E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha; Mjerë Shqipëria, po ra në dorë të Ramës

Nga periferia e Tiranës, Kryeministri Sali Berisha i drejtohet kreut të PS-së, se nuk e ka të gjatë në politikë për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme. Duke e kritikuar si kryetar bashkie dhe duke e sulmuar politikisht si kryetar të PS-së, Berisha i vuri në dukje kundërshtarit Rama: “Mjerë Shqipëria po ra në dorën tënde”. Berisha lëshoi një sërë akuzash për shpifje, trillime nga më monstruozet dhe keqmenaxhim të Bashkisë së Tiranës. Berisha i kujtoi Ramës fëmijërinë, kur sipas tij, lëpinte bustet e diktatorit Hoxha. Gjatë përurimeve të një sërë investimesh në zonën e Kamzës, Kryeministri Berisha kritikoi kundërshtarin politik, duke e cilësuar të degraduar politikisht. Madje, Berisha ironizoi duke thënë se nuk ka ilaç që t’i ulë temperaturën e ngritur Edi Ramës. Duke e akuzuar se shpifjen, trillimin e ka shndërruar në shtylla kryesore të politikës së tij rreckë, i vuri në dukje se tashmë është pa asnjë të ardhme. Para banorëve të Kamzës, Berisha deklaroi: “Zoti kryetar nuk ka ilaçe, nuk ka sulfate që të ulin temperaturën tënde, je i pashpresë. Qeveria i ka dhënë paratë dhe nuk zgjidh problemin e shkollave në kryeqytet, çfarë problemi mund t’i zgjidhë Shqipërisë që pretendon. Mjerë Shqipëria po ra në duart e tij”. Më tej, ai shtoi, duke iu referuar përsëri Ramës se “ai flet për Sali Berishën, njëlloj si Hoxha për udhëheqësit e vendeve të lira. Ai flet për sistemin që votojmë, njëlloj siç flisnin udhëheqësit komunistë për kapitalizmin”. Sipas Berishës, “një njeri që ka kaluar fëmijërinë duke lëpirë bustet e Enver Hoxhës, nuk mund të kërkojë më të ardhmen në këtë vend". Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në një seri përurimesh në Bashkinë e Kamzës ku dhe zhvilloi takime të ndryshme me banorët atje. Berisha përuroi përfundimin e fazës së parë të rrugës në Laknas, fillimin e ndërtimit të shkollës së re në këtë zonë dhe përfundimin e rrugës në Bathore. Kryeministri Berisha garantoi banoret e zonës se Kamzës se mbajtja e premtimeve që ai ka bërë gjatë fushatës së 2005-ës, është respektimi i kontratës morale që ai ka me zgjedhësit, por që nuk përmendi çështjen aq të diskutueshme për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Gjatë përurimit të rrugës në komunën e Laknasit, Kamëz, kreu i qeverisë, Sali Berisha, kritikoi ashpër Edi Ramën si kryebashkiak për investimet: “Kryebashkiaku me korrespodencë i kryeqytetit ka lënë në harresë periferinë dhe ka përqendruar investimet vetëm në qendër të Tiranës. Kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës ka hyrë në të thella me mashtrime, shpifje dhe trillime që i ka kthyer në shtyllat e politikës së tij rreckë”. Kryeministri shprehu bindjen se brenda pak muajsh, kreu i bashkisë dhe i PS-së, do të dalë nga politika, pasi siç theksoi, “Rama po shkon nga njëri dështim në tjetrin”.

Kryeministri: Investimi në Tiranë, prioritet

Qeveria ka nxjerrë nga buxheti i saj vetëm për Tiranën 160 milionë dollarë. Gjatë vizitës së djeshme në Bashkinë e Kamzës, Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se qeveria ka përgatitur investime për kanalizimet me rreth 120 milionë dollarë, investime për unazën e re të Tiranës me rreth 50 milionë dollarë, ka akorduar për shkollat e Tiranës 2.5 miliardë lekë, i ka akorduar për ujësjellës-kanalizimet 1 miliard lekë. Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të kësaj bashkie, Kryeministri Berisha u shpreh: “Shqipëria sot është Shqipëria e shpresës, sepse ecën e sigurt në projektet e saj të mëdha. Është Shqipëria e shpresës, sepse nga Valbona në Konispol, e tëra është në rindërtim. Është Shqipëria e shpresës, sepse në tre vjet rritem pensionet dhe pagat sa kurrë në historinë e saj. Është Shqipëria e shpresës, sepse ajo mori ftesën për anëtarësim në NATO. Është Shqipëria e shpresës, sepse është vendi me rritjen ekonomike ndër më të lartat në Evropë. Është Shqipëria e shpresës, sepse për të gjitha këto mori ftesën për anëtarësim në NATO dhe pret që vitin e ardhshëm të anëtarësohet me të drejta të plota në këtë Aleancë”.

Qeveria investon në Kamëz 860 milionë lekë

Kryeministri Berisha ishte dje i pranishëm në ceremoninë e përurimit të disa investimeve të rëndësishme në Bashkinë e Kamzës, me vlerë rreth 850 milionë lekë. Kryeministri Berisha tha se qeveria po investon shumë në urbanizimin e këtyre zonave. “Ka pasur nga ata ‘filozofë’ që pretendonin që në fillim të bëjmë urbanizimin dhe pastaj legalizimin. “Por, - shtoi ai, - ne po bëjmë urbanizim, legalizim së bashku, në mënyrë që këta banorë që janë shpërngulur këtu, të ndihen sa më të qetë në shtëpitë e tyre. Unë kam marrë zotime para tyre dhe kam kënaqësi që po i mbaj ato një për një. Unë jam njeri i fjalës së mbajtur. Filozofia ime është të mbaj premtimet e mia, se këtë kërkojnë qytetarët nga unë”, - u shpreh Kryeministri.

Berisha “bekon” protestën: Uroj të mos bjerë shi

Tubimi i ditës së djeshme, i organizuar nga opozita për të protestuar kundër pasigurisë në vend, pak orë para nisjes së saj mori dhe “bekimin” e Kryeministrit Sali Berisha. Ai përdori humorin, teksa lëshoi një batutë gjatë një takimi me banorët e Kamzës: "Ky është një vend demokratik. I vetmi urim që kam unë, është të mos u bjerë shi e t’ua prishë atë miting".

Përurimet

Përurimi i përfundimit të fazës së parë të rrugës “Lagjja e korçarëve”. Rruga që lidh Laknasin me Tiranën është investim me vlerë 70 milionë lekë

Përurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në Laknas, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 50 milionë lekë

Përurimi i mbylljes së fazës së parë të linjës 20K në Bathore, investim me vlerë 5 milionë dollarë, që së bashku me investimin prej 7 milionë dollarësh në fazën e dytë të punimeve, shkon në 12 milionë dollarë

Përfundoi faza e dytë e rikonstruksionit të rrugës në lagjen Bathore 6. Rruga, e ndërtuar me të gjitha elementet e infrastrukturës moderne, është investim me vlerë të përgjithshme 126.8 milionë

U përuruan punimet përfundimtare të fazës së parë të ujësjellësit në Bathore. Pas kësaj faze, nis faza e dytë e ujësjellësit që së bashku me investimin e fazës së parë arrin në 500 milionë lekë

Kryeministri Berisha përuroi edhe rrugën Bathore–Zall-herr. Rruga, 3.5 kilometra, është investim prej 51 milionë lekësh

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›