E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Modeli i PS, i rrezikshëm. Kokëdhima armik i betuar i investimeve të huaja

ELBASAN – Kryeministri Berisha e cilësoi të rrezikshëm modelin ekonomik të propozuar nga opozita, e cila konsideron si më të favorshëm sistemin e taksimit progresiv. Gjatë një bashkëbisedimi me biznesmenë të Elbasanit, kryeministri tha se modeli i ndjekur nga mazhoranca ka funksionuar, duke shmangur sipas tij, mbytjen e anijes së vogël të Shqipërisë në shtrëngatën ekonomike që përfshiu Europën.

“Ka një model tjetër që del tani në arenë, modeli i rritjes së taksave. Atje ku është tentuar, po çon poshtë dhe nuk po përmirëson. Taksa e sheshtë është taksë proporcionale, por jo taksë gijotinë. Atë se bëjmë ne kurrë. Kjo do të thotë tu thuash juve merrni të gjithë pasaporta të vendeve që nuk e kanë këtë taksë dhe shkoni jetoni atje. Ajo që del në horizont nuk është vetëm absurde, por e rrezikshme. Asgjë s’ka më të rrezikshme se sa të shprehesh për komisione të plotfuqishme të jashtëzakonshme. Një vend demokratik as që mund të mendojë kurrë, përveçse katastrofës natyrore, që të krijojë një komision emergjence, sepse Kushtetuta nuk të lejon të kesh fuqi të jashtëzakonshme. Ligji është bërë për të të kufizuar ty pushtetin, ekzekutivit. Do ngremë një zyrë thotë për ankesat pranë kryeministrit. Ka një sistem ligjor, nuk ka kryeministër në botë që nuk shqyrton ankesat e një biznesmeni , por kryeministri nuk është ligji, e shqyrton përmes institucioneve. Ky zotëri që promovon këto është një bosh absolut në rrafshin e koncepteve ekonomike, ai është piktor. S’kam asgjë me të, edhe unë jam doktor, jam mjek, por ka një gjë aman, je i detyruar të lexosh, të studiosh ose të mbyllesh gojën dhe të flasin këshilltarët.”- u shpreh Berisha.

Kryeministri Berisha komentoi sërish vendimin e kreut të PS-së për të kandiduar në Vlorë biznesmenin Koço Kokëdhima, të cilin e konsideroi si një prej armiqve të betuar të investimeve të huaja.

“Unë i dija marrëdhëniet e tyre, Rama-Kokëdhima dhe askush nuk më besonte kur thoja se ai është nënkryetar i PS-së. Ky vjen në skenë me një njeri i cili është armik i betuar i investimeve të huaja në Shqipëri. Ky model që serviret është i rrezikshëm.”- tha kryeministri. 

Kryeministri siguroi biznesmenët se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të mbështetur lirinë ekonomike dhe iniciativën e lirë. Sipas tij, qeveria i ka besuar biznesit si gjenerator kryesor për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ne ju mbështesim ju që të krijoni vende pune. Sepse nëse do ecim me filozofinë të krijojë qeveria vende pune, e gjithë barra do binte mbi ju. Ne vendosëm taksën e sheshtë, kemi marrë një hap të dytë të madh, kemi hequr çdo TVSH dhe tarifë doganore për çdo makineri që përdoret për prodhim. Ju garantoj ju se nuk është kjo paketa përfundimtare e uljes së taksave. Asaj që i besoj unë, asaj i qëndroj. Natyrisht nuk bëhen dot të gjitha përnjëherë, sepse duhet të ecësh me kujdes.”- deklaroi kryeministri.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera HEC-i mbi Devoll, Berisha: Eksportues të energjisë, zërat e taksave të larta në shkretëtirë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›