Berisha: Modeli i PS, i rrezikshëm - Kokëdhima armik i betuar i investimeve të huaja
Inaugurohet fillimi i punimeve për HEC-et mbi Lumin Devoll. Berisha: “Eksportues të energjisë, zërat e taksave të larta në shkretëtirë”
Kryeministri Berisha e cilësoi të rrezikshëm modelin ekonomik të propozuar nga opozita, e cila konsideron si më të favorshëm sistemin e taksimit progresiv. Gjatë një bashkëbisedimi me biznesmenë të Elbasanit, kryeministri tha se modeli i ndjekur nga mazhoranca ka funksionuar, duke shmangur sipas tij, mbytjen e anijes së vogël të Shqipërisë në shtrëngatën ekonomike që përfshiu Europën. “Ka një model tjetër që del tani në arenë, modeli i rritjes së taksave. Atje ku është tentuar, po çon poshtë dhe nuk po përmirëson. Taksa e sheshtë është taksë proporcionale, por jo taksë gijotinë. Atë se bëjmë ne kurrë. Kjo do të thotë tu thuash juve merrni të gjithë pasaporta të vendeve që nuk e kanë këtë taksë dhe shkoni jetoni atje. Ajo që del në horizont nuk është vetëm absurde, por e rrezikshme. Asgjë s’ka më të rrezikshme se sa të shprehesh për komisione të plotfuqishme të jashtëzakonshme. Një vend demokratik as që mund të mendojë kurrë, përveçse katastrofës natyrore, që të krijojë një komision emergjence, sepse Kushtetuta nuk të lejon të kesh fuqi të jashtëzakonshme. Ligji është bërë për të të kufizuar ty pushtetin, ekzekutivit. Do ngremë një zyrë thotë për ankesat pranë kryeministrit. Ka një sistem ligjor, nuk ka kryeministër në botë që nuk shqyrton ankesat e një biznesmeni , por kryeministri nuk është ligji, e shqyrton përmes institucioneve. Ky zotëri që promovon këto është një bosh absolut në rrafshin e koncepteve ekonomike, ai është piktor. S’kam asgjë me të, edhe unë jam doktor, jam mjek, por ka një gjë aman, je i detyruar të lexosh, të studiosh ose të mbyllesh gojën dhe të flasin këshilltarët.”- u shpreh Berisha. Kryeministri Berisha komentoi sërish vendimin e kreut të PS-së për të kandiduar në Vlorë biznesmenin Koço Kokëdhima, të cilin e konsideroi si një prej armiqve të betuar të investimeve të huaja. “Unë i dija marrëdhëniet e tyre, Rama-Kokëdhima dhe askush nuk më besonte kur thoja se ai është nënkryetar i PS-së. Ky vjen në skenë me një njeri i cili është armik i betuar i investimeve të huaja në Shqipëri. Ky model që serviret është i rrezikshëm.”- tha kryeministri. Ai siguroi biznesmenët se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të mbështetur lirinë ekonomike dhe iniciativën e lirë. Sipas tij, qeveria i ka besuar biznesit si gjenerator kryesor për krijimin e vendeve të reja të punës. “Ne ju mbështesim ju që të krijoni vende pune. Sepse nëse do ecim me filozofinë të krijojë qeveria vende pune, e gjithë barra do binte mbi ju. Ne vendosëm taksën e sheshtë, kemi marrë një hap të dytë të madh, kemi hequr çdo TVSH dhe tarifë doganore për çdo makineri që përdoret për prodhim. Ju garantoj ju se nuk është kjo paketa përfundimtare e uljes së taksave. Asaj që i besoj unë, asaj i qëndroj. Natyrisht nuk bëhen dot të gjitha përnjëherë, sepse duhet të ecësh me kujdes” - deklaroi kryeministri.
HEC-i mbi Devoll, Berisha: Eksportues të energjisë, zërat e taksave të larta në shkretëtirë
U inauguruan sot fillimet e punimeve përgatitore të ndërtimit të HEC-it të Banjës mbi kaskadën e Devollit. Kryeministri Berisha i pranishëm në këtë ceremoni e ka cilësuar këtë një ditë historike për të gjithë Shqipërinë. “Sot është një moment historik për Shqipërinë e shqiptarët, inaugurojmë fillimin e punimeve parapërgatitore për fillimin e punimeve të HEC-it të Banjës nga kompania më e madhe dhe më e suksesshme në fushën e hidroenergjisë në Europë dhe botë, Shtatkraft”, tha ai. Sipas kreut të qeverisë ndërtimi i këtij HEC-i e shndërron Shqipërinë nga një vend importues në eksportues të energjisë. Ai nënvizoi se të paktën 5 mijë banorë të Gramshit e Elbasanit pritet të punësohen nga ky projekt. “Kjo kompani është e vendosur të bëjë histori në këtë vend, të bëjë investimin më të madh të huaj në historinë e Shqipërisë dhe hidroenergjetikes së vendit. Kaskada e Devollit, e tërë trajektorja e saj do njohë zhvillime të pritura në dekada dhe shekuj. Shqipëria do shndërrohet nga vend importues i energjisë në eksportues. Vepra që ndërtohet për disa vite do të jetë gjeneratore e punësimit të qytetarëve të Gramshit dhe Elbasanit, në funksion të kësaj vepre do të punësohen jo më pak se 5 mijë qytetarë shqiptarë”, tha ai Kryeministri tha më tej se qeveria e tij do bëjë gjithçka për mbështetjen e investitorëve të huaj edhe gjatë mandatit të ri. “Shtatkraft një gjigand publik, falënderime qeverisë së Norvegjisë, për inkurajimin që i ka bërë asaj duke dëshmuar një besim të madh ndaj Shqipërisë e reformave të saj, ne garantojmë se do të bëjmë përpjekjeve për një klimë sa më të mirë ndaj biznesit të huaj. Ne garantojmë kompaninë se do bëjmë gjithçka për ketë vepër që përbën një kthesë madhore në historinë tonë. Prania e Shtatkraft në Shqipëri është ftesa më e shkëlqyer për kompanitë norvegjeze dhe ato të Gadishullit Skandinav. Në një nga luginat e lumenjve të saj zbarkon kompania më e madhe e botës, pavarësisht nga harta potencialet e Shqipërisë janë të jashtëzakonshme”, tha Berisha. Duke u ndalur tek investimet Berisha sulmoi edhe njëherë alternativën e opozitës. “Do mbeten si zëra në shkretëtirë, zërat e taksave të larta që kërcënojnë klimën e biznesit”. Berisha tha më tej se është e afërt dita kur Shqipëria të shndërrohet në vend lider në prodhimin e energjisë në rajon. “Qeveria ka ndërmarrë reforma të suksesshme, e ka vendosur Shqipërinë në vendin e 18 më të mirë përsa i përket klimës së mirë për investitorët. Gjatë mandatit të ri do e përmirësojmë më tej atë. Kjo është një ditë e madhe, e shënuar në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë, në historinë e energjetikës dhe biznesit”, shtoi më tej kreu i qeverisë.
...