E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçahet PBDNJ-ja: Berisha të largojë Barkën

PBDNJ-ja, tashmë e përçarë, i kërkon Kryeministrit Sali Berisha të largojë nga qeveria ministrin e saj të Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka. Pas një mbledhje urgjente, dje kryesia e PBDNJ-së vendosi zyrtarisht largimin e Barkës nga ekzekutivi. Burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se shkak për këtë kërkesë janë bërë përplasjet prej kohësh mes kryetarit Vangjel Dule dhe ministrit Barka. Në vendimin e kryesisë nuk është bërë i ditur emri i cili duhet të zëvendësojë Barkën, por mendohet se kandidaturat mund të jenë njëri prej 2 nënkryetarëve të kësaj partie. Gjithsesi, kryesia e Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut dje i propozoi Kryeministrit Berisha shkarkimin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka. Kërkesa pritet t’i kalojë Kryeministrit, Presidentit dhe më pas Parlamentit. Mësohet që kryesia e votoi unanimisht kërkesën për shkarkimin e Kosta Barkës, ndërsa është menduar të propozohet një tjetër emër brenda kësaj partie për postin e ministrit të Punës. Pas kësaj pritet që vendimi i kryesisë t’i kalojë Kryeministrit Berisha për t’u firmosur, Presidentit dhe më pas Parlamentit, duke shënuar në këtë mënyrë një tjetër formatim të kabinetit “Berisha 5” që prej ardhjes në fuqi në korrik të 2005-ës. Por duket se kjo do të jetë e vështirë, për faktin se nuk priten ndryshime të reja nga ana e Kryeministrit Berisha, megjithatë gjithçka mbetet për t’u parë. Prej kohësh ka pasur përplasje të brendshme mes kryetarit të partisë, Vangjel Dule dhe ministrit Barka, por duket se këtë radhë kanë arritur kulmin, konflikt të cilin e zyrtarizoi dje dhe mbledhja e kryesisë së PBDNJ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›