E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identiteti; Marrja e kartës, e detyrueshme

Ndërsa zgjedhjet e ardhshme priten të mbahen në qershor të vitit të ardhshëm, opozita ka shfaqur shqetësim në lidhje me pajisjen me karta identiteti të qytetarëve. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinad Poni, ishte dje i pranishëm në Komisionin e Reformës Zgjedhore, nga ku garantoi se pas datës 15 nëntor fillon procesi i bërjes së kartave të identitetit. Proces paralel do të ndodhë edhe me pasaportat biometrike. Pajisja e qytetarëve me karta identiteti 9 muaj para zgjedhjeve, parashikohet të bëhet edhe me detyrim ligjor

Zgjedhësit nuk mund të votojnë në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm pa karta identiteti, por kjo masë shtrënguese nuk do të jetë e vetme. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare zgjedhësit duhet të pajisen me karta identiteti, dhe kjo do të bëhet edhe me detyrim ligjor. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, deklaroi dje në Komisionin e Reformës Zgjedhore se qeveria pritet të ndërmarrë një masë shtrënguese, e cila do të detyrojë shtetasit shqiptarë të pajisen me karta identiteti. Kjo masë pritet të konkretizohet me një vendim qeverie, por ende nuk janë bërë të ditura detajet që do të ketë ky vendim shtrëngues për këtë detyrim qytetar të shtetasve shqiptarë. Aktualisht, janë bërë të ditura disa masa shtrënguese në rast se qytetarët shqiptarë nuk pajisen me karta. Përveç mohimit të së drejtës së votimit, qytetarët nuk do të përfitojnë asnjë shërbim publik, në rast se u mungon karta si marrja e pagave për punonjësit shtetërorë, bashkëpunimi me bankat si dhe një sërë shërbimesh të tjera.

Opozita ngriti shqetësimin në lidhje me pajisjen e plotë të qytetarëve me karta identiteti kur zgjedhjet janë vetëm 9 muaj larg, ndërsa Poni garantoi se kjo gjë do të bëhet edhe me pahir. Sipas zëvendësministrit, procesi po ecën sipas parashikimit. “Ne në datën 30 shtator përfundojmë lidhjen online në të gjithë Shqipërinë. Një anë profesionale e regjistrit është prodhimi në çast i listës së zgjedhësve. Bazën kombëtare, në sensin e plotë të fjalës, ne e kemi përfunduar dhe përditësojmë edhe me softuerin e sotëm, që do të thotë mund ta nxjerrim listën e zgjedhësve edhe për një orë”, - informoi Poni, duke bërë të ditur më tej se pas përfundimit të këtij procesi, deri në datën 15 nëntor do të punohet për vendosjen e numrit të identifikimit të qytetarëve shqiptarë, që do të thotë, nisja e punës për kartat e identitetit. Poni informoi se ky proces është paralel edhe për pasaportat biometrike të cilat do të kushtojë 5 mijë lekë të reja, sa aktualisht, por me informacion sigurie shumë herë më shumë, ndërsa kartat e identitetit nuk do të kushtojnë më shumë 1 100 lekë të reja.

Gjithsesi, opozita shfaqi dyshimet e saj. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj, u shpreh pesimist se ky proces do të përfundojë dhe të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme, kur kanë mbetur vetëm 9 muaj larg. Ai ngriti shqetësimin edhe të pajisjes së emigrantëve me karta. “Nga ajo çfarë kuptohet këtu, ne do të duhet, o ta modifikojmë, o të bëjmë një dispozitë transitore, sepse nuk realizohet, që ne të kemi 9 muaj para datës së zgjedhjeve listën paraprake të zgjedhësve. Mua nuk më duhet sistemi, por më duhet kur mbaron regjistri që të bëhet i aplikueshme i monitorueshëm”, - tha Xhafaj, por që zëvendësministri u shpreh se aksesi për informacion është i hapur, ndaj ftoi deputetët opozitarë të monitorojnë punën.

Në këtë pikë ka reaguar edhe bashkëkryetari tjetër i komisionit, demokrati Rusmali, i cili tha se procesi ka kapacitete të mjaftueshme për të qenë gati në zgjedhjet e ardhshme. “Sistemi ka një kapacitet prej 4 milionë kartash që mund të jepen. Numri i zgjedhësve që marrin pjesë në votime, është 1 milionë e pak. Pra, sistemi ka kapacitet 4 herë më të lartë për të na realizuar objektivin që kemi ne. Me një kapacitet 4-fish më të lartë, ne nuk kemi pse të mos kemi besim që puna do të realizohet”, - tha Rusmali. Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet të nisë javën e ardhshme miratimin e detajeve të tjera në Kodin Zgjedhor.

Topalli ftohet nga homologu spanjoll për vizitë zyrtare në Madrid

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, pritet që së shpejti të bëjë një vizitë zyrtare disaditore në Spanjë, ku është e ftuar nga homologu i saj spanjoll. Topalli ishte dje e ftuar në ditën e tretë të seminarit për procesin e Barcelonës ku zhvilloi një takim me Marti Grau, anëtar i Delegacionit të Parlamentit Evropian në EMPA, si dhe Jordi Pedret, anëtar i Delegacionit të Parlamentit spanjoll në EMPA. Biseda me të pranishmit u fokusua në rolin gjithnjë në rritje që duhet të ketë diplomacia parlamentare, në kuadër të Procesit të Barcelonës, që merr aktualisht një rëndësi të mëtejshme. Gjatë këtij seminari, Topalli mbajti një fjalim ku vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Mesdheut. Topalli theksoi se Shqipëria po përjeton një histori ndryshimi. “Historia e një vendi që në një periudhë njëzetvjeçare ka kompensuar qindra vjet të humbura të historisë së saj. Është një vend i modelit të bashkëjetesës, një vend që ka një popullsi jashtëzakonisht të re ku 60% është nën moshën 40 vjeç dhe që ka një energji të pashtershme, një vend që është përballur me sfida jashtëzakonisht të vështira, duke parë se sa herë që ka pasur një sfidë të vështirë përpara, është përpjekur për ta pasur një oportunitet, një mundësi se në fakt e ka kthyer në një shans për vendin e vet. Një vend që brenda tre viteve realizoi që të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, bllokuar 4-5 vitet e më para, që e ka ratifikuar këtë pothuajse në të gjitha parlamentet anëtare të Bashkimit Evropian. Një parlament që jetoi momentin më të veçantë të marrjes së ftesës për NATO, që ka hapur negociatat për liberalizimin e vizave dhe që është shumë optimist dhe shumë entuziast për të ardhmen e këtij vendi”, - tha Topalli në fjalimin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›