - deklaroi Fekter. Ndërsa numri një i Ministrisë së Brendshme u shpreh i bindur, se puna e kryer nga qeveria shqiptare do të vlerësohet pozitivisht nga ekspertët evropianë.
“Jam i bindur se puna që kemi bërë, e cila do të verifikohet nga ekspertët në muajin shkurt, do të rezultojë në një vlerësim pozitiv nga KE. Ajo që kam kërkuar në mënyrë të veçantë është që menjëherë pas paraqitjes së opinionit pozitiv nga komisioni, Këshilli i Ministrave ta shqyrtojë pa humbur kohë dhe ministrja e Brendshme më siguroi për mbështetjen e plotë të saj dhe Austrisë, mbështetje e cila ka qenë e gjithanshme për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin evropian të vendit”, - deklaroi Basha.
Në takim, një pjesë të veçantë e zuri edhe informimi mbi progresin e Shqipërisë në fushën e sigurisë së dokumentuar. Lidhur me këtë rast, Basha falënderoi qeverinë austriake për ndihmën dhe asistencën e vazhdueshme të dhënë në këtë drejtim. Sipas ministrit të Brendshëm, “460 mijë aplikime të deritanishme dhe standardet më të larta ndërkombëtare që zotërojnë pasaportat biometrike shqiptare, janë tregues të qartë se Shqipëria është në pozita më të konsoliduara se të gjithë vendet e rajonit, përfshirë vendet që përfituan liberalizimin e vizave me BE fundvitin e kaluar, në fushën e pajisjes së qytetarëve me dokumente të sigurta”. Ndërsa memorandumi i mirëkuptimit i firmosur nga të dy ministrat ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së brendshme. Ndërkohë që gjatë takimit të zhvilluar u nënshkrua një marrëveshje tjetër mes Shqipërisë dhe Austrisë, mbi ndihmën e ndërsjelltë në rast të katastrofave dhe fatkeqësive të mëdha. Qeveria austriake ka ndihmuar gjatë përmbytjeve të ndodhura në zonën e Shkodrës dhe nisur nga kjo ministri shprehu falënderimet për ndihmën e dhënë. Një temë tjetër me rëndësi e takimit ishte edhe ajo e bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar e luftën kundër trafiqeve të paligjshme. Dy vendet do të bashkëpunojnë në shkëmbimin e përvojave policore, si dhe në trajnimin policor e efektivave të policisë.