E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, pas Trojkës, Papadhimos takon liderët politikë

ATHINE - Vazhdon që nga ora 15 30 takimi vendimtar mes kryeministrit grek Lukas Papadhimos dhe liderëve të partive politike, Papandreu, Samaras dhe Karaxhaferis, të cilët duhet të bien dakort së bashku për disa pika të nxehta, në negociatat që Athina po zhvillon me Trojkën dhe me kreditorët privatë. 

Para këtij takimi Papadhimos zhvilloi negociata të reja me përfaqësuesit e ekipit të Trojkës. 

Edhe dje pasdite Kryeministri pati një takim me përfaqësues të huadhënësve, takim i cili zgjati deri natën vonë dhe sic bëhet e ditur Trojka qëndron e palëkundur në kërkesat e saj për ndërhyrje në paga dhe pensione. 

Ministri Venizelos deklaroi gjatë një telekonference me ministrat e Financave të Eurozonës, se “jemi në teh të briskut. Çdo gjë duhet të jetë e mbyllur deri të dielën në mbrëmje". 

Venizelos bëri të ditur se janë arritur marrëveshje për një sërë cështjesh si rikapitalizimi i bankave, trendi i privatizimit etj, por kanë mbetur hapur cështje të tjera si marrëdhëniet e punës, të ardhurat në sektorin privat dhe masat fiskale për 2012. 

Venizelos nënvizoi gjithashtu rëndësinë e madhe që ka marrëveshja politike që duhet të arrihet sot, mes udhëheqësve të partive që mbështesin qeverinë greke.

Nga ana tjetër një ultimatum i fortë ka ardhur nga kreu i Eurogrup Jan Klod Juncker. Ndërkohë që mbledhja e Eurogrup për Greqinë u shty për të mërkurën, në një intervistë për revistën gjermane Der Spiegel, kreu këshillit të ministrave të Eurozonës Juncker theksoi se ndihma në Greqi "nuk do të jepet me çdo kusht". 

"Në qoftë se ministrat konsiderojnë se gjithçka po shkon keq në Greqi, nuk do të ketë një paketë të re, gjë që përfshin shpalljen e falimentimit në mars", tha Presidenti i Eurogroup. 

Zoti Juncker theksoi se Greqia duhet të zbatojë reformat e nevojshme, ndryshe "nuk duhet të presë aktet e solidaritetit."
Ai vuri theksin sidomos në vonesat tek privatizimi që ka vërejtur Brukseli. "Greqia duhet ta dijë se ne nuk e harrojmë çështjen e privatizimit," tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›