SHBA-ja i premton Bashës ratifikimin e protokollit të NATO-s
Brenda javës që vjen pritet që SHBA-ja të ratifikojë në Senat protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke i dhënë kështu firmën përfundimtare këtij procesi, i cili pritet të mbarojë me ratifikimin në të gjitha vendet anëtare të Aleancës. Këtë premtim e ka marrë dje në Uashington ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, nga disa senatorë të njohur të Senatit Amerikan. Siç bën me dije zyra e shtypit pranë Ministrisë së Jashtme, Basha zhvilloi një vizitë pune 2-ditore në Washington DC ku pati takime të rëndësishme me zyrtarë të ekzekutivit dhe disa senatorë, të cilët e informuan për procesin e ratifikimit të protokollit. Në takime të veçanta në Senatin Amerikan nga senatori republikan Richard Lugar, bashkëkryetar i Komisionit për Punët e Jashtme dhe senatorët demokratë Evan Bayh, Tom Carper dhe Benjamin Cardin, anëtarë të Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, Basha diskutoi për aspiratat e vendit tonë për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në NATO pas marrjes së ftesës zyrtare në prill të këtij viti. Basha i njohu senatorët amerikanë me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, me theks të veçantë në konsolidimin e reformave ekonomike e fiskale, arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën elektorale dhe atë në fushën e drejtësisë. Zhvillimet në rajonin e Evropës Juglindore dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë ishin tema të tjera të diskutimeve që ministri Basha pati në takimet me senatorët. Nga ana e tyre senatorët amerikanë vlerësuan reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe hapat e shpejtë që ajo ka hedhur në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut të lirë. Ata vlerësuan gjithashtu rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe moderacioni në Evropën Juglindore. Ata nuk harruan të shprehin dhe mirënjohjen e tyre për kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë në Iran, Afganistan etj. Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë MPJ-së, senatorët Lugar, Bayh, Carper dhe Cardin shprehën mbështetjen e tyre të plotë për përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO brenda një kohe sa më të shkurtër. Ata e siguruan ministrin Basha për angazhimin e tyre maksimal për ratifikimin e shpejtë të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO nga Senati Amerikan.
Basha mori të njëjtën siguri për ratifikim të shpejtë dhe në takimin me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Daniel Fried. Basha dhe z. Fried diskutuan mbi seancën dëgjimore të Komisionit të Jashtëm të Senatit Amerikan mbi anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO në të cilën dëshmoi Fried. Zyrtari amerikan e konsideroi seancën dëgjimore shumë të suksesshme dhe shprehu bindjen e tij për ratifikimin e shpejtë të protokolleve të anëtarësimit nga Senati Amerikan. Ministri Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve të fundit në Shqipëri me theks të veçantë reformën elektorale dhe atë në drejtësi. Ndihmëssekretari i Shtetit vlerësoi shumë pozitivisht përpjekjet e Shqipërisë në reformat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura. Gjatë qëndrimit të tij në Washington, ministri Basha u prit në Shtëpinë e Bardhë nga zv.këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Bush, ambasadori James Jeffrey, i cili ka shërbyer një periudhë kohore si ambasador në Tiranë.