Berisha: Ndërtimi i HEC-it të Skavicës, prodhimi vendas rritet me 1 miliard kw/orë energji
(UPDATE)- Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ndërtimin e hidrocentralit të Skaviës, investim ky që i paraprin objektivit të qeverisë shqiptare për të shfrytëzuar cdo pasuri ujore në vend. Berisha theksoi se më këtë vendim, është më pranë arritjes së objektivit të qeverisë, për kthimin e Shqipërisë në një superfuqi energjetike në rajon. “Ne duhet të ndërtojmë Skavicën. Kaskada është pasuri e madhe, Skavica është nëna e të gjitha digave nën të”- u shpreh kryeministri. Sipas tij, Skavica në kaskadën e Drinit duhet të kishte qenë HEC-i i parë që duhej ndërtuar. Kreu i qeverisë theksoi se pozicioni natyror e bën atë një nga vendet më të përshatshme në Europë për ndërtimin e një HEC-i. “Skavica është një nga ngushticat më të ngushta në vendin ku presupozohet se do ndërtohet diga, por edhe me shpatullat shkëmbore më të forta. Do prodhohet më shumë se 1 miliardë kilovat orë energji”, theksoi kreu i qeverisë. Berisha tha se ministria e Ekonomisë dhe KESH duhet të shqyrtojnë me hollësi ndërtimin e HEC-it. “Duhet të hapë tenderin për projektin, nga studimet fillestare deri te projekti i zbatimit”, shtoi ai. Sipas tij, qeveria mund ta ndërtojë vetë HEC-in. Kryeministri pohoi se ndërtimi duhet të fillojë brenda këtij mandati dhe të marrë fund në mandatin e tjetër të qeverisë....