E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Modeli ynë ekonomik bazohet në standarde liberale

TIRANE- Në mbyllje të vizitës së tij në Mynih, në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, Kryeministri Berisha deklaroi se, konferenca pati si temë kryesore krizën ekonomike, krizën e borxheve dhe krizën e Euros.

“Natyrisht, parashikimet për daljen e eurozonës nga kriza nuk ishin dhe aq optimiste. Besohet se kjo do të jetë një krizë nga e cila do të duhen jo pak vite për të dalë, por e rëndësishme është se për herë të parë në këtë konferencë ndërkombëtare që u diskutua për krizën, u kërkua që të ndryshohen qëndrimet e deritanishme për daljen prej saj”, komentoi Berisha.

Sipas tij, në këtë konferencë ka spikatur modeli ekonomik i Shqipërisë, i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike dhe standardet liberale.

“Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18 përqind, rritje në distancë më të lartën në Evropë. Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në këtë kontekst, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksat të larta, i cili përjeton vështirësi serioze, dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin. Vizioni apo mësimi që nxirret është që të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që kemi në vend për ta nxitur atë, për të zgjeruar hapësirën, për të vazhduar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë”, komentoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rama në Twitter: Berisha flet për model suksesi imagjinar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›