E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ndërkombëtarët duan reformën me PD e PS

Ndërkombëtarët, por edhe elektorati në Shqipëri, e konsideron konsensusin më të gjerë të mundshëm atë mes PD-së e PS-së.

 Kështu u shpreh dje, në mbledhjen e grupit parlamentar kreu i qeverisë, në një mbledhje jashtë radhe, vetëm një ditë para miratimit të disa ndryshimeve kushtetuese në Parlament. Duke folur në pjesën e parë të mbledhjes së grupit të deputetëve demokratë, Berisha u shpreh se: “Duke qëndruar besnik i palëkundur i aleatëve të mi, duke i falënderuar ata për të gjithë hapat dhe mirëkuptimet që kanë treguar dhe mirëkuptimin që unë kam treguar ndaj tyre, sërish dua të theksoj se, qytetarët shqiptarë, Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar pret me të drejtë dhe cilëson si konsensus më të gjerë, konsensusin midis dy forcave më të mëdha politike. Unë jam dhe do të jem për këtë”. Sipas tij, edhe Partia Socialiste gjatë kohës që ishte në pushtet e bëri reformën vetëm me Partisë Demokratike dhe pa një konsensus të tillë, PD-ja nuk do të ishte sot në pushtet. “Me Partinë Socialiste na ndajnë programet, na ndajnë pozicionet. Dihen shumë mirë platformat e shkuara të saj ndaj nesh, por askush nuk mund të mohojë se, për gjashtë vite me radhë reformën zgjedhore Partia Socialiste e parashikoi vetëm me Partinë Demokratike. Unë mund t’ju them se pa atë reformë zgjedhore Partia Demokratike nuk do të ishte sot në pushtet. Unë nuk kam ndërmend kurrë të përdor monedhë tjetër, përveçse përfaqësuesve më kryesorë të këtij populli, të këtyre qytetarëve që besimin më masiv e kanë vendosur tek dy forcat politike kryesore të vendit”, vijoi më tej Berisha. kreu i qeverisë tha para deputetëve demokratë se me reformën zgjedhore që pritet të miratohet sot në parlament, do të eliminohet përfundimisht fenomeni i “dushkut”, ndërkohë që shtoi se dy nenet, që kanë të bëjnë me mocionin e besimit dhe mosbesimit ndaj kryeministrit e bëjnë vendin një republikë parlamentare si ajo e vendeve kryesore evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›